Gjykatat Administrative, diskutime
mes anëtarëve të KLD dhe Naços

Gjykatat Administrative, diskutime<br />mes anëtarëve të KLD dhe Naços
TIRANË - Pas verifikimit dhe betimit, Sokol Çomo është zyrtarisht anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Gjatë mbledhjes së KLD-së, u krijua një grup pune me tre anëtarë të këtij institucioni që kanë verfikuar mandatin e tij.

KLD-ja ka diskutuar për gjykatat Administrative, për ambientet e tyre dhe se si do të funksionojë ky instituciuon. Ministri i Drejtësisë, Nasip Naço ka bërë të ditur edhe faktin se ku do të jenë godinat e këtyre gjykatave, në Tiranë, Durrës, Shkodër, Vlorë, Gjirokastër dhe Korçë.

Sipas ministrit Naço, ende nuk janë plotësuar vendet vakante në gjykatat Administrative. Sipas tij, në Gjirokatër 3 vendet, në Vlorë, Korçë, Shkodër, nga dy vende bosh. Nëse KLD-ja nuk do të veprojë nuk do të gjejë zbatim as dekreti i presidentit për nisjen në datën 4 Nëntor të punës së Gjykatës Administrative.

Nisja e punës së Gjykata Administrative ka sjellë edhe diskutime gjatë mbledhjes së KLD-së, ku anëtarët e këtij institucioni i kanë drejtuar pyetje ministrit të Drejtësisë, Nasip Naço. Gjatë mbledhjes anëtari Gjin Gjoni ka diskutuar me ministrin e Drejtësisë, në lidhje me emërimet e reja në Gjykatat Administrative. Gjatë fjalës së tij, ministri Naço ka kërkuar plotësimin e vendeve vakante në këto gjykata që në datën 4 Nëntor nisin punën për herëtë parë

“Kërkova që të plotësohen vendet vakante të gjyqtarëve të Gjykatës Administrative dhe unë këtë kam kërkuar. Këshilli i Lartë i Drejtësisë nuk po bën punën e vet, pasi ka disa prioritete për gjykatën dhe prandaj kërkuam që të plotësohen vendet vakante, që në Durrës të mos ketë 3 gjyqtarë më shumë se në gjykatat e tjerë. Prandaj duhet të ketë prioritet plotësimi i vendeve vakante dhe KLD për këtë gjë është”, tha Naço. Sipas ministrit të Drejtësisë, në progres-raportin e KE-së, “KLD-ja  i kemi tejkaluar të gjitha koopetenca”.

Gjin Gjoni: Kush i emëron gjyqtarët? Këshilltarët çfarë statusi do të kenë?
Nasip Naço: Nuk dëshirojmë që të shtyhet data 4 nëntor 2013 për nisjen e punës së Gjyaktës Administrative dhe ky ka qenë një propozim edhe i ministrit të Drejtësisë, Eduart Halimi.
Ndërsa këshilltarët do të trajtohen siç e përcakton ligji.
 
Çfarë masash janë marrë nga ministria për bazën materiale?
Nasip Naço: Me këtë punë merret zyra e administrimit gjyqësor dhe në buxhetin e vitit 2014, Ministria e Drejtësisë do të marrë të gjitha masat për kryerjen e punës në mënyrën më të mirë.
 
Elvis Cefa: Është për tu vlerësuar puna e ministrisë së Drejtësisë. Funksionimi me të njëjtën godinë të gjykata, është e përkohshme apo do të jetë e përhershme?
Nasip Naço: Probleme në funksionim e saj ka, si të karakterit organizativ. Unë thashë që do parashikohet në buxhetin e vitit 2014. Nuk doja që të shtyhej data 4 nëntor pasi kjo gjykatë është mirëpritur nga të gjithë.
 
Elvis Cefa: A është parashikuar që edhe në Gjykatat Administrative të instalohet sistemi i regjistrimit audio.
Nasip Naço: Edhe në këtë drejtim ministria do të marrë gjitha masat për funksionimin normal të punës.
 
