Kryetari i Bashkisë së Tiranës, ankimoi në Apel, vendimin e Gjykatës Administrative, e cila refuzoi të shqyrtojë padinë për pavlefshmërinë e dekretit të emërimit të prokurorit Ols Dado, sot hetuesi i posaçëm që ka në dorë çështjen penale ndaj Erjon Veliajt.

“Gjykata e mbylli çështjen për mungesë legjitimimi, pa shqyrtuar në themel faktin se, në momentin e emërimit në vitin 2008, Ols Dado nuk kishte përfunduar Shkollën e Magjistraturës. Përballë pretendimit se pushteti penal i shtetit mund të jetë ushtruar për vite mbi bazën e një akti juridikisht të pavlefshëm, Gjykata zgjodhi të mos e verifikojë fare këtë pretendim”, thuhet në reagimin e Veliajt.

Veliaj thotë se ndodhet në paraburgim prej 18 muajsh pa vendim gjykate fajësie dhe po gjykohet për dyshimet e ngritura ndaj tij, duke ngritur paralelisht pyetjen, se përse prokurori që ka ushtruar këtë pushtet penal duhet të mbetet jashtë kontrollit të një gjykate për të zbuluar nëse e ka fituar ligjërisht statusin dhe kompetencën për të vepruar si prokuror.

Kryebashkiaku thekson se kjo çështje shkon përtej interesit individual, por lidhet me shtetin e së drejtës dhe faktin që prokurorët dhe gjyqtarët “nuk duhet të përjashtohen nga kontrolli gjyqësor i ligjshmërisë së titullit mbi të cilin ushtrojnë pushtetin e tyre.”

“Barazia para ligjit nuk mund të funksionojë vetëm për të akuzuarin. Edhe pushteti që heton dhe akuzon duhet të provojë se buron nga ligji”, theksohet në reagim.

Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Tiranë vendosi më 24 korrik të mos pranojë shqyrtimin e padisë së kryetarit të Bashkisë së Tiranës, i cili kërkoi zhbërjen e dekretit të Presidentit për emërimin prokuror të Ols Dados.

-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë
.