TIRANË, 18 Dhjetor/ATSH-Arbi Fortuzi/.- Zhvillimi i seancës plenare në Kuvendin e Shqipërisë ka bërë që Gjykata Kushtetuese të shtyjë për në 27 janar shqyrtimin e padisë së Këshillit të Lartë të Drejtësisë për shkarkimin e dy anëtarëve Elvis Cefa dhe Lulzim Lelcaj.
Gjatë seancës së zhvilluar paraditen e së enjtes mësohet se përfaqësuesit ligjor të Kuvendit kanë kërkuar shtyrjen e seancës, pasi gjatë seancës plenare do të miratoheshin ligje me shumicë të cilësuar, që kërkon edhe impenjimin maksimal të juristëve në fjalë. Po ashtu, përfaqësuesit ligjor të KLD-së kërkuan nga ana e tyre, që gjatë shqyrtimit të çështjes të marrin pjesë dhe Cefa dhe Lelcajt.
Pas shqyrtimit të kërkesave të palëve, Gjykata vendosi të pranojë kërkesën e Kuvendit për të shtyrë seancën, duke vendosur datën 27 janar, si ditën e shqyrtimit të çështjes./m.m/