Pas protestave të vazhdueshme dhe një beteje të gjatë ligjore, banoret e tre fshatrave në Fan të Mirdites kanë fituar betejen e parë ligjore me kompanisë që po ndërtonte një hidrocentralin dhe fabrikën e ujit në këtë zonë.

Gjykata Administrative e Apelit në Tiranë ka pranuar padinë e 166 banoreve te fshatrave Thirrë, Sang dhe Hebe, duke vendosur bllokimin e punimeve derisa çështja të gjykohet në themel.  Për zbatimin e këtij vendimi zbarkoi në terren këtë të enjte Zyra Përmbarimore e Lezhës, e cila me mbështejen e policisë bëri bllokimin e punimeve.

Vendimi i gjykatës u përshendet nga banoret dhe përfaqësuesit ligjor të cilët thonë se hidrocentrali merr të vetmin burim ujor që përdorin për vaditjen e tokave.

Leja për ndërtimin e HEC-it dhe fabrikës së ujit ishte dhënë më 20 qershor 2018 nga Këshilli i Basenit Ujor Mat, Agjencia e menaxhimit të Burimeve Ujore dhe Agjencia e Mjedisit.  Shoqëria “Sang1 shpk” kishte kryer deri më tani 50 për qind të volumit të punimeve.