Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Administrative për çështjen e ngritur për emërimin e prokurorit Ols Dado. Sipas Veliajt, nuk ishte rrëzim i padisë, por moslejim i shqyrtimit të saj.

Ai thotë se gjykata refuzoi të shqyrtonte nëse Ols Dado është emëruar në përputhje me ligjin. Kryetari i Tiranës shperhet se gjykata nuk hyri në themelin e pretendimeve dhe mohoi aksesin efektiv.

Për të, vendimi është absurd duke ngritur pyetjen se kush mund të legjitimohet si palë në proces veç tij, i cili është përgjuar dhe arrestuar nga prokurori Dado. Veliaj shprehet se vendimi vë në diskutim aftësinë e gjyqtarëve dhe prokurorëve për të ushtruar kontroll mbi veten.

Siç edhe avokati i tij u shpreh në fjalën për mediat, çështja do të vazhdojë. Veliaj thotë se “është më e madhe se ne” ndaj do të vijojë betejën me të gjitha mjetet ligjore.

Deklarata:

Të nderuar përfaqësues të medias,

Sot u provua ajo që ne kishim paralajmëruar më parë: gjykata refuzoi t'i nënshtrojë shqyrtimit gjyqësor pyetjen që tashmë është në qendër të debatit publik, nëse Olsi Dado është emëruar në përputhje me Kushtetutën dhe ligjin për të ushtruar funksionin e prokurorit të Republikës.

Padia jonë nuk u rrëzua. Ajo nuk u lejua të shqyrtohej.

Gjykata nuk hyri në themelin e pretendimeve tona. Ajo na mohoi aksesin efektiv në gjykatë, me argumentin se Erion Veliaj dhe Bashkia Tiranë nuk kanë interes të ligjshëm të kërkojnë kontrollin e ligjshmërisë së emërimit të një funksionari shtetëror, i cili ka ndërhyrë drejtpërdrejt mbi të drejtat e tyre kushtetuese.

Po nëse nuk ka interes të ligjshëm personi ndaj të cilit janë ushtruar përgjime, kontrolle, sekuestrime, masa sigurimi dhe kufizime të lirisë personale, atëherë kush e ka? Nëse nuk legjitimohet qytetari që pretendon se këto masa janë marrë nga një person pa atributet ligjore për t'i ushtruar ato, atëherë praktikisht nuk legjitimohet askush.

Logjika e këtij vendimi çon në pasoja absurde. Asnjë qytetar që ndalohet, kontrollohet, gjobitet, i hiqet prona apo arrestohet nga një person që paraqitet si funksionar shtetëror nuk mund t'i kërkojë gjykatës të verifikojë nëse ai kishte realisht atributet ligjore për ta ushtruar atë funksion.

Ky është, në thelb, mesazhi juridik i vendimit të sotëm. Sigurisht që ne e prisnim dhe e kishim paralajmëruar këtë rezultat.

Jemi të bindur se shmangia e shqyrtimit në themel ishte e vetmja mënyrë për të mos u përballur me pyetjen qendrore të këtij procesi: a është emëruar Olsi Dado në përputhje me Kushtetutën dhe ligjin për të ushtruar funksionin e prokurorit të Republikës? Kjo është pyetja që gjykata refuzoi të dëgjojë dhe t'i përgjigjet.

Ne sapo kemi përfunduar hapin e parë të kësaj beteje. Ajo që nisi si një çështje për ligjshmërinë e ushtrimit të funksionit të një prokurori, sot ka marrë përmasa shumë më të mëdha. Sot nuk është më në diskutim vetëm statusi i një funksionari publik. Në diskutim është aftësia e vetë gjyqtarëve dhe prokurorëve për të pranuar kontroll edhe mbi veten. Nuk mund të kërkosh besimin e qytetarëve, nëse nuk pranon të njëjtat standarde kontrolli që ua imponon atyre edhe mbi veten.

Nuk mund të kërkosh respekt vetëm sepse mban mbi shpatulla një togë të zezë me xhufkë të kuqe. Autoriteti i drejtësisë buron nga legaliteti, por ruhet nga legjitimiteti moral dhe institucional që fitohet duke zbatuar të njëjtat standarde për të gjithë, pa përjashtim.

Ne do ta vazhdojmë këtë betejë me të gjitha mjetet ligjore. Sepse kjo nuk është më vetëm çështja e një prokurori. Është çështja që do të tregojë se çfarë drejtësie ka zgjedhur të ndërtojë Republika e Shqipërisë: një drejtësi që pranon të kontrollojë edhe veten, apo një drejtësi që pretendon të jetë mbi çdo kontroll kushtetues.

Për ne, përgjigjja ndaj kësaj pyetjeje është shumë më e rëndësishme se çdo proces individual.

Lajm në përditësim...