Që prej nëntorit të vitit 2020, 4 ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi qëndrojnë të izoluar në Hagë, të akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Që nga prilli 2023, kur nisi dhe procesi gjyqësor, sot ishte hera e 3-të që ata merrnin fjalën për të dëshmuar pafajësinë.

Në deklarimet e secilit u bërtit me të madhe lufta për liri, pafajësia, Kosova e pavarur, masakrat nga regjimi serb dhe krenaria për UÇK. Ish-presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, ashtu si dhe të tjerët, tha me bindje, se po të kthehej pas në kohë do të bënte të njëjtën gjë për popullin e tij që prej vitesh vuante në kurriz dorën e hekurt të Slobodan Millosheviç.

Hashim Thaçi iu drejtua prokurorisë duke thënë se ishte ofenduese akuza se ai ka pasur si qëllim marrjen e kontrollit të pavarësisë. “Është e rëndë të dëgjosh këtë akuzë, veçanërisht kur gjatë luftës nuk e dija nëse do të isha gjallë prej orës në orë dhe ditës në ditë. Nuk isha i sigurt nëse do ta shihja familjen time, lëre më të ëndërroja të ushtroja kontroll në Kosovën e pushtuar për rreth 90 vite”, tha Thaçi.

Ish-presidenti i Kosovës tha se e gjithë situata në rajon, ka qenë produkt i Slobodan Millosheviç, madje dhe vetë populli serb ka qenë viktimë e tij. Thaçi tha se prokurorët po injorojnë të vetmin fakt të vërtetë, se lufta e UÇK kishte për qëllim vetëm çlirimin e Kosovës. Thaçi tha se masakrat serbe, lanë pas trauma, ndenjën e zemërimit dhe të hakmarrjes.

Kadri Veseli në deklaratën e tij tha se ka dëshiruar gjithmonë një jetë normale, por ishte e pashmangshme pasi në atë kohë iu mohua çdo e drejtë dhe se nuk mund të qëndronte indiferent ndaj vuajtje që po përjetonte populli i tij. Kadri Veseli kërkon pafajësinë ndërsa thotë se asnjë akuzë ndaj tij nuk është provuar dhe se i ka shkërbyer vendit të tij për liri.

“I kam shërbyer vendit tim që të gjithë ta njohin të vërtetën. Në momentet më të errëta s’e humba kurrë besimin se liria dhe e drejta do të triumfonin. Nuk është provuar asnjë veprim i kundërligjshëm nga ana ime. U përfshiva për të jetuar si qytetar i lirë dhe i barabartë. E vërteta s’ka arsye të ketë frikë nga drejtësia.”, tha ndër të tjera Veseli.

Rexhep Selimi tha se akuzat e prokurorëve po njollosin historinë e shtetit të Kosovës që nuk mund të rishkruhet nga e para në tribunalin e Hagës. Selimi tha se lufta e UÇK-së nuk mund të barazohet me shtetin vrasës të Serbisë, organizatë që u krijua nga nevoja dhe jo dëshira për luftë. Ai tha se të shumë ishin ata që kanë humbur jetën dhe duke siguruar armë, jo për të sulmuar civilët e pafajshëm apo dhe kundërshtarët, por për të mbrojtur tokën e tyre.

"UÇK nuk u krijua nga dëshira, por nevoja. Nuk ishte aventurë, por mbijetesë. Unë isha pjesë e një ushtrie 100% vullnetare, nga njerëz që u detyruan të merrnin armët sepse nuk kishin rrugë tjetër. Shumë shokë të mi kanë vdekur duke siguruar armë. Prokuroria në dosjen e saj kërkon dënimin të rënda. Aq të gjata sa më thelb synojnë  të na ndalojnë përgjithmonë kthimin në vendin tonë. Koha se kur do të kthehem në Kosovë është në dorën tuaj por prokuroria duhet të ishte kuptuar që kurdo që të kthehem, do të kthehem më Kosovën e lirë”, tha Selimi.

Jakup Krasniqi e nisi fjalën e tij duke folur për luftën dhe dinjitetin njerëzor të një populli që nuk refuzoi të zhdukej nga politikat e krimit dhe gjenocidit të Serbisë. Krasniqi tha se çdo akuzë e ngritur nga prokuroria kundër luftës së UÇK-së, është vazhdim i i gënjeshtrave të prodhuara nga regjimi kriminal i Serbisë.

“Populli ynë kurrë nuk ka kërkuar shkatërrimin e një kombi tjetër, etnie apo feje. Ne luftuam vetëm për jetën, lirinë, demokracinë, barazinë dhe drejtësinë. Jo për të kontrolluar territor për dominim, për lakmi apo përfitim kriminal, qëllimi ynë ishte ta kthenim Kosovën te populli i saj që ata të jetonin me dinjitet”, tha ndër të tjera Krasniqi.

