Në Gjykatën e Posaçme po mbahet seanca gjyqësore për kryebashkiakun e Vaut të Dejës Kristian Shkrelit, në akuzë për korrupsion zgjedhor. Këtë të enjte Gjykata e Posaçme ka dëgjuar edhe dëshmitarët e thirrur nga SPAK.

Gjatë kësaj seance dëshmitari Alfred Martini tha se bashkë me disa banorë të tjerë i ishin drejtuar Shkrelit për mungesën e energjisë elektrike. Sipas tij, brenda një jave u rikthyen dritat. Më tej ai nënvizion se nuk kanë marrë ndonjë oreientim nga Shkreli për partinë që do të votonin në zgjedhjet e 11 majit.

“Jemi ankuar te Kristian Shkreli. Kemi qenë 5 vetë, jemi ankuar vjet. Jemi takuar te lokali i tij, e kam marrë në telefon Kristjanin. Kemi qenë shumë keq për energjinë elektrike. Kam qenë me xhaxhin Kol Martini, Dodë Martini, Kol Kolecin krushqia e xhaxhait. Ne diskutuam për dritat, na premtoi edhe për rrugët. Veç të mira kemi pritur prej kryetarit të Bashkisë. E takuam vetëm për dritat. Ne nuk njohim as kryeplak, as ndonjë njeri tjetër dhe iu drejtuam kryetarit të Bashkisë. Dritat na i solli pas një jave dhe jemi të kënaqur me energjinë. Nuk kemi diskutuar më në telefon për këtë problem. Linja energjike ishte e fshatit Stajkë. Nuk morëm orientim nga Kristian Shkreli për subjektin që do të votoja”, tha Martini para trupit gjykues.

Më tej Prokurori Dritan Prençi lexoi një përgjim të datës 13 prill 2025, mes dëshmitarit dhe Shkrelit.

I pyetur për këtë komunikim, dëshmitari tha se “Ky ishte momenti kur ne donim të takimin Shkrelin për energjinë elektrike”.

Prokurori vijon të lexojë më pas bisedat e bëra më 18 prill po të 2025-ës, ku Shkreli i thotë dëshmitarit: “Dritat i ke të kryme” dhe më pas shton “veç për Tomën”.

Martini iu përgjigj: “Mos e çaj kryt”.

Sipas pretendimeve të Martinit ‘biseda ka qenë për shenjë respekti’.

“Personi që përmendet në biseda është Tom Doshi. Asgjë për interes, nuk ka lidhje me korrupsion a diçka tjetër. Biseda ishte me qenë pjesëmarrës në miting. Toma është socialdemokrat”, thotë ai.

Leximi i radhës, është biseda më 23 prill 2025 (mes vëllait të Alfred Martinit, Nikolin Martini me Kristjan Shkrelin).

Por Martini përgjigjet shkurt: ‘Ka komunikuar vëllai me telefonin tim. Bisedën e kam dëgjuar’.

Prokurori citon gjithashtu edhe një bisedë të 6 majit 2025 (bisedë me Filip Bardheli për Tom Doshin).

“Do zhvillohej një takim në Stajkë, shkuam të gjithë në miting. Faleminderit shumë Kristjan Shkrelit, është i nderuar dhe i respektuar. Që kur kam nisur të jetoj në Stajkë, ka qenë problem energjia elektrike. E kam marrë unë dhe jam ankuar unë te Kristjan Shkreli. Nuk më ka ofruar para, as vend pune, as për mua as për gruan as për familjarë të tjerë. Unë shkova vetëm për dritat, për asnjë interes tjetër. Unë mora iniciativën për të takuar Kristian Shkrelin, me pas energji familja ime në rradhë të parë dhe pastaj familjaret e tjera. Nuk kemi bërë diskutime politike. Puna për energjinë elektrike kishte nisur në Stajkë dhe dritat vinin deri në mes të lagjes, jo te të gjitha familjet”, thotë Martini.

Nikolin Martini: Banoj në Shkodër. Vëllai im Alfred Martini banon në Stajkë. Në fshatin Stajkë u bë investim për energjinë elektrike në 2025. Ka komunikuar vëllai me Kristjan Shkrelin bashkë me banorë të tjerë, Jak Bardeli, Filip Bardeli, Kol Martini dhe Kol Koleci. Problemi i dritave është zgjidhur, u ankuan banorët te kryetari i Bashkisë dhe pas pak ditësh erdhi energjia. E kam përdorur numrin e vëllait për të komunikuar me Shkrelin.

