TIRANE- Ish-drejtori i kabinetit të ish-ministrit të Punës Spiro Kresa, Kleves Bitro është shpallur për herë të dytë fajtor nga gjykata, pasi kishte vjedhur me anë të mashtrimit dhe falcifikimit 1676 euro, që ishin dieta për një udhëtim në Gjenevë. Ndaj zyrtarit që tashmë rezulton në kërkim policor, por që shfaqet mjaft aktiv në rrjetin social “Facebook”, është shtuar një dënim me dy vjet burg, veç atij të marrë në muajin korrik 2014 me 2.5 vite burg për abuzimet me tenderin e reklamave 200 milion USD dhe tenderin për festimet e “1 Majit”.

Ndërkohë që vendimi i dytë për Bitron është dhënë pak ditë më parë, duke e shpallur fajtor në mungesë pasi kishte vjedhur eurot, që ishin dieta dhe shpenzime në konferencën e 100 të ILO që zhvillohej në Gjenevë të Zvicrës. Sasia e parave që është vjedhur i përkiste shtetasit Sabri Skënderi, i cili nuk kishte shkuar në konferencën e Zvicrës, për shkak të një vdekje që i kishte ndodhur dhe anolloi vizitën. Mirëpo shifra prej 1676 ishte marrë nga Kleves Bitro, i cili sipas prokurorisë ka firmosur të gjitha faturat dhe mandatet financiare. Të njëjtën gjë ka bërë dhe shtetësja Flora Batusha, ish-zyrtare e lartë në ministrinë e Punës,e cila tashmë është marrë e pandehur në një çështje tjetër.