Kryetari i OVL-UÇK, Hysni Gucati, ka reaguar ashpër pas fjalës përfundimtare të kryeprokurores Kimberly West në procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë.

Gucati e ka cilësuar skandaloze kërkesën për dënim prej 45 vjetësh burg për secilin nga të akuzuarit, që në total arrin në 180 vite burgim. Sipas tij, një kërkesë e tillë i shërben vetëm Serbisë dhe atyre që kanë qenë kundër Kosovës dhe luftës çlirimtare.

“Kjo kërkesë ka kënaqur politikën serbe dhe shtetin e Serbisë. Serbia sot është e kënaqur me prokurorët që kanë punuar kundër shtetit të Kosovës dhe kundër vet UÇK-së,” deklaroi Gucati.

Ai kritikoi edhe mënyrën se si Prokuroria ka trajtuar deklarata dhe veprime të pjesëtarëve të UÇK-së, duke thënë se ato po interpretohen padrejtësisht si krime lufte. Gucati u shpreh se këto qëndrime janë të papranueshme dhe se qytetarët nuk do t’u besojnë.

Në reagimin e tij, Gucati hodhi poshtë edhe deklaratat e West se gjenerali Wesley Clark dhe diplomatët amerikanë nuk kishin njohuri apo bashkëpunim me UÇK-në.

“S’është e vërtetë. NATO ka bashkëpunuar me UÇK-në, edhe vet Clark. Ka pasur bashkëpunim për çlirimin e Kosovës dhe kundër forcave serbe. Të thuash se UÇK nuk ka pasur mbështetje ndërkombëtare është gënjeshtër,” tha ai.


Lajmi kryesor:

Gjyqi në Hagë në ‘kilometrin’ e fundit! Prokuroria kërkon 180 vjet burg për 4 ish-krerët e UÇK-së, nga 45 vite për secilin