/ATSH-B.Jashari/.-Në Prishtinë sot në mesditë rikthehet protesta kundër miratimit të Gjykatës Speciale, e zhvilluar në 29 maj në orën kur ishte në axhendën e seancës plenare të Kuvendit të Kosovës.
Seanca u shty dhe nuk ka asnjë paralajmërim zyrtar kur do të vazhdojë, ndërkohë që seanca e nesërme mblidhet për çështje të tjera e qeveria takohet paraditen e sotme.
"Derisa zyrtarisht vazhdojnë paqartësitë rreth shkaqeve për vonesat në themelimin e Gjykatës Speciale", sipas shtypit të sotëm kosovar, "'kapja' për procedurat rreth procedimit të draftligjit janë vetëm pretekst, pasi problemi është tek sigurimi i votave në Kuvend" dhe ka "mungesa votash edhe nga radhët e deputetëve të pozitës".
Opozita është deklaruar për votë kundër dhe se përkrahë protestën e organizatatve të dala nga lufta e UÇK kundër themelimit të Gjykatës Speciale dhe ka ftuar për pjesëmarrje duke u shprehur se "ndryshimet kushtetuese që po i përgatiten Kosovës rrënojnë sovranitetin e vendit, të cilin askush nuk ka të drejtë ta negociojë dhe suprimojë, madje as Kuvendi".
"Shqyrtimi i propozim-amendamentit nr.24 në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, të propozuar nga qeveria e Republikës së Kosovës", ishte pika e vetme e rendit të ditës në seancën e 29 majit, por u shty (me 78 vota pro, 1 kundër dhe 2 abstenime) me propozimin e koalicionit qeverisës. "Në mungesë të materialeve nuk ofrohet mundësia për deputetët për të parë se çfarë do të votojnë dhe meqë draftligji pritet të kthehet nga Brukseli, ne propozojmë që të shtyhet mbledhja, derisa të kemi materialet e nevojshme për analizim për këtë çështje", u tha me atë rast nga pozita.
Ndërsa, opozita tha se kishte "vetëm dy alternativa të mundshme: Gjykata Speciale ose nuk duhet të vijë fare në Kuvendin e Republikës së Kosovës ose do të duhej të shtyhej deri në pafundësi".
Për miratimin e propozim-amendamentit duhen dy të tretat e votave të Kuvendit 120 anëtarësh, përfshirë ato të komuniteteve pakicë që përfaqësohen me 20 deputetë.
Në mbledhjen e caktimit të axhendës, Kryesia e Kuvendit kishte kërkuar nga qeveria e Kosovës që për seancën e 29 majit të procedojë në Kuvend edhe Projektligjin për mbrojtjen juridike dhe mbështetjen financiare të personave të akuzuar potencialë në proceset gjyqësore pranë Gjykatës Speciale.
Në 7 mars qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar Propozimin për amendamentimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Me atë rast u tha se me këtë amendamentim po përmbusheshin obligimet që ka marrë qeveria nga Kuvendi i Kosovës vitin e kaluar, për themelimin e Gjykatës Speciale.