Më herët avokatët mbrojtës të Thaçit, Selimit, Krasniqit dhe Veselit kërkon pafajësinë e tyre dhe mohuan akuzat e ngritura nga prokuroria duke i cilësuar si të pabazuara në fakte apo të vërteta.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 16:44
FOTOLAJM/ U deklarua i pafajshëm! Detaji simbolik në Hagë, Jakup Krasniqi me kollare me shqiponjë gjatë fjalimit

1771429387_jakupkrasniqimekollareshqiponjnehage.jpg

Jakup Krasniqi

Ish-krerët e UÇK-së u deklaruan të pafajshëm në deklaratat e tyre përmbyllëse në Gjykatën Speciale në Hagë.

Në paraqitjen e tij, Jakup Krasniqi u shfaq me një detaj sombolik, teksa kishte vendosur një kollare me shqiponjë.

Jakup Krasniqi e nisi fjalën e tij duke folur për luftën dhe dinjitetin njerëzor të një populli që nuk refuzoi të zhdukej nga politikat e krimit dhe gjenocidit të Serbisë. Krasniqi tha se çdo akuzë e ngritur nga prokuroria kundër luftës së UÇK-së, është vazhdim i i gënjeshtrave të prodhuara nga regjimi kriminal i Serbisë.

Ora 15:50
'Qëllimi ynë ishte paqja, nuk pendohem asnjëherë', Thaçi në Hagë: S’mund të isha indiferent ndaj masakrave të Millosheviçit ndaj vendit tim

Ish-Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, dëshmoi në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, duke hedhur poshtë akuzat ndaj tij dhe duke theksuar se veprimtaria e tij gjatë luftës ka qenë në mbrojtje të popullit të Kosovës.

Në deklaratën e tij para trupës gjykues, Thaçi akuzoi ish-presidentin serb Slobodan Millosheviç si “të vetmin njeri që po bënte plane për një gjenocid tjetër”, duke shtuar se ishte detyruar të largohej nga Kosova për shkak të ndjekjes nga regjimi i Beogradit.

"I vetmi njeri që po bënte plane ishte Millosheviçi, për një gjenocid tjetër. Unë u detyrova që ta lëshoja Kosovën, sepse regjimi i Millosheviçit më kishte ndjekur.  Po i njëjti regjim në mungesë do të dënojë presidentin Clinton, edhe sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s dhe shumë të tjerë. Duke parë masakrat e popullit tim, nuk mund të rrija indiferent, vendosa që të kthehesha në Kosovë", tha Thaçi. 

Ai theksoi se, përballë masakrave dhe vuajtjeve të popullit shqiptar, nuk mund të qëndronte indiferent dhe për këtë arsye ishte kthyer në Kosovë, pavarësisht rrezikut për jetën e tij dhe familjes.

“Nuk mund të qëndroja indiferent, ku populli im po shfarosej. Të njëjtën gjë do të bënit edhe ju nëse populli juaj do të përjetonte atë që përjetoi populli im. Për këtë jam shumë krenar. Është ofendim, për kujtimin e mijëra heronjve që dhanë jetën për lirinë, është ofendim për dhjetëra mijëra viktimave të vrarë gjatë masakrave", shtoi ai. 

Ora 15:33
Krasniqi: Çdo akuzë që flet kundër UÇK-së është vazhdim i gënjeshtrave të regjimit serb! Nuk kërkuam shkatërrimin e një kombi tjetër, por vetëm liri

 

Jakup Krasniqi tha se lufta e UÇK-së kurrë nuk ka kërkuar shkatërrimin e një kombi tjetër, por vetëm lirinë.

“Realitetin historik, krimet dhe persekutimet nga forcat serbe që e formësuan atë periudhë, janë të pandashme nga veprimet që ju kërkohet të gjykoni, ato nuk janë shumë në sfond, janë të shkruara në historinë publike me shkronja shumë të mëdha për tu fshirë. Mbeten pjesë e realitetit që ju kërkohet të gjykoni. Bashkohem e avokatëve të mi duke i kërkuar gjykatës që të mbajë fort në mendje atë histori se gjykimi rrezikon të ngatërrojë pasojën me shkakun. Lufta jonë nuk ishte unike, çdo komb që ka kërkuar lirinë nga një pushim i paligjshëm, është përballur me akuza që rezistenca është kriminale. E drejta ndërkombëtare pohon që popujt që rrezikojnë persekutimin sistematik nuk janë armiq të drejtësisë. Brezi ynë e kishte një vizion, jetën në liri, barazinë, demokracinë, sundimin e ligjit, ishte ky vizion që udhëhoqi luftën që kulmoi me shpallen e pavarësisë së Kosovës. Populli ynë kurrë nuk ka kërkuar shkatërrimin e një kombi tjetër, etnie apo feje. Ne luftuam vetëm për jetën, lirinë, demokracinë, barazinë dhe drejtësinë. Jo për të kontrolluar territor për dominim, për lakmi apo përfitim kriminal, qëllimi ynë ishte ta kthenim Kosovën te populli i saj që ata të jetonin me dinjitet. Çdo akuzë që thotë të kundërtën është vazhdim i gënjeshtrave të prodhuara nga regjimi kriminal i Serbisë. Për të gjithë veprimtarinë time politike, vërtet jam krenar, zëri im qëndronte për lirinë, për atë që besova që kërkonte fisnikëria njerëzore. Ju kërkoj t’i shikoni provat dhe dëshmitë në mënyrë objektive dhe aty do të gjeni të vërtetën. E përsëris, populli ynë kurrë nuk planifikoi shkatërrim apo torturë, kërkonim jetë dhe pavarësi, asgjë më shumë, asgjë më pak, sot populli ynë jeton në liri. Qëndroj para jush ashtu si kam qëndruar gjithë jetën, i përgjegjshëm dhe i pa frikësuar për të vërtetën. Kërkoj drejtësi e cila shihet qartë”, tha Krasniqi.

