TIRANË- Tetë muajt e seancës paraprake dhe shtyrjet 3 herë të gjyqit në themel, prokurori i posaçëm Ols Dado, i quan strategji të krye bashkiakut Erion Veliaj për të zvarritur procesin. Përgjigjen ia dha avokati Plarent Ndreca, i cili reagimin e Dados jo vetëm që e quajti emocional, por tha se nuk e kupton se përse SPAK ka gjithë këtë nxitim për ta mbyllur procesin sa më shpejt dhe pa i dhënë mundësinë Veliajt që të mbrohet.

“Është një qëndrim emocional i prokurorit. Nxitimi po bëhet që procesi të mos jetë i rregullt”, tha Ndreca në gjyq. 

 

Avokati i Veliajt tha se vetëm një ditë më parë, të martën, mbrojtjes i është vënë në dispozicion aktet e seancës paraprake, ku vetëm kërkesa për gjykim e prokurorisë është rreth 565 faqe, ku referohen 1,078 prova dhe 190 dëshmitarë.

“Nxitimi i kërkuar nga përfaqësuesit e akuzës nuk i shërben drejtësisë. Ai vetëm ekspozon qëllime që nuk lidhen me një proces të rregullt gjyqësor dhe njëkohësisht, vendos në vështirësi edhe gjykatën, e cila ligjërisht prezumohet se vendimmarrjen e saj e mbështet mbi njohjen e plotë dhe të thelluar të dosjes gjyqësore”, tha Ndreca.

Kryebashkiaku Erion Veliaj mungoi në seancën e kësaj të mërkurë dhe e njoftoi gjykatën me deklaratë për tu përfaqësuar nga Plarent Ndreca. Vetë tha se do të marrë pjesë në gjyq vetëm kur të përfundojë së lexuari dosjen 60 mijë faqe që iu dërgua në qelinë e paraburgimit në Durrës, rreth 1 muaj më parë, 1 vit pas arrestimit.

"Veliaj është i vendosur të nxjerrë të vërtetën para qytetarëve që e kanë votuar për 3 mandate. Në seancë nuk ka qenë i pranishëm se sepse nuk është njohur me të gjithë dosje që është shumë voluminoze, po lexon deri në 200- 300 faqe në ditë..”, tha avokati Ndreca pas seancës. 

Treshja gjykuese e shtyu seancën për shkak se mungoi Artan Simoni, avokati i caktuar kryesisht i të pandehurit Fatjon Baci, policit të burgut të Durrësit i cili akuzohet se i dha telefonin e tij kryebashkiakut Veliaj gjatë një shoqërimi për në GJKKO.  Avokati kishte paraqitur në gjykatë një raport mjekësor, se deri më datën 4 prill nuk është në gjendje për të qenë i pranishëm.  Në këto kushte, gjykata i caktoi një tjetër avokat të pandehurit, Pranvera Doçi, dhe urdhëroi që në seancën e ardhshme të shoqërohet edhe vetë efektivi i burgjeve.

Gjyqtarja vendosi po ashtu që deri më 3 prill, kur u caktua të mbahet seanca e radhës, kryebashkiakut të Tiranës, dhe biznesmenit të pandehur Elman Abule, t’i pezulluan afatet e paraburgimit. Ata janë të vetmit nga 30 të pandehur, përfshirë shoqëritë, me masa sigurie, Veliaj arrest në burg, dhe Abule, në shtëpi.

Kjo ishte seanca e tretë në themel ndaj Kryebashkiakut Veliaj, bashkëshortes së tij Ajola Xoxa dhe 28 personave e shoqërive të pandehur. Edhe seanca e 24 marsit u shty për shkak të mungesës së të pandehurit Meriman Palushi, bashkë me avokaten dhe GJKKO po ashtu vendosi pezullimin e afateve të paraburgimit për Veliajn dhe Abulen. Veliaj ndodhet në masë arresti me burg prej 10 shkurtit 2025 dhe ndaj tij janë ngritur akuzat për korrupsion pasiv në 9 raste, pastrim parash, mosdeklarim pasurie, shpërdorim detyre dhe futja e sendeve në burg.

Praktika e pezullimit të afateve të paraburgimit për të gjithë të pandehurit, për shkak të mungesës apo zvarritjes së procesit nga njëri prej tyre, po ngre debate të forta në sistemin e drejtësisë. Avokatët kërkojnë ndryshime në Kodin e Procedurës Penale, duke argumentuar se kjo qasje cenon të drejtat individuale dhe mban në qeli persona që nuk kanë asnjë përgjegjësi për vonesat. Qëndrimi në paraburgim, njehsohet me një ditë e gjysëm burg, duke patur kështu ndikim të drejtpërdrejtë më pas në përllogaritjen e vuajtjes së dënimit përfundimtar. 

