Njësoj si në Tiranë, në Prishtinë, Hagë e Strasburg, veteranët dhe mbështetësit e ish-krerëve të UÇK-së që akuzohen për krime lufte dhe ato ndaj njerëzimit, kërkuan në një protestë masive në Shkup lirimin dhe drejtësinë për Hashim Thaçin, Jakup Krasniqin, Kadri Veselin dhe Rexhep Selimin.

Protesta e cila zgjati një orë mblodhi në sheshin “Skenderbeu” mijëra mbështetës nga rajoni, përfshirë edhe përfaqësues politikë, mes tyre  Ali Ahmeti nga BDI, Vlora Çitaku, Ganimete Musliu nga PDK, Daut Haradinaj nga AAK e Fatmir Limaj i Nismës.

"Çlirimtarët duhet të nderohen, jo të gjykohen”, shkruhej në pankartën e vendosur në shesh.

Për proces politik foli edhe kreu i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK. Gjyqin në Hagë ndaj Thaçit e ish-krerëve të tjerë të UÇK, ai e krahasoi me ato të gjykatave të regjimit jugosllav.

"Sot jemi mbledhur t'u tregojmë ambasadave të huaja që gjenden në Maqedoni se UÇK-ja nuk ka qenë ushtri kriminale. UÇK-ja ka qenë ushtri çlirimtare që mbrojti vendin e vet. Kjo gjykatë e formuar nga një njeri i çmendur që më 2011 ngriti një rezolutë në Parlamentin e Evropës se gjoja UÇK-ja ka bërë krime. Jo drejtësi politike. Kjo gjykatë i ngjan ish-gjykatave jugosllave. Kjo gjykatë sot merret me fakte të fabrikuara, dhe vepra të pabëra”, tha Hysni Guçati.

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim në RMV Ali Ahmeti njëkohësisht një nga ish-komandantët e UÇK, iu përgjigj qeverisë aktuale të Mickoskit në Shkup, e cila kishte ngritur një shtab krize në rast së përshkallëzimi. Ahmeti tha se protestat në mbrojtje të ish krerëve të UÇK nuk janë politike. Ai tha se akuzat e ngritura nga Haga janë akuza si të Beogradit dhe Moskës, ndërsa shtoi më tej se protesta nuk është kundër Maqedonisë së Veriut.

“Na dridhej lëkura kur dëgjonim që akuzat që ne na i kishte bërë Beogradi dhe Moska i bënte edhe gjykata. Kjo demonstratë nuk është kundër Maqedonisë. Këta që ndodhen sot në gjykatë kanë qenë drejtues që kanë kontribuuar edhe në stabilitetin rajon dhe në Maqedoni. Duhet tu jepet mirënjohje nga gjykata e jo të dënohen për vepra të pabëra”, tha Ahmeti.

5 protestave të mëdha në kryeqytetet e banuara nga shqiptarët u përmbyllën me atë të Shkupit që u finalizua pa tensione dhe incidente. Më 7 gusht të këtij viti u mbajt protesta e parë në Prishtinë, pastaj në Hagë, në Tiranë dhe së fundmi edhe në Strasbourg.

Ish-krerëve të UÇK-së iu është zgjatur disa herë periudha e paraburgimit në Hagë, ndërsa procesi ka hyrë në fazën dhe pritet që me fillimin e 2026 akuza të dorëzojnë zyrtarisht dosjen përmbyllëse për ti hapur rrugë dhënies së vendimit. Ata ndodhen në paraburgim në Hagë që nga viti 2020.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, si anëtarë të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, akuzohen nga Specialja për krime lufte e krime kundër njerëzimit.  Thaçi ishte udhëheqës politik i UÇK-së para dhe gjatë luftës së viteve 1998–1999, Veseli udhëheqës i shërbimit të inteligjencës, Krasniqi zëdhënës, ndërsa Selimi anëtar i shtabit të përgjithshëm.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 14:21
Protesta për ish-krerët e UÇK, Ahmeti nga Shkupi: Mirënjohje Clark e Rubin që dëshmuan pro Thaçit

Mijëra protestues u mblodhën këtë të shtunë në sheshin “Skënderbeu” në Shkup në kërkim të drejtësisë për ish-krerët e UÇK-së që po gjykohen në Hagë.

Protestës iu bashkua edhe kreu i BDI Ali Ahmeti. Gjatë fjalës së tij Ahmeti tha se lufta e UÇK ishte një luftë e drejtë. Ndërsa shprehu mirënjohje për mbështetjen e SHBA, Europës e NATO-s.