Ora 15:25
Gjyqi në Hagë/ Jakup Krasniqi: Pa ndërhyrjen e ndërkombëtareve Kosova nuk do të ishte e lirë, po mbahemi këtu padrejtësisht

 

Jakup Krasniqi gjyqin në Hagë tha se Kosova nuk do ishte kurë e lirë pa mbështetjen e ndërkombëtarëve. Ai tha se po mbahen padrejtësisht në Hagë.

“NATO dhe bota demokratike nuk janë rreshtuar kurrë me terrorizmin, apo gjenocidin. Pa ndërhyrje dhe mbështetjen ndërkombëtare, liria jonë nuk do ekzistonte, por pa rezistencën tonë fisnike ajo nuk do ishte arritur kurrë. Veprimet e UÇK-së dhe veprimet e mia si gjatë luftës dhe pas saj, bë çdo rast i dhanë përparësi paqes, dhe kjo është dëshmuar. Zëra të besueshëm e kanë dëshmuar këtë. Ne qëndrojmë sot këtu padrejtësisht, por historia do ta kuptojë pse vepruam, jo vetëm faktin pse jemi të akuzuar”, tha Krasniqi.

Ora 15:18
'Akuzat, të bazuara në narrativën e atyre që shkaktuan luftën'/ Jakup Krasniqi: Drejtësia duhet të qëndrojë mbi të vërtetën

 

Jakup Krasniqi deklaroi se akuzat e Prokurorisë së Hagës për ish-krerët e UÇK-së janë ndërtuar mbi narrativat e atyre që shkaktuan luftën në Kosovë, pra serbëve.

Sipas Krasniqit, drejtësia duhet të qëndrojë mbi të vërtetën.

"Çfarë më shtyu të ndërmarr këtë akt të rrezikshëm? Robëria e gjatë, persekutimet, dhunimi, mërgimet e shumta dhe ekzekutimet e pandërprera që shënuan shekullin e 20-të. Këto akte mizore nuk më thyen, më bënë të vendosur që drejtësia të mos thyhej mbi shpinën e tiranisë. Dashuria për jetën dhe lirinë më bëri ta marr këtë rol. M’u mohua dhe m’u ndalua e drejta më njerëzore, e çdo personi të lindur si i lirë, e drejta për ta dashur hapur vendin tim, për të përcjellë atë që kam mësuar mes dekadash jetë dhe sakrificë. Për këto u prangosa më 4 nëntor 2020. Akuzat janë ndërtuar mbi narrativat e atyre që shkaktuan disa luftëra në Jugosllavi brenda një dekade të vetme. Nuk mendoj se këto akuza i shërbejnë ndonjë drejtësie. Drejtësia nuk mund të ndërtohet në gjuhën e ish-shtypësve, duhet të qëndrojë mbi të vërteta.", tha ai.

Ora 15:16
Gjyqi në Hagë, Jakup Krasniqi: Në këto 5 vite në burg më janë mohuar të drejtat e njeriut

 

Edhe Jakup Krasniqi ka mbajtur fjalën e tij para trupit gjykues në Hagë, duke theksuar se gjatë periudhës së paraburgimit i janë cënuar të drejtat themelore të njeriut, të garantuara nga Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

“Për më shumë se 5 vite, besoj se më janë mohuar të drejtat e njeriut, të garantuar nga konventa evropiane për të drejtat e njeriut. Ndër to më e rëndësishme e drejta për të jetuar në liri, veçanërisht e drejta e një njeriu në fazën e fundit të jetës së tij për të jetuar vitet e mbetura me dinjitet pranë familjes dhe në atdheun e lirë. Kjo më është bërë pa i shkaktuar padrejtësi askush, pa i rrezikuar jetën asnjë njeriu të vetëm. Përkundrazi, kam rrezikuar jetën time jo vetëm gjatë luftës çlirimtare”, tha Krasniqi.

