Gjykata Administrative ka shfuqizuar masat disiplinore ndaj deputetëve të opozitës Flamur Noka, Albana Vokshi, Elda Hoti, Belind Këlliçi, Klevis Balliu dhe Fidel Kreka, për përjashtimin 30 ditor të tyre nga punimet e Kuvendit dhe komisionet parlamentare.

Pas vendimit të Gjykatës, ka ardhur edhe reagimi i kreut të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhit, i cili është shprehur se mazhoranca u kap në flagrancë nga Drejtësia ‘duke ushtruar me urrejtje pushtetin kundër opozitës’.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Bardhi deklaroi se vendimi i Gjykatës tregoi se përjashtimet e deputetëve ishin arbitrare, të paligjshme dhe heqje e padrejtë e fjalës në Parlament.

Teksa ftoi qytetarët t’i bashkohën protestës së sotme të Partisë Demokratike, Bardhi shkroi se përjashtimi i deputetëve të opozitës tregon se në Shqipëri nuk sundon shteti ligjor, por partia shtet e Edi Ramës.

Reagimi i Bardhit:

REAGIM I KRYETARIT TË GRUPIT PARLAMENTAR TË PD, GAZMENT BARDHI

Përjashtime arbitrare!

Vendime të paligjshme!

Heqje e padrejtë e fjalës në Parlament!

Maxhoranca është kapur sërish në flagrancë nga drejtësia duke ushtruar me urrejtje pushtetin kundër opozitës!

Vendimi i Gjykatës për paligjshmërinë e përjashtimit të kolegëve Flamur Noka, Albana Vokshi, Elda Hoti, Belind Këlliçi, Klevis Balliu dhe Fidel Kreka është një sinjal alarmi se në Shqipëri nuk sundon shteti ligjor, por Partia-Shtet e Edi Ramës. 

Në Parlament, ne do të vazhdojmë të rezistojmë ndaj një pushteti që e ka zëvendësuar ligjin me vullnetin e keq të Kryeministrit, por, sot, deputetët dhe qytetarët kanë një mision të përbashkët:

të protestojmë për të fituar të drejtën për t’u qeverisur nga një ekip me integritet, që jep llogari dhe nuk vjedh qytetarët.


Lajmi kryesor:

Përjashtimet nga Kuvendi/ PD fiton betejën në Gjykatën Administrative, avokati: Vërtetoi se masat u morën në kundërshtim flagrant me ligjin