Gjykata e krimeve të rënda në kryeqytet ka vendosur të shtyjë sërish gjyqin ndaj Dritan Dajtit, të pandehurit të drejtësisë për vrasjen e policëve gjatë një aksioni policor për arrestimin e tij në Durrës.

Vetë Dajti ka qëndruar në sallë për pak minuta dhe duke shfrytëzuar hapsirën ligjore për largimin e vullnetshëm të të pandehurit nga salla e gjyqit ka lënë sallën duke e bërë të pamundur zhvillimin normal të procesit.

Në mungesë të avokatit të caktuar kryesisht Sokol Mëngjezi, trupi gjykues në drejtimin e Idriz Mikurtit ka vendosur të caktojë datën 26 prill për seancën e radhës dhe caktimin e dy avokatëve të rinjë Altin Merkaj dhe Bashkim Malaj.

Po sot pritet që pasdite dhoma kombëtare e avokatisë të mblidhet për të diskutuar mbi problemet e saj e në vecanti në lidhje me raportet e krijuara të avokatëve me gjykatën e krimeve të rënda ku jo pak herë janë shkëmbyer dhe akuza të ndërsjellta për bllokimin e procesit “Dajti”.