Ora 15:14
Gjyqi në Hagë, Krasniqi: Qëndroj këtu si njeri i kalitur në luftën për dinjitet njerëzor, burgimi i padrejtë dhe i panevojshëm

 

Në hapje të fjalës së tij para gjykatës në Hagë, Jakup Krasniqi tha se qëndron para saj si një njeri i lindur dhe i kalitur nga lufta për dinjitet njerëzor. Ai e sheh të padrejtë e të panevojshëm burgimin e tij dhe është i gatshëm të japë një rrëfim të vërtetë të luftës për pavarësi.

“Qëndroj sot këtu para jush jo si një kriminel që përshkruan aktakuza e Prokurorisë, por si njeri i lindur dhe i kalitur në luftëra për dinjitet njerëzor nga një popull që refuzoi të zhdukej nga politikat e krimit dhe gjenocidit të Serbisë. Pjesën më të madhe të jetës sime e kam kaluar i udhëhequr nga bindja se qeniet njerëzore meritojnë të jetojnë në liri. Pas më shumë se 5 vitesh burgim të padrejtë dhe sipas mendimit tim, të panevojshëm, angazhimin tim politik e jetësor për jetë e liri, jam angazhuar që herët dhe për të dhënë një rrëfim të vërtetë të luftës sonë për pavarësi kundër politikave të gjenocidit të regjimit serb që sollën vuajtje e shkatërrim të paparë të popullit të Kosovës”, tha Krasniqi.

Ora 15:11
Gjyqi në Hagë, fjala përfundimtare e Krasniqit: Urime Pavarësia, qytetarët e Kosovës jetojnë në liri e drejtësi

 

Jakup Krasniqi nisi fjalën e tij përfundimtare në gjykatën e Hagës me një përshëndetje dhe urim për Pavarësinë e Kosovës, e cila u festua një ditë më parë.

“Përshëndes gjithë qytetarët e Kosovës që dje festuan pavarësinë e tyre. Qytetarët që jetojnë në liri, në pavarësi dhe me drejtësi”, tha Krasniqi.

Ora 15:10
Selimi në Hagë: Shokët tanë kanë vdekur duke siguruar armë! Po kërkoni dënime të rënda! Kurdo që të kthehem, do kthehem në Kosovën e lirë

 

Rexhep Selimi tha se UÇK ka kërkuar armë dhe nga vendet aleate dhe se shumë persona kanë vdekur duke rrezikuar armë, jo për të vrarë civilë e kundërshtarë politikë, por për të mbrojtur Kosovën. Selimi tha se prokuroria kërkon dënime të rënda, referuar pretencës me 45 vite burg secilit.

“Prokuroria në mënyrë të çuditshme dhe në formë akuze, më cilëson si të afërt me Adem Jasharin dhe organizator që gëzonte respekt. Nuk është e qartë nëse është akuzë apo vlerësim. Të qenurit bashkëluftëtar i Adem Jasharit është nderi më i madh. Konsideroj dhe nder cilësimin si një ndër themeluesit kryesor të UÇK. Nëse këto shndërrohen në akuza, atëherë problemi nuk është tek unë, por tek ata që nderin dhe cilësimet historike si faj. Po kam mbajtur armë. Shumë shokë të mi kanë vdekur duke siguruar armë. Kemi kërkuar armë dhe nga vende mike, UÇK nuk kishte qëllim tjetër përveç lirisë, nuk kishte plane për të sulmuar civilë apo kundërshtarë politik. UÇK nuk ishte parti politike. Madje edhe nëse lufta në Kosovë nuk do të ndalje në Kosovë në ‘99 dhe do të vazhdonte deri sot, unë ende do të isha ushtari i atdheut tim nëse nuk do të isha vrarë deri më tani pasi gjasat ishin reale. Bëmë gjënë e duhur dhe sot do të bëj të njëjtën gjë. Prandaj  NATO na mbështeti, dhe vendet tuaja. Prokuroria në dosjen e saj kërkon dënimin të rënda. Aq të gjata sa më thelb synojnë  të na ndalojnë përgjithmonë kthimin në vendin tonë. Koha se kur do të kthehem në Kosovë është në dorën tuaj por prokuroria duhet të ishte kuptuar që kurdo që të kthehem, do të kthehem më Kosovën e lirë”, tha Selimi.

Ora 15:09
'Vendimet të jepen në bazë të provave', Rexhep Selimi në Hagë: Viktimat e luftës në Kosovë kanë nevojë për drejtësi

 

Rexhep Selimi tha se vendimi për të dhe ish-krerët e tjerë të UÇK-së duhet të jepet në bazë të provave dhe jo pretendimeve.