(Lexohen komunikimet mes dëshmitarit dhe Kristjan Shkrelit.)

Nikol Martini: Më vinte keq për vëllain që nuk kishte drita prej vitesh. Kryetarit iu ankuam dhe erdhi KESH-i, lidhi dritat, sepse rrinte me qiri prej 10 vitesh. Nuk e kam takuar asnjëherë Kristjan Shkrelin dhe as më ka ofruar të mira materiale.

Dëshmon Kol Koleci: Banoj në fshatin Stajkë, njësia Bushat. Ne kemi pas 22 vite pa drita, laheshim me kova. Deri para një viti kur erdhi ky zotnia na rregulloi punë. Ky na e ka zgjidh problemin, lagjja jonë është më e persekutuar. Kristjani na ka sjellë energji elektrike, kemi qenë në pikë të hallit. Në takim kemi shkuar me Filip Bardelin, Kol Martinin, Alfred Martini. Problemi u zgjidh dhe rruga po rregullohet. Më thanë do shkojmë te lokali i fshatit në Stajkë. Nuk e kam takuar kryebashkiakun që para zgjedhjeve të fundit. U dashka me ardh te ju te SPAK-u se kemi besim. Vetëm këtu nuk kemi ardhur. Ky është djalë punëtor. Ankesën e dritave e kemi bërë gjithmonë, takimin nuk më kujtohet se kur e kemi bërë. Nuk më ka orientuar askush se kë duhet të votoja më 11 maj 2025. Jemi ankuar te kryeplaku më përpara.

Filip Bardeli: Banoj në fshatin Stajkë. Na e kanë rregulluar energjinë elektrike vitin që shkoi, para votimeve. Kemi shkuar, i kemi thënë Kristjan Shkrelit për dritat dhe rrugën. Shtyllat kanë qenë me dru këtu e 20 vite. Kemi qenë 6-7 vetë, Nikolin Martini, Fred Martini, Jak Bardeli, Filip Bardeli, Kol Koleci, Kol Martini. Jemi të gjithë në lagje në fshatin Stajkë. Kryetari na tha do e bëjmë. Nuk më ka orientuar kryebashkiaku në drejtim të ndonjë subjekti politik.

(Prokurori lexon disa biseda mes Filip Bardelit dhe Alfred Martinit, ku ky i fundit e njoftoi që do të vinte Tom Doshi te një lokal i fshatit për takim me banorët.)

Bardeli: Unë nuk kam shkuar sepse kam qenë në punë, nuk kisha mundësi të shkoja. Problemi me energjinë elektrike ekzistonte prej 30 vitesh. Nuk kemi patur kujt t’i thonim atëherë. Na kanë thënë do i rregullojmë dhe nuk kanë bërë gjë. Kemi folur edhe me Zef Hilën. Te platforma e bashkëqeverisjes nuk jemi ankuar ndonjëherë. Kristjan Shkreli nuk na ka ofruar ndonjëherë para apo të mira materiale.

Dëshmon Jak Bardeli: Banoj në Stajkë, bashkia Vau i Dejës. Energjia elektrike është rregulluar përpara zgjedhjeve të përgjithshme. Jemi ankuar gjithë andej dhe nuk kemi gjetur rrugë zgjidhje, pastaj u ankuam te kryetari i Bashkisë. Kemi shkuar si lagje, Kol Koleci, Kol Martini, Alfred Martini edhe Dod Martini. Kryetarit të Bashkisë i kërkuam dritat dhe na i solli. Nuk jam orientuar nga asnjë person për të votuar për ndonjë subjekt. Nuk na kanë kërkuar gjë.

(SPAK lexon bisedat mes Jak Bardelit dhe Alfred Martinit për të marrë pjesë në një takim në orën 18.00.)

Bardeli: Do vinte Tom Doshi në Stajkë te një lokal. Unë shkova. Nga ana e Kristjan Shkrelit nuk më janë ofruar të holla, as të mira materiale. As për mua as për familjen. Na ka kërkuar vetëm me marrë pjesë në miting, asgjë më shumë se kaq.

SPAK nisi hetimin ndaj Kristjan Shkrelit më 20 mars, rreth një muaj para zgjedhjeve parlamentare të 11 majit 2025, pas një materiali të referuar nga Policia e Shtetit dhe një kallëzimi të një punonjësi të bashkisë, të cilat u bashkuan në një procedim të vetëm penal.