-------------------------------

Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 14:20
Gjyqi për Veliajn/ Avokati Ndreca deklaratë: Prokurorët po ushtrojnë trysni të pajustifikuar, nxitimi i tyre nuk i shërben drejtësisë

1774366961_ndreca.jpg

Mbrojtja e Erion Veliajt ka reaguar me një deklaratë pas seancës së sotme në GJKKO, ku avokati Plarent ndreca thekson se nuk u shty për shkak të Veliajt, por se mungoi një prej avokatëve të të pandehurit Fatjon Baci. Në deklaratën e mbrojtjes së Veliajt, thuhet se në seanca vihet re një qasje e përfaqësuesve të akuzës për të ushtruar një trysni të pajustifikuar, me qëllim vijimin me nxitim të procesit.

Avokati Ndreca thotë se nxitimi i kërkuar nga përfaqësuesit e akuzës nuk i shërben drejtësisë. "Ai vetëm ekspozon qëllime që nuk lidhen me një proces të rregullt gjyqësor dhe njëkohësisht, vendos në vështirësi edhe gjykatën, e cila ligjërisht prezumohet se vendimmarrjen e saj e mbështet mbi njohjen e plotë dhe të thelluar të dosjes gjyqësore", thuhet në deklaratë, ndërsa Ndreca rendit edhe volumin e madh të dosjes prej 60 mijë faqesh me të cilën përballen avokatët mbrojtës të të pandehurve. Ndërkohë, vetëm kërkesa për gjykim e prokurorisë, Ndreca thotë se është rreth 565 faqe (e vënë në dispozicion të mbrojtjes vetëm dje). 

Deklarata e plotë

Të nderuar përfaqësues të medias,

Duke konstatuar se transmetimi i zhvillimeve lidhur me çështjen Veliaj nuk ka qenë gjithmonë i plotë, i saktë dhe i njëtrajtshëm në të gjitha mediat, kemi vendosur të vendosim një praktikë të rregullt komunikimi pas çdo seance gjyqësore. Qëllimi i kësaj praktike është të garantojë një informim të drejtë, të balancuar dhe transparent të opinionit publik mbi zhvillimet e procesit dhe qëndrimet e mbrojtjes.

Sa i takon seancës së datës së sotme, ajo u shty jo për shkak të z. Veliaj apo mbrojtjes së tij, por për shkak të mungesës, për arsye shëndetësore, të një prej avokatëve të tjerë në proces.

Njëkohësisht, në këtë seancë, ashtu si edhe në atë pararendëse, konstatojmë me shqetësim një qasje të përfaqësuesve të akuzës për të ushtruar një trysni të pajustifikuar, me qëllim vijimin me nxitim të një procesi që ka humbur tashmë një shkallë gjyqësore, pikërisht si pasojë e këtij nxitimi dhe në kundërshtim me parimet kushtetuese në fazën paraprake.

Pavarësisht se jemi palë kundërshtare në këtë proces, ne presim nga përfaqësuesit e akuzës të ushtrojnë funksionin e tyre në bashkëpunim me mbrojtjen dhe gjykatën, në përputhje me standardet kushtetuese, konventore dhe profesionale, që lidhen me garantimin e të drejtave dhe lirive themelore.

Sa i përket mbrojtjes, ne udhëhiqemi nga vetë arsyeja për të cilën ekziston profesioni i avokatit: mbrojtja pa kompromis e të drejtave kushtetuese, konventore, proceduriale dhe ligjore të çdo qytetari të Republikës së Shqipërisë.

Ky mision merr një dimension të veçantë në rastin e Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, i cili, si çdo qytetar, ka të drejtën për një mbrojtje të plotë dhe efektive, por njëkohësisht, edhe pse në kushte të vështira, do të ushtrojë përgjegjësinë e tij publike ndaj qytetarëve që e kanë votuar, për të nxjerrë të vërtetën në pah. Në këtë kuptim, mbrojtja e z. Veliaj nuk është vetëm një çështje individuale, por një çështje me interes të drejtpërdrejtë publik, që lidhet me të drejtën e qytetarëve të Tiranës dhe të gjithë Shqipërisë për të njohur të vërtetën.

Ne kemi vendosmërinë e plotë për ta zhvilluar këtë proces në mënyrën më profesionale të mundshme, në respekt të të gjitha palëve, duke garantuar një mbrojtje kushtetuese, serioze dhe transparente përpara publikut.

Barazia e armëve ndërmjet palëve nuk është një formalitet dhe as një çështje dytësore, por një kusht thelbësor kushtetues për realizimin e drejtësisë.

Për të kuptuar dimensionin real të kësaj çështjeje, po paraqesim disa të dhëna konkrete:

  • Dosja përmban rreth 60,000 faqe;
  • Në proces janë 30 të pandehur;
  • Në këtë volum nuk përfshihen aktet e seancës paraprake, ku vetëm kërkesa për gjykim e prokurorisë është rreth 565 faqe (e vënë në dispozicion të mbrojtjes vetëm dje);
  • Kërkesa për gjykim referon për shqyrtim 1,078 prova dhe 190 dëshmitarë;
  • Vetëm vendimi i gjykatës së seancës paraprake është rreth 650 faqe.