“Gjatë luftës, ndodhin shumë gjëra, ka kaos, frikë, dhimbje të akumuluara ndër vite. Lufta lë gjithmonë pasoja dhe viktimat e saj. Viktimat kanë nevojë për drejtësi. Drejtësia që nuk mbështetet mbi të vërtetën i lëndon viktimat për herë të dytë. Vendimet të mbështeten në atë që është provuar, jo në atë që është pretenduar. Në fund, dua t’i falënderoj ekipet tona të mbrojtjes dhe ekipin tim, në mbrojtjen e së drejtës. Dua t’i falënderoj bashkëqytetarët tanë që besojnë te pafajësinë tonë. Mbështetja e tyre ka bërë që këto pranga të mos i ndjej si barrë. Thuhet se njerëzit që bëjnë diçka të mirë për veten e tyre, janë njerëz me fat dhe unë jam njëri prej tyre”, tha ai.

Ora 15:05
Themelimi i UÇK-së, Selimi në Hagë: Nuk u krijua nga dëshira, por nevoja! Ishte mbijetesë, s’kishte rrugë tjetër

 

Në fjalimin e tij në gjykatën e Hagës, Rexhep Selimi tha se Serbia nuk e fshehu kurrë qëllimin e saj për të vrarë shqiptarët. Duke pyetur gjykatën sesi duhet të vepronin në kushtet e spastrimit etnik, të largoheshin a të prisnin radhën për t’u vrarë, Selimi tha se UÇK-ja ishte e vetmja zgjidhje. Një ushtri 100% vullnetare e krijuar nga nevoja për mbijetesë.

"Kur Serbia dhe Milosheviçi vrisnin moshatarët e mi, helmonin nxënës e studentë, largonin prindërit tanë nga puna, mbyllnin shkolla e spitale, zbatonin  spastrim etnik e gjenocid, çfarë duhet të bënim ne? Të mos reagonim? Serbia kurrë nuk e fshehu qëllimin e saj ndaj shqiptarëve. Ne dëgjuam gjeneralin e NATO-s teksa tha, citoj: ‘Milosheviçi më tha se e dimë sesi duhet të sillemi me shqiptarët, duhen vrarë të gjithë’ sepse Serbia kurrë nuk e fshihte qëllimin e saj. Të prisnim radhën për t’u vrarë? Apo të iknim nga vendi e shtëpitë tona? Prandaj duhet të rezistonim. Unë iu bashkova Adem Jasharit. UÇK-ja nuk u krijua nga dëshira, por nevoja. Nuk ishte aventurë, por mbijetesë. Unë isha pjesë e një ushtrie 100% vullnetare, nga njerëz që u detyruan të merrnin armët sepse nuk kishin rrugë tjetër", tha Selimi.

Ora 15:04
Gjyqi në Hagë/ Rexhep Selimi: Historia e Kosovës nuk mund të rishkruhet në një sallë gjyqi

 

Në fjalën e tij në Hagë, Rexhep Selimi deklaroi se historia e Kosovës nuk mund të rishkruhet në një sallë gjyqi.

'Historia nuk mund të rishkruhet në një sallë gjyqi, historinë e kanë shkruar me çmimin e sakrificës qytetarët, luftëtarët e lirisë dhe dëshmorët e atdheut", tha Selimi. 

Ora 15:02
Gjyqi në Hagë/ Rexhep Selimi: Prokuroria përpiqet të na ndaj ne shqiptarëve mes veti, lufta për liri nuk mund të barazohet me shtetin vrasës të serbisë

 

Edhe Rexhep Selimi ka mbajtur fjalën e tij para trupit gjykues në Hagë. 

"Po citoj akuzën e Prokurorisë: “Shtabi i përgjithshëm kërkonte pavarësinë e Kosovës, partitë politike që e mbështesnin autonominë konsideroheshin tradhtare.” Të nderuar, në Kosovë nuk ka pasur kurrë parti politike që ishte kundër pavarësisë dhe rrjedhimisht askush që mbështeste autonominë nën Serbinë, Partitë politike shqiptare ishin për pavarësinë ashtu si ishte qëllimi i UÇK. Sulm jo vetëm ndaj historisë së Kosovës, por ndaj të ardhmes. Sikur prokuroria përpiqet të na ndaj ne shqiptarëve mes veti. Lufta nuk mund të barazohet me shtetin vrasës të Serbisë, të barazish rezistencën me një plan kriminal", tha Selimi. 

Ora 15:01
Rexhep Selimi: Prokuroria po njollos luftën çlirimtare të Kosovës, akuzat nuk kanë bazë të vërtetën

 

Në fjalën e tij në tribunalin e Hagës, Rexhep Selimi kërkon pafajsinë e tij duke iu drejtuar prokurorisë se akuzat nuk i bazon në fakte dhe se po njollos historinë e Kosovës dhe luftën e UÇK-së që kishte si qëllim lirinë.

