
Lluka Mishetiq
Avokati i Hashim Thaçit, Luka Mishetic, kërkoi sot që ish-presidenti të shpallet i pafajshëm për të gjitha akuzat që rëndojnë ndaj tij në Gjykatën Speciale. Në fjalën e tij, ai tha se Zyra e Prokurorit Special nuk ka paraqitur asnjë provë që tregon se Thaçi ka pasur kontribut të konsiderueshëm në krimet e pretenduara.
“Ju lutem shpallni të pafajshëm Thaçin në të gjitha akuzat”, deklaroi Mishetiç para trupit gjykues.
Sipas tij, standardi i Gjykatës kërkon prova për një rol konkret dhe të rëndësishëm në krimet e përfshira në aktakuzë, por një gjë e tillë, tha ai, nuk është dëshmuar nga Prokuroria. Ai shtoi se nuk ka asnjë provë që Thaçi ka qenë i përfshirë në hartimin apo shpërndarjen e komunikatave të UÇK-së.
Mishetiç theksoi se dëshmitarë ndërkombëtarë dhe pjesëtarë të UÇK-së nuk e kanë lidhur Thaçin me krime lufte apo me ndonjë politikë që shënjestronte kundërshtarët.
Ai akuzoi Prokurorinë se ka ndryshuar pretendimet për disa takime të vitit 1998, duke përmendur data të tjera që, sipas tij, nuk ishin pjesë e dosjes përfundimtare. Sipas avokatit, këto ndryshime tregojnë mungesë provash dhe paqartësi në qëndrimin e ZPS-së.












