Hagë vijon gjyqi për ish-krerët e UÇK-së. Ish i dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara në Kosovë gjatë periudhës së luftës, Christopher Hill, në ditën e tretë të dëshmisë u pyet për procesin e Rambujesë.

Ai tha se gjatë bisedimeve ai ishte optimist se Rambujeja do të funksiononte, teksa nënvizoi se morën sinjale nga shtabi i përgjithshëm i UÇK-së se e përkrahnin marrëveshjen, por tregoi se kishin shqetësime se çfarë do të ndodhte në Serbi, pasi nuk e nënshkroi marrëveshjen.

“Shqiptarët u kthyen në Kosovë për të gjetur paqe, pas Rambujesë serbët u kthyen në Serbi për t’u përgatitur për luftë”, tha ai.

Kur u pyet se kush e nënshkroi marrëveshjen, Hill tha se nuk i kujtohej.

“Ajo çfarë më kujtohet është se i gjithë delegacioni i Kosovës ishte dakord për marrëveshjen dhe ishin pozitivë për nënshkrimin në Paris. Isha shumë i kënaqur, që ata s’kishin pasur qasje të njëjtë, në atë moment ishin në një mendje, ishin bashkë”, tha ai.

Hill u pyet nëse Italia kishte ngurruar për marrëveshjen, pasi Serbia nuk e kishte nënshkruar. Hill tha se marrëveshja ishte mesazh për serbët se “kjo do të ndodhë dhe është mirë që të bëheni pjesë e procesit”.

Sipas tij, ky proces hodhi poshtë idenë e Sllobodan Millosheviçit që "shqiptarët nuk pajtohen për asgjë".

“Ky ishte një mesazh i kundërt me atë se çfarë po thoshte Millosheviçi. Ne, po i thoshim Milloshevçit që ai e kishe gabim se e arritëm marrëveshjen, por t'i do të bësh mirë që të mendosh se cila do të jetë lëvizja e radhës e Serbisë”, u shpreh Hill.

Christopher Hill u pyet gjithashtu pse Sllobodan Millosheviç, përmendi me emër Hashim Thaçit gjatë takimit të tyre.

“Millosheviçi mendonte se ne po largoheshim nga [Ibrahim] Rugova dhe mendonte se ishte gabim i rëndë sepse mendonte se atij i duhej të merrej me UÇK-në, që kishte qëndrim të ashpër. Rugova asnjëherë nuk kërkoi më pak se pavarësia, por pranoi se nuk ishte i interesuar për luftën e armatosur”, tha Hill.

Sipas Hillit, Millosheviç ishte i shqetësuar se “ne do ta mënjanonim Rugovën dhe të zgjidhnim UÇK-në si partneren tonë. Pse shqetësohej për këtë, nuk jam i sigurt”.

Ai tha se ndjesi të tillë kishin edhe të tjerët dhe kishte edhe brenda SHBA-së që mendonin se duhej komunikuar më shumë me UÇK-në.

Hill shtoi gjithashtu se nuk e dinte se kush i lëshonte komunikatat e UÇK-së, ku përmendeshin edhe emra të udhëheqësve, andaj theksoi se nuk e dinte nëse kjo organizatë kishte një strukturë.

“Nuk mund t’i përdornim komunikatat për të përcaktuar një strukturë bazë hierarkike”, tha ai.

Kur u pyet për drejtorinë politike të UÇK-së, Hill tha se kishte mësuar që Thaçi ishte pjesë e këtij organi, por nuk e dinte se kush tjetër ishte pjesë e saj.

“Kishte shumë persona, që nuk ishin në Qeveri, apo në agjenci të tjera amerikane që përpiqeshin të mësonin se kush e udhëhiqte UÇK. Kur dilnin emra të rinj, ne interesoheshim. Një prej këtyre emrave ishte drejtori publik. Por, ne duhej ta komunikonim këtë person”, tha ai.

Hashim Thaçi ishte udhëheqës politik i UÇK-së para dhe gjatë luftës së viteve 1998–1999, Kadri Veseli udhëheqës i shërbimit të inteligjencës, Jakup Krasniqi zëdhënës, ndërsa Rexhep Selimi anëtar i shtabit të përgjithshëm.

Aktakuza kundër tyre përfshin akuza për burgosje të paligjshme, torturë, vrasje, krime kundër njerëzimit, zhdukje me forcë dhe persekutim të qindra civilëve dhe personave që nuk morën pjesë në luftime.

Këto krime dyshohet se ndodhën midis marsit 1998 dhe shtatorit 1999 në vende të ndryshme në Kosovë, por edhe në veri të Shqipërisë.

Sipas Dhomave të Specializuara, Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi mbajnë përgjegjësi penale personale për këto krime, por të gjithë ata e mohojnë fajësinë.

Avokatët mbrojtës kanë deklaruar se UÇK-ja nuk do të kishte fituar mbështetjen e bashkësisë ndërkombëtare nëse do të kishte ekzistuar një plan kriminal, siç pretendojnë prokurorët. Sipas tyre, aktakuza bazohet në një keqinterpretim selektiv të ngjarjeve.