“Është e 3-ta herë dhe shpresoj të jetë e fundit që marr fjalën në këtë sallë gjyqi. Këto 5 vite nuk kanë qenë të lehta dhe as të parëndësishme për historinë e vendit tonë. Le të shërbejë gjithë kjo si mundësi dhe shans për drejtësinë. Pas gjithë këtyre viteve, ka dhe një element pozitiv, shpresoj se trupi gjykues ta ketë pasur kohen e mjaftueshme për të kuptuar se lufta ka qene e drejtë dhe pretendimet e prokurorisë nuk qëndrojnë. Në fjalën time në prill 2023, thashë se po përballesha me një aktakuzë të pabazuar, sot rrjedha e procesit më ka dhënë të drejtë, akuzat ndaj nesh janë të padrejta. Unë nuk ma ngriture sot ta mbroj veten time sepse këtë gjë e kanë bërë avokatët e mi, as për t’ju treguar për drejtësinë. Unë jam këtu sot për tu kërkuar nga ju që ta ushtroni drejtësinë. Kanë kaluar 3 vite nga ky proces prokuroria mbështet në akuza që nuk kanë në bazë të vërtetën dhe kanë njollosur një luftë që ishte çlirimtare, prokuroria që në fillim të fjalës përfundimtare, deklaroi se nuk kërkon dënimi ne shtabit të përgjithshëm të UÇK. Në fakt shënjestër ishte i gjithë shtabi, UÇK dhe në veçanti qëllimi i asaj, që ishte pavarësia, krijoji përshtypjen sikur vetë pavarësia po trajtohej si qëllim i përbashkët kriminal”, tha Rexhep Selimi.

Ora 14:57
Veseli e mbyll fjalën në Hagë me urim për Kosovën: Urime Pavarësia, ta gëzoni lirinë!

 

Në fund të fjalës së tij në gjykatën e Hagës, Kadri Veseli uroi Kosovën për 18-vjetorin e Pavarësisë.

“Urime Pavarësia! Ta gëzoni lirinë! Zoti e ndihmoftë Kosovën dhe njerëzit e saj të mirë!”, teksa përshëndeti një mik dhe falënderoi ekipin mbrojtës për punën e tyre.

Ora 14:56
Gjyqi në Hagë/ Kadri Veseli: Nuk mund të qëndroja indiferent ndaj vuajtjes së popullit tim

 

Në vijim të deklaratës së tij në Hagë, Kadri Veseli u ndal te ngjarjet e Prekazit. Veseli tha se nuk mund të qëndronte indiferent ndaj vuajtjes së popullit tw tij.

“Tragjedia në Prekaz nuk ka qenë një akt i izoluar, por vazhdim i masakrave të kryera nga forcat serbe. Ishte akt terrori që tejkaloi frikën normale të popullit të thjeshtë dhe tronditi edhe intelektualët e politikanët. Terrori dhe masakrat, si ato në Srebrenicë, kishin nisur të shfaqeshin edhe në vendin tim.

Nuk mund të qëndroja indiferent kur populli im po përballej me shkatërrim. Jeta kishte kuptim vetëm nëse populli im mund të jetonte në liri, jo si ushtar i dhunuar, por si individ në studime dhe në jetë normale. Jo me urrejtje, por me bindje e ndjeva detyrim moral ndaj vendit tim. Qëllimi im ishte të kontribuoja për lirinë e popullit tim”, u shpreh Veseli.

Ora 14:55
Veseli shprehet besimplotë në gjykatë: E vërteta s’ka arsye të ketë frikë, drejtësia vonon, por nuk mohohet

 

Në fjalën e tij para gjykatës në Hagë, Veseli tha se duhet të mbizotërojë drejtësia dhe paanshmëria e së vërtetës. Ai u shpreh se e vërteta s’ka arsye të ketë frikë nga e vërteta, ndërsa kjo e fundit mund të vonohet, por jo të mohohet.

“Historia na mëson se ata që vendosin paqe, shpesh përballen me pasoja. Duke parë realitetin e sotëm kur bota ka aq shumë nevojë për paqe, është e qartë se nuk arrihet gjithmonë lehtë. Krijimi i kësaj gjykate dhe funksionimi i saj është rezultat i një debati të gjerë në vendin tim. Ajo që duhet të mbizotërojë prej saj është drejtësia dhe paanshmëria e së vërtetës dhe realitetit objektiv që kemi vepruar ne. E vërteta s’ka arsye të ketë frikë nga drejtësia. Drejtësia mund të vonohet, por nuk mohohet kurrë. Sot këtu para jush qëndroj me këtë bindje. Unë e di kush jam, çfaë kam bërë e çfarë jo. Ndërgjegjja ime është e pastër. Historia ime është transparente. Tani çdokush mund ta shohë. Ne të gjithë jemi qenie humane me prirje e mendime të ndikuara nga ata që na rrethojnë. Besimi im te e vërteta dhe drejtësia mbetet i palëkundur. Dua të besoj fuqishëm se në vendimin tuaj do të  mbizotërojë  e vërteta, paanësia, drejtësia dhe ligji”, tha Veseli.