“Jemi mbledhur sot këtu, afër Hasan Prishtinës, Pjetër Bogdanit, Nexhat Agollit, për të treguar se Hasan Prishtina u vra pikërisht për liri të kombit të vet. Pjetër Bogdani i dha dije e filozofi Europës. Nexhat Agolli, regjimi e pushkatoi si ministër vetëm se kërkoi liri drejtësi e barazi për popullin e tij. Tani sot ne nuk themi që Europa na kishte borxh, por themi Europë, Amerikë NATO faleminderit që filozofinë e veprimtarinë e njerëzve më të mëdhnej të kombit tonë na i shpërblyet në përkrahje të UÇK dhe ndërprerje të gjenocidi të mëtej të shqiptarëve të Kosovës.

I jemi mirënjohës James Rubin, e Clark. Nga ky shesh i drejtohemi edhe Europës. Unë i takoj asaj Lëvizje që kërkonte liri e drejtësi për shqiptarët. Shpërblimi ishte vrasje, tortura e gjakosje, njollosje të lëvizjes së rinisë studentore të shqiptarëve nga regjimi i Beogradit”, tha ai.

Ora 14:01
‘Thirrje për drejtësi për ish-krerët e UÇK-së, Gucati nga Shkupi: Gjykata Speciale si ato të ish-Jugosllavisë

Kryetari i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati, ka bërë thirrje për drejtësi për ish-luftëtarët e UÇK-së që gjykohen në Hagë. Ndër të tjera ai tha se Ushtria Çlirimtare e Kosovës  nuk ka qenë ushtri kriminale, por çlirimtare.

“Sot jemi mbledhur t'u tregojmë ambasadave të huaja që gjenden në Maqedoni se UÇK-ja nuk ka qenë ushtri kriminale. UÇK-ja ka qenë ushtri çlirimtare që mbrojti vendin e vet. Kjo gjykatë e formuar nga një njeri i çmendur që më 2011 ngriti një rezolutë në Parlamentin e Evropës se gjoja UÇK-ja ka bërë krime. I tregojmë Trendafiloves se UÇK-ja buron, lind dhe vepron nga populli. Kërkojmë drejtësi, jo drejtësi politike. Ajo gjykatë u ngjan gjykatave të ish-Jugosllavisë. Kjo gjykatë sot merret me fakte të fabrikuara që fare nuk qëndrojnë”.

Ora 12:16
Protesta në Shkup, Gucati për Report Tv: Veteranët po e kalojnë kufirin pa asnjë problem! Mickoski nuk e di pse frikësohet, pasi çdo tubim ka qenë i qetë

Teksa vetëm një orë na ndan nga protesta që do të mbahet në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së në Shkup, kreu i OVL Hysni Gucati tha për Report Tv se deri tani nuk kanë hasur asnjë problem në lidhje me këtë tubim.

“Kjo është protesta e fundit për këtë vit. Do të ketë një numër të madh të shqiptarëve. Deri tani çdo gjë është në rregull, nuk kemi probleme. Kemi marrë leje dhe jemi pajisur me dokumentat e nevojshme”, tha Gucati.

Në lidhje me faktin që kryeministri maqedonas, Hristijan Mickoski, nuk i ka dhënë mbështetje protestës dhe ka ngritur një grup pune për shmangien e ndonjë incidenti, Gucati shtoi se nuk duhet të frikësohet pasi çdo protestë e zhvilluar ka qenë paqësore. Më tej ai u shpreh se veteranët po e kalojnë kufirin pa asnjë problem.

“Mickoski nuk e di pse frikësohet, pasi çdo protestë ka qenë e qetë. Jemi në kontakt me veteranët që do të na bashkohen nga Kosova dhe nuk kemi probleme, pasi në dogana ka edhe policë shqiptarë”, nënvizoi ai teksa shtoi se shpreson që të fitojë e drejta.

Në fund të intervistës Gucati  tha gjithashtu se në Maqedoninë e Veriut ‘kanë gjetur zemrën e madhe të shqiptarëve’.

Ora 12:00
Shkupi në pritje të protestës drejtësi për ish-krerët UÇK-së, përgatitjet e fundit në sheshin ‘Skënderbeu’ (VIDEO)

Në sheshin “Skënderbeu” në Shkup po bëhen përgatitjet e fundit për protestën gjithëkombëtare në mbrojtje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e organizuar nga kategoritë e dala nga lufta.

Kjo është protesta e radhës, ku sërish pritet të mblidhen shqiptarë nga të gjitha trevat me thirrjet për drejtësi. Me mijëra shqiptarë kanë marrë pjesë edhe në protestën e mbajtur në Tiranë, në kryeqytetin shqiptar, ku u bë thirrje për drejtësi të ish-krerë e të UÇK-së.

Xh.K/E.H/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës: 11 Dhjetor, 07:30

    Çfarë vlerësimi keni për drejtimin e SPAK nga Altin Dumani?