Kërkesa e PD është rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese me 6 vota kundër dhe vetëm 2 pro kërkesës së opozitës, Gani Dizdari dhe Besnik Ymeri.
Kryetari Bashkim Dedja dhe anëtarët Vladimir Kristo, Vitore Tusha, Altina Xhoxhaj, Fatmir Hoxha dhe Fatos Lulo votuan kundër kërkesës së PD për shfuqizimin e ligjit të Vettingut.
Vendimi i Gjykatës do të thotë se ligji i Vettingut që u miratua në Kuvend vetëm me votat e shumicës është Kushtetues dhe nuk shkel të drejtat e njeriut.
Partia Demokratike i kërkoi Gjykatës Kushtetuese që të shpallte ligjin anti-kushtetues, por kërkesa e opozitës është rrëzuar.
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese pro ligjit më të rëndësishëm të Reformës në Drejtësi erdhi pak ditë pas opinionit final të Komisionit të Venecias, që e konfirmoi ligjin.
Me futjen në fuqi të ligjit të Vettingut pritet që të hapet edhe rruga e Shqipërisë për në Bashkimin Europian, pasi kushti i vetëm për negociatat ishte fillimi i zbatimit.
Ligji i Vettingut ka në thelb të tij pastrimin e drejtësisë shqiptare nga prokurorët dhe gjyqtarët e korruptuar, ndërsa procesi do të jetë i monitoruar edhe nga ekspertët e OPDAT dhe të Euralius.
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë, sot, në datën 22.12.2016, mori në shqyrtim çështjen me palë:
Kërkues: Jo më pak se një e pesta e deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë, anëtarë të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike
Subjekte të interesuara: Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë
Objekti: -Shfuqizimi si i papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë i ligjit nr.84/2016, datë 30.08.2016 “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.
-Pezullimi i zbatimit të ligjit nr.84/2016, datë 30.08.2016 “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.
Pasi shqyrtoi dhe analizoi pretendimet e paraqitura nga kërkuesi, si dhe parashtrimet e subjekteve të interesuara Kuvendi i Republikës së Shqipërisë dhe Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë, në mbështetje të neneve 131/a dhe 134/1/c të Kushtetutës, si dhe të neneve 49, 51, 51/a, 26, 72 e vijues të ligjit nr.8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, (i ndryshuar)
VENDOSI: Rrëzimin e kërkesës.
Baza ligjore e vendimit të Kushtetueses
-Neni 131 / a i Kushtetutës
1. Gjykata Kushtetuese vendos për: a) pajtueshmërinë e ligjit me Kushtetutën ose me marrëveshjet ndërkombëtare, siç parashikohet në nenin 122.
-Neni 134/1/c i Kushtetutës
1. Gjykata Kushtetuese vihet në lëvizje me kërkesë të:
c) jo më pak se një të pestës së deputetëve.
-Neni 26, ligji për Gjykatën Kushtetuese
Publikimi i vendimit përfundimtar
1. Vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë përfundimtare. Ato botohen në Fletoren Zyrtare dhe hyjnë në fuqi ditën e botimit të saj. Kur vendimi ka të bëjë me mbrojtjen e të drejtave kushtetuese të individit, Gjykata mund të vendosë që ai të hyjë në fuqi me shpalljen e tij.
2. Organi që boton Fletoren Zyrtare detyrohet të bëjë botimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, jo më vonë se 15 ditë nga ardhja për botim e tyre pranë atij organi.
3. Gjykata Kushtetuese çdo vit përgatit një përmbledhje të vendimeve të saj.
Neni 72, ligji për Gjykatën Kushtetuese
Marrja e vendimit dhe shpallja e tij
1. Bisedimet si dhe votimi i vendimit bëhen pa praninë e personave të tjerë.
2. Vendimet e Gjykatës Kushtetuese merren me shumicën e votave të të gjithë gjyqtarëve të saj. Abstenimi nuk lejohet.
3. Vendimi nënshkruhet nga të gjithë gjyqtarët e pranishëm në shqyrtimin e çështjes.
4. Për shpalljen e vendimit njoftohen pjesëmarrësit në proces. Mungesa e tyre nuk pengon shpalljen e tij.
5. Vendimi jepet “Në Emër të Republikës së Shqipërisë”.
6. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese shpallet i arsyetuar dhe lexohet nga kryesuesi i seancës ose nga një gjyqtar i caktuar prej tij.
7. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese ka fuqi detyruese të përgjithshme dhe është përfundimtar.
8. Gjyqtari që mbetet në pakicë ka të drejtë të arsyetojë mendimin e tij që i bashkohet vendimit dhe botohet bashkë me të.
9. Kopje të vendimit mund t’u jepen pjesëmarrësve në proces me kërkesën e tyre, kundrejt tarifës së caktuar.
dy.b/shqiptarja.com