Ora 14:51
Veseli: Përfshirja ime në luftë, jo prej dëshirës për konflikt, por na u mohuan të gjitha të drejtat 

 

Në vijim të deklaratës së tij para trupit gjykues në Hagë, Kadri Veseli foli për rrethanat që, sipas tij, e shtynë të përfshihej në luftë, duke theksuar se nuk ishte një zgjedhje e motivuar nga dëshira për konflikt.

“Pjesëmarrja ime në luftë nuk lindi prej dëshirës sime për konflikt. Kam dëshiruar një jetë të thjeshtë, të jetoja në paqe me familjen time. Kam qenë student kur u shfuqizua autonomia e Kosovës dhe universiteti u sulmua nga forcat serbe. Të gjitha të drejtat na janë mohuar, autonomia e Kosovës u hoq dhe ne studentët u përjashtuam nga konviktet. U përfshiva për të jetuar si qytetar i lirë dhe i barabartë. E vërteta e asaj që po ndodhte dihej botërisht: Serbia dhe Millosheviçi kërkonin kontrollin mbi të gjithë popujt e Jugosllavisë.

“Në vitet ’90 jam larguar nga Kosova, një largim i detyruar, në kërkim të një mundësie për një jetë më normale. Por, ndërsa unë jetoja në një vend të lirë, vendi im po përjetonte vuajtje të thella. Gjendja në Kosovë ishte shndërruar në përjashtim të shumicës”, u shpreh Veseli.

Ora 14:50
Gyqi në Hagë/ Kadri Veseli: Nuk është provuar asnjë veprim i kundërligjshëm nga ana ime

 

Edhe ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka mbajtur fjalën e tij para trupit gjykues në Hagë, duke deklaruar se pas viteve të gjata hetimesh nuk është paraqitur asnjë provë që ta lidhë me kryerjen e ndonjë krimi si drejtues i UCK.

“Pas dekadash hetimesh, dokumentesh dhe dëshmish të panumërta, nuk ka asnjë provë që të tregojë se kam kryer ndonjë krim. Nuk është provuar asnjë veprim i kundërligjshëm nga ana ime. Kjo nuk është çështje interpretimi, kjo është çështje fakti”, u shpreh Veseli.

Ora 14:49
Fjala e Veselit në Hagë: Familja dhe populli im kemi jetuar nën persekutim të vazhdueshëm, s’ia uroj askujt

Veseli përshkroi para gjykatës në Hagë frikën dhe persekutimin prej Serbisë kundrejt familjes dhe popullit të Kosovës.

“Familja ime dhe unë kemi jetuar nën persekutim të vazhdueshëm. Kjo ka prekur secilin anëtar të saj, por edhe popullin tim. Burrat, gratë, fëmijët përballeshin çdo ditë me padrejtësi e frikë. E di ç’do të thotë të jetosh i pambrojtur dhe nën kërcënim të vazhdueshëm. Nuk ia uroj askujt”, tha Veseli.

Ora 14:47
Nis fjala e Veselit në Hagë: Gjykata duhet të mbrojë të vërtetën dhe paanësinë, i kam shërbyer vendit tim

Kadri Veseli nis fjalimin e tij në seancën e fundit të deklaratave përmbyllëse në Hagë. Ai tha se gjykata duhet të mbrojë të vërtetën dhe pafajësinë. Vesei tha se nuk e ka humbur kurrë besimin te liria dhe e drejta.

“Në fund të gjykimit tim po ju drejtohem për të theksuar një pikë të vetme por të jashtëzakonshme prej rëndësie. Gjykata duhet me çdo kusht të mbrojë të vërtetën dhe paanësinë. Është trashëgimia që do të mbetet prej saj. Ky është shkaku pse iu bashkova grave e burrave që u rreshtuan për lirinë e Kosovës dhe i kam shërbyer vendit tim që të gjithë ta njohin të vërtetën. Në momentet më të errëta s’e humba kurrë besimin se liria dhe e drejta do të triumfonin. Populli i Kosovës kishte të drejtën e patjetërsueshme për të jetuar me liri e dinjitet. Kam besuar se vuajtjet do të merrnin fund. Nuk kam besuar kurrë se dhuna, urrejtja e hakmarrja mund të jenë udhërrëfyes. Liria s’mund të arrihet përmes padrejtësisë. Paqja s’mund të ndërtohet mbi krim. Ky s’ka qenë parim teorik, por bindje morale që ka udhëhequr çdo veprim timin”, tha Veseli.

Ora 14:44
Thaçi në Hagë: Propaganda ruse dhe serbe manipuloi Dick Martyn, tentuan ta vrisnin për të na fajësuar ne! Lufta la pas trauma, zemërim dhe ndjenjën e hakmarrjes

Ish-presidenti i Kosovës Hashim Thaçi tha se lufta dhe traumat që shkaktuan masakrsat, ngjallën në shpirtin e popullit kosovar ndenjën e zemërimit dhe të urrejtjes. Thaçi tha se ka bërë thirrje përherë për paqe, tolerantë.