Elvis Cefa: A është përcaktuar se cili sistem elektronik do të përdoret?
Nasip Naço: Në objektivat e Ministrisë Drejtësisë është unifikimi i gjithë sistemit. Ajo që mund të them është që ministria ka hapur një portal antikorrupsion dhe ka dhjetëra ankesa në lidhje me shortin në Gjykatën e Tiranës.

NISHANI: NË 4 NËNTOR NIS PUNA NË GJYKATAT ADMINISTRATIVË
Presidenti Bujar Nishani, njëkohësisht edhe kryetari i KLD-së, ka deklaruar se në datën 4 Nëntor 2013 do të nisin nga puna Gjykatat Administrative. “Duke qenë që Gjykata Administrative është fondamentale dhe e rëndësishme për jetën e qytetarëve do desha që sot tu drejtohem qytetarëve: Në datën 4 nëntor nis funksionimi i Gjykatës Administrative”, tha Nishani. Sipas tij, në këtë proces qytetarëve shqiptarë u vihet në dispozicion ky shërbim kaq i pritur.

“Ky proces nuk ka qenë i lehtë, ka pasur pengesa të ndryshme, shpesh herë edhe politike. Por dua të falenderoj ata që kanë kontribuuar për këtë proces. E vlerësoj punën që është bërë nga ish-ministri i Drejtësisë, edhe nga ministri aktual për punën e organizimit për nisjen e Gjykatës Administrative. Edhe ato vakanca që janë në disa gjykata, nuk e pengojnë nisjen e punës së këtyre gjykatave, pasi ne kemi mungesa edhe në gjykatat e tjera”, tha gjatë fjalës së tij, kreu i KLD-së.

Sipas Nishanit edhe pse mungojnë disa gjyqtarë, kjo nuk është pengesë për të nisur punën në datën 4 Nëntor. “Nuk kemi asnjë gjykatë të re administrative pa një trupë gjyqësore dhe sot do të emërojmë edhe drejtuesit e këtyre gjykatave. Sfida e KLD-së është të vazhdojë edhe me trajnimin e këtyre gjyqtarëve. Kemi bërë për herë të parë, emërimin e gjyqtarëve në këto gjykata vetëm në bazën e meritës. Dhe me këtë proces që kemi bërë në këtë gjykatë, duhet të dimë që emërimet bëhen vetëm në bazë të meritave”, tha gjatë fjalës së tij, presidenti Bujar Nishani.

“Sistemi ynë gjyqësor, sidomos ai i drejtësisë ka nevojë për reformë të nevojshme. Gjykata Administrative do të jetë një institucion që do të zgjidhë në mënyrë administrative çështjet mes personave fizikë dhe juridikë”, përfundoi në fjalën e tij, kreu i KLD-së, Bujar Nishani.

MBLIDHET SOT KLD
Këshilli i Lartë i Drejtësisë zhvillon sot në orën 11:00 në mbledhjen e radhës. Në mbledhje pritet të jetë edhe presidenti Bujar Nishani. Mësohet se në këtë mbledhje do të diskutohen për krerët e gjykatave Administrative.

Gjithashtu në këtë mbledhje të sotme do të bëhet edhe prezantimi dhe betimi i anëtarit të ri të KLD-së, Sokol Çomo.

Në mbledhjen e kaluar, pati një debat mes kreut të KLD-së, presidentit Bujar Nishani dhe ministrit të Drejtësisë, Nasip Naço, për inspektimin e punëve të gjyqtarëve në të gjithë Shqipërinë.
 
Redaksia online
(ac/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Censi 2023, popullsia u tkurr me 419 mijë në 12 vite, cili është shkaku?



×

Lajmi i fundit

Euro 2024/ Kërkohet bileta e dytë e çerekfinaleve, titullarët e Gjermani - Danimarkë

Euro 2024/ Kërkohet bileta e dytë e çerekfinaleve, titullarët e Gjermani - Danimarkë