BEOGRAD, 3 Dhjetor/ATSH/.- Gjykimi i Oliver Ivanoviçit dhe i katër serbëve të tjerë të akuzuar se kanë kryer krime të rënda në Kosovë gjatë viteve 1999-2000, do të fillojë javën e fundit të janarit të ardhshëm", njoftoi agjencia serbe Tanjug, duke cituar avokatin mbrojtës, Nebojsha Vlajiç.
Ai tha se gjykatësi ndërkombëtar i EULEX-it ka vendosur që seanca e parë, në të cilën do të paraqiten fjalët hyrëse, të mbahet më 18 dhjetor, ndërsa gjykimi në të cilin do të dëgjohen dëshmitarët të fillojë në javën e fundit të janarit 2015.
Ivanoviç akuzohet se në Kosovë ka kryer veprën penale të krimit të luftës mbi popullatën civile më 1999, krim ky për të cilin parashihet dënimi prej 5 vjet deri në burgim të përjetshëm.
Katër serbët e tjerë - ish-drejtuesi i stacionit policor në Mitrovicë Dragolub Delibashiç, babë e bir Ilija dhe Nebojsha Vujaçiç dhe Nebojsha Lazoviç - gjithashtu mund të dënohen me dënime shumëvjeçare me burg nëse provohet fajësia e tyre për vrasjen dhe plagosjen e shqiptarëve në periudhën në fjalë./Kosovapress/k.s/