Këto shifra nuk përfaqësojnë përmbajtjen e analizuar, por vetëm volumet formale të akteve. Një dosje e këtij dimensioni kërkon studim të thelluar, analizë, ballafaqim dhe përgatitje profesionale, procese që nuk mund të realizohen në kushte nxitimi. Për ilustrim, standardet e praktikës së GJEDNJ sugjerojnë se një profesionist nuk mund të përpunojë në mënyrë cilësore më shumë se rreth 180 faqe në ditë.

Imagjinoni për një moment një material hetimor prej 60,000 faqesh që nuk është një vepër letrare e cila lexohet për kënaqësi, por një proces kompleks juridik, ku çdo faqe kërkon verifikim, analizë dhe vlerësim, dhe mbi të cilin varet jo vetëm fati i një individi, por edhe përgjegjësia publike e Kryetarit të Bashkisë së qytetit më të madh në vend.

Nxitimi i kërkuar nga përfaqësuesit e akuzës nuk i shërben drejtësisë. Ai vetëm ekspozon qëllime që nuk lidhen me një proces të rregullt gjyqësor dhe njëkohësisht, vendos në vështirësi edhe gjykatën, e cila ligjërisht prezumohet se vendimmarrjen e saj e mbështet mbi njohjen e plotë dhe të thelluar të dosjes gjyqësore.

Ne do të vijojmë të bëjmë publike çdo kërkesë dhe çdo shkresë që i drejtojmë gjykatës, në mënyrë që opinioni publik në emër të të cilit jepet drejtësia, të jetë i informuar në mënyrë të plotë, të saktë dhe të drejtë.

Faleminderit.

Mbrojtësi i z. Veliaj

Av. Plarent Ndreca

Ora 10:27
Debate në GJKKO/ Dado: Veliaj strategji që të zvarrisë gjyqin! Ndreca: Reagim emocional, s’ka lidhje me rolin e prokurorit

Seanca e gjyqit për kryebashkiakun Erion Veliaj u shoqërua me debate, për shkak të një kërkese të biznesmenit Fatmir Bektashi për tu gjykuar veçmas. Prokurori Ols Dado tha në senacë se kjo është një strategji e Veliajt për të zvarritur procesin, por ky pretendim u hosh poshtë nga avokati i tij Plarent Ndreca. Ky i fundit deklaroi në sallë nuk ka asnjë strategji të tillë dhe se duan vetëm një proces të rregullt gjyqësor.

“Është strategji për të shtyrë procesin, kemi 8 muaj që s’po arrijmë dot të futemi. Është sjellja e Erion Veliajt dhe avokatit të tij. Kërkesën për ndarje të çështjes ndaj Fatmir Bektashit që kërkon avokati Sokol Hazizaj e shikojmë të pabazuar në ligj”, tha Ols Dado në seancë.

“Nuk është hera e parë që Ols Dado përmend 6 apo 8 muaj. Kërkon të bëjë bashkë edhe gjykimin paraprak, por nuk kemi qëllim për të shtyrë seancën se unë jam këtu. Seancës unë dua t’i jap atë që ka nevojë, proces të rregullt gjyqësor”, tha Ndreca në gjyq.

Të njëjtën qëndrim Ndreca e mbajti edhe pas seancës gjatë një prononcimi për gazetarët, ndërsa tha se reagimi i Dados ishte emocional dhe s’ka lidhje me rolin e prokurorit.

“Nuk kishte lidhje me kërkesat që kanë të bëjnë me mbrojtjen e Veliajt. Ishte kërkesë nga një koleg tjetër. Akuzat e prokurorit janë pak emocionale, nuk janë në përputhje me rolin e prokurorit. Ka një nxitim për të bërë një proces,  i cili është proces masiv, voluminoz, që siç ju e dini ka humbur një shkallë gjykimi duke mos i dhënë zotit Veliaj që të mbrohet. Nuk e kuptoj se gjithë ky nxitim! Një avokat i sëmurë kërkoi që të shtyhej seanca. Lidhja që bën prokurori me mbrojtjen e Veliajt mendoj se është lidhje emocionale që s’ka përputhje me rolin e prokurorit. S’ka strategji për të shtyrë, ka një strategji për të njohur çështjen me themel, për të realizuar mbrojtjen, për të bërë ekipin mbrojtës dhe ne do kemi një ekip avokatësh dhe ekspertësh. Prokuroria ka pasur të gjitha burimet infrastrukturore, materiale edhe financiare në dispozicion për dy vite me radhe për të ndërtuar këtë çështje. Unë nuk e kam lexuar dosjen. As mua si mbrojtës nuk më është vënë në dispozicion dosja, vi çdo ditë e lexoj por nuk më është vënë në dispozicion. Veliaj po e lexon dosjen me ritëm të lartë është gati të mbrojë çështjen dhe vetë, ka një gjendje të admirueshme”, tha Ndreca.