TIRANE- Disa javë pas ndalimit të 2 personave me ikona dhe piktura, prokuroria kryeqytetase ka zbuluar sesi njëri prej tyre e ka shitur një ikonë për 10 mijë euro, ndërsa I janë dokumentuar 8 raste. Ndërkaq, dyshohet edhe se e shoqja e Thimos, kishte gisht, në fshirjen e gjurmëve. Në vendimin e gjykatës tregohet se dy personat Arben Spaho dhe Gjergji Thimo, bënin biznes me ikonat e vjedhura në kasha të ndryshme.

Në dëshminë e dhënë para oficerëve në datën 8 tetor 2013 Arben Spaho, ka rëfyer se sendet e sekuestrura në banesë ishin të tijat dhe se prej 23 vitesh ai punonte si restaurator i mobiljeve të vjetra, megjithëse nuk ishte i licensuar për ushtrimin e këtij aktiviteti.
Zbulimi i shitjes së 8 ikonave, kundrejt vlerës totale prej rreth 50 mijë euro, ka bërë që korçarit Gjergji Thimo, t’i provohet kësisoj vepra penale e trafikimit të objekteve të kultit apo artit si dhe dalja në dritë e bashkëpunimit nga e shoqja, pritet të zbulojë sesi mjeshtëria e piktores bënte që tu hiqeshin shënimet origjinale.

8 mijë euro një ikonë
Burime pranë prokurorisë së Tiranës thanë se Gjergji Thimos, i provohet shitja e 8 ikonave të vjetra te një shtetas po shqiptar, por me banim në Zvicër. Nga kontrolli i banesës, atij i janë sekuestruar disa kontrata të blerjes së ikonave nga shtetasi shqiptar, emri i së cilit nuk bëhet i ditur. Ndërkaq, mësohet se shqiptari me banim në Zvicër e ka blerë një ikonë për 10 mijë euro. Sipas prokurorisë, Thimo ka shitur disa prej ikonave të vjetra edhe pse e dinte që ishin të vjedhura. Prokuroria saktësoi se Thimo mbante në një prej depove të loalit të tij, ikonat e vjetra e të vjedhura, ndërsa të gjitha bisedat e shitjeve, i ka bërë pikërisht në këtë lokal.

Gruaja në lojë
Sipas kallëzimit, që po vertifikohet, bashkëshortja e Thimos, e cila  ka mbaruar për picture, dyshohet se ndërhynte në origjinalitetin e ikonave, duke u ndryshuar autorësinë atyre që ishin vjedhur si dhe duke u fshirë të dhënat që identifikojnë autorin e ikonës. Prokuroria, sqaroi se në tre raste janë dorëzuar në Qendrën e Invetarizimit të trashëgimisë kulturore, 3 certifikata të falsifikuara dhe të plotësuara nga një profesor, i cili ndodhet në gjendje kome, prej tre vitesh. Mendohet se me anën e disa shkresave, ai i vlerësonte ikonat, duke i dorëzuar dokumente Thimos. Edhe rasti i gjetjes së ikonave në Shkodër, sipas hetimeve, ka rezultuar se janë shitur nga Thimo te koleksionisti në fjalë.

“Tradhëtia” nga shoku
Gjergji Thimo, është tradhtuar nga bashkëpuntori i tij më i ngushtë në biznesin e tregtimit të sendeve me vlerë. Arben Spaho, ka treguar në prokurori të gjithë skemën e këtij biznesi, duke filluar që nga vjedhja e deri tek tregtimi i tyre në Krujë dhe Shkodër. Personi që ka tradhtuar koleksionistin Gjergji Thimo është vetë i arrestuari Arben Spaho,i cili ishte klient i rregullt i Thimos. Spaho i blinte ikonat te Gjergji Thimo dhe pasi i restauronte i shiste ato në tregun e vjetër të Krujës dhe atë të Shkodrës, prej nga më pas bliheshin nga turistë të ndryshëm. Kjo ka qënë një skemë e vjetër bashkëpunimi mes Spahos dhe Thimos, pasi ky i fundit dyshohet se blinte pikturat tek grabitësit e kishave në Korçë, Berat dhe në zonën e Maqedonisë. Spaho, ka rrëfyer se i kishte dhënë shtetasit Thimo një shumë prej 20 milion lekë, me qëllim blerjen e disa ikonave.

Shkrimi u publikua sot (12.11.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online

(d.d/shqiptarja.com­)