Nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosja në Kosovë, Glauk Konjufca, deklaroi të martën se ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në Hagë do të shpallen të pafajshëm. Sipas tij, UÇK-ja ka qenë një ushtri çlirimtare dhe se populli i Kosovës ka paguar çmim të lartë gjatë luftës.
“Gjithë ato personalitete që ishin në krye të luftës nuk kane qenë aty për krime, nuk kanë bërë krime. Kanë qenë në krye të një ushtrie e cila është çlirimtare, e cila ka dhënë dëshmorët e saj. Kushdo që dëshiron me ndryshu këtë të vërtetë, kushdo që mundohet me goditë atë, unë mendoj që do të humbë. Dhe shpresoj e uroj që të gjithë ata që po gjykohen në Hagë do të dalin të pafajshëm. . Do të jem aty në ditën përfundimtare, kam aplikuar për me qenë aty dhe do ta përfaqësoj shtetin e Kosovës në atë proces. Unë pres që ky proces, këto akuza me dështu. Janë të paqëndrueshme, janë shpifje, janë gënjeshtra të cilat e ofendojnë në palcë luftën tonë çlirimtare. Dhe pikërisht sepse do të dështojnë, unë mendoj që pjesëtarët e Shtabit të Përgjithshëm, zoti Thaçi, zoti Krasniqi, zoti Veseli, zoti Rexhep Selimi, do të dalin të pafajshëm”, tha ai.
Ai shtoi se, pavarësisht përplasjeve politike ndër vite mes partive në Kosovë, nuk ka pasur kurrë ndarje rreth luftës dhe UÇK-së.
“Për UÇK-në jemi bashkë. Unë mendoj që askush nuk mundet me na nda e me na përça për luftën tonë çlirimtare” u shpreh ai.
Lajmi kryesor:
Gjyqi në Hagë/ Prokurori: Thaçi maskoi të vërtetën, Rubin-Clark u gënjyen! Veseli zgjidhte torturuesit












