TIRANE - Shfrytëzimi i Lagunës së Patokut për peshkim i rikthehet firmës së familjes Cali. Ka qenë ky vendimi i Gjykatës Administrative e cila shpalli të paligjshëm tenderin e Ministrisë së Buqjësisë, ku në mars të këtij viti ja kaloi Lagunën kompanisë Tenki 01 në pronësi të familjes së deputetit Armando Prenga, tashmë ky i arrestuar pas përplasjes 2 javë më parë fizikisht me Calët qe shenoi edhe te plagosur.

...
Gjykata Administrative pranon kerkesen e familjes Cali, duke i rikthyer keshtu te drejten per shfrytezim te peshkimit ne Lagunen e Patokut e cila nje muaj me pare u be shkak per nje perleshje me familjen e deputetit Armando Prenga qe ja kishte marre kete te drejte permes nje tenderi.  Pas 5 seancave gjykatësi Avdi Sejdi ka vendosur të shfuqizoje tenderin e Ministrisë së Bujqësisë e cila në mars të këtij viti ja kaloi lagunën firmës Tenki 01, firmë kjo në pronësi të Eduard Prengës vëllait të deputetit Armando Prenga.

gjyqi cali prenga
Perfaqesuesit e familjes Cali ne gjyq

Dy javë më parë familja Cali e Prenga u përleshën midis tyre për të drejtën e shfrytëzimit të kësaj lagunë, ku për pasojë u plagosën 4 persona ndërsa në pranga ra dhe deputeti Armando Prenga i cili tashmë është përjashtuar nga grupi parlamentar socialist.

Por si lindi konflikti për Lagunën?
Familja Cali e shfrytëzon Lagunën prej më shumë se 10 vitesh me një leje të marrë në vitin 2005, ndërsa në tenderin e marsit të këtij viti Ministria e Bujqësisë ja kaloi firmës Tenki 01.

E pikërisht ky tender sipas gjykatësit Sejdi është kryer në shkelje ligjore pasi ministria ka klasifikuar fitues kompaninë e vëllait të deputetit dhe pse kjo kompani nuk kishte eksperiencë me peshkimin.

Investimi në lagunë
Gjyqtari argumentoi se Ministria e Bujqësisë nuk i ka vlerësuar dy pikat kryesore dhe të rëndësishme të kompanisë Cali, investimet në lagunë dhe eksperiencën disa vjeçare në peshkimin artificial. Sipas gjyqtarit, anëtarët e këtij komisioni kanë shpall fitues kompaninë “TENKI 01” duke mos respektuar bazën ligjore.

Gjyqtari tha se komisioni e ka favorizuar kompaninë e vëllait të deputetit, pasi ka vlerësuar me pikë maksimale kompaninë “TENKI 01” për kritere që nuk ishin të parashikuar në procedurat e tenderimit, si ajo e drejtuesit teknik. 

​Përfaqësuesit e Ministrisë së Bujqësisë nuk preferuan të komentojnë vendimin e gjykatës, pavarësisht se brenda sallës së gjyqit i dhanë dorën peshkatarëve të familjes Cali duke i uruar për fitoren. "Ministria nuk e ka patur kërkesë në tender por e ka shtuar pasi janë dorëzuar dokumentet", tha gjyqtari.

Nisur nga kjo situatë, laguna do vijojë të shfrytëzohet nga familja Cali, deri në fazën kur ministria të ripërsëritë procedurat e tenderit dhe të shpallë një kompani fituese. Në dalje të gjykatës, administratori i kompanisë Cali i emocionuar tha se ky ishte një vendim i drejtë. Ndërkohë pala humbëse e ka quajtur këtë vendim si të ndikuar politikisht dhe se sipas tyre, ata do e ankimojnë çështjen në gjykatën e Apelit.
 
gjyqi cali prenga
Juristja e Ministrise se Bujqesise ne gjyq


Mesazhet denoncuese
Këqyrja e telefonave të anëtarëve të familjes Cali, ka zbuluar disa mesazhe të cilët i kanë dërguar ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri dhe kryeministrit Edi Rama. Këtij të fundit, i ka shkruar Gjergj Cali i cili i tregon se ndihen në presion psikologjik, pasi lagunën ku ata kanë punuar prej 75 vitesh me radhë, do jua marrë nëpërmjet një tenderi familja e deputetit të PS Armando Prenga. Në sms-në, që tashmë është administruar në dosjen e Prokurorisë së Përgjithshme familja Cali ankohet tek kryeministri Rama se tenderi po manipulohet nga familja Prenga, e cila përfaqësohet nga deputeti i PS Armando Prenga.

Veç këtij mesazhi, grupi hetimor ka sekuestruar dhe disa sms të tjera ku evidentohet dhuna e ushtruar nga deputeti Armando Prenga, tek shtetasi Gjok Cali. Këto mesazhe i janë drejtuar ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri. Mesazhi është dërguar në 4 shtator, vetëm pak minuta pasi është goditur me armë nga deputeti Armando Prenga. Lidhur me këtë çështje është duke hetuar Prokuroria e Përgjithshme, e cila tashmë është në pritje të disa ekspertizave të njollave të gjakut të gjendura përpara komisariatit të policisë në Laç dhe shenjave të gishtave të konstatuar në një thikë me dorezë të thyer.

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)