“Pas hyrjes së NATO në Kosovë, qytetarët e Kosovës nuk po luftonin, po festonin lirinë e shumëpritur, gjatë 9 viteve,  ne ishim qytetarë të OKB. Gjatë kësaj kohe, unë i bëja thirrje popullatës të kishte durim, të ishin tolerantë, të bashkuar dhe të kishin besim tek ndërkombëtarët, pavarësia ishte fryt i aleancës tonë. Pas pavarësisë punova me BE me SHBA dhe faktorë të tjerë për normalizimin e raporteve në Serbinë. Ajo me të cilën u përballëm , nuk ishte vetëm lufta, ishte një shekull shtypje, traumat kolektive shkaktuan dhe ndjenjën e zemërimit dhe hakmarrjen gjatë dhe pas luftës. Presidenti Klinton erdhi pas lufte dhe na tha ‘ne e fituam luftën ndërsa ju duhet të fitoni paqen’. E mora këtë mesazh seriozisht. E përdora zërin tim për bërë thirrje për paqe, tolerancë. Në pjesën më të madhe deri në shpalljen e pavarësisë, isha jashtë pushteti. Erdhe kur erdha në pushtet, kam ardhur me fitore elektorale. Gjatë tërë kohës respektova normat demokratike dhe rezultatet e zgjedhjes, kurdo që partia ishte ishte në pushte ishte në koalicion me parti të tjera politike. Së bashku e bëmë shtetin. Propaganda ruse dhe serbe nuk do të falnin lehtë pasi dështuan ta deligjitimojnë pavarësinë e Kosovës këtu në Hagë, ata ia mësynë KE. Ngjallën pretendime të tmerrshme për trafik organesh, pretendime që ishin hetuar më parë, Hagë, Uni EULEX dhe ishin hedhur poshtë si të pabaza. Sapo u publikua raporti i Dick Marty, mblodha përfaqësuesit kryesore ndërkombëtarë. Kërkova një tjetër hetim të pavarur, ata premtuar se do të heqin renë e zezë mbi Kosovën. Dick Marty ra viktimë e propagandës së tyre e në fund tentuan dhe ta vrisnin duke tentuar të na fajësonin neve”, tha Thaçi.

Ora 14:43
Thaçi: Kjo Prokurori po injoron të vërtetën, i vetmi vendim i drejtë është pafajësia e plotë

Në përmbyllje të fjalës së tij para trupit gjykues në Hagë, ish-Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kërkoi që vendimi të bazohet vetëm mbi prova dhe ligj, duke këmbëngulur se akuzat ndaj tij nuk qëndrojnë.

“Gjatë gjithë jetës sime isha përkrah popullit të Kosovës në mbrojtje të lirisë dhe dinjitetit njerëzor duke u udhëhequr nga idealet e barazisë dhe drejtësisë. Kam vetëm një lutje që vendimi juaj të jetë në përputhje me provat, ligjet e faktit. Provat e bëjnë të qartë se akuzat nuk qëndrojnë, ndaj i vetmi vendim i drejtë është pafajësia e plotë”, tha Thaçi.

Ora 14:36
Gjyqi në Hagë/ Thaçi: Edhe serbët sikurse edhe ne, ishim viktima të Millosheviç (VIDEO)

Ish-Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka marrë fjalën në seancën gjyqësore në Hagë, ku po përballet me akuzat ndaj tij si ish-drejtues i UÇK-së. Në deklaratën e tij para trupit gjykues, Thaçi theksoi se pas luftës ka punuar për ndërtimin e një shoqërie multietnike dhe për bashkëjetesë mes shqiptarëve dhe serbëve në Kosovë, duke e cilësuar regjimin e Slobodan Millosheviçit si përgjegjës për vuajtjet e të dyja komuniteteve.

“Punova me strukturat e përbashkët të UNMIK. gjatë kësaj kohe i vetmi pushtet që kisha unë, ishte pushteti i zërit tim. Siç e keni parë, unë e përdora zërin tim për të provuar një shoqëri etnike, tolerante në vendin time në Kosovë, unë u bëra thirrje serbëve lokale që të qëndrojnë në shtëpinë e tyre dhe të ndërtojnë një jetë të re së bashku me ne. Edhe serbët sikurse edhe ne, ishim viktima të Milloshevic. Ishte gjëja më e drejtë dhe më e duhur që mund të bëja. Kur në Kosovë po hapeshin varre për mijëra viktima, mijëra të zhdukur, mijëra pengje shqiptar ishin marrë me vete në serbi, humbja ishte e thellë dhe kolektive, ajo që mund të bëja mund të kishte edhe pasoja fizike por edh elektoral, e por Kosova ishte më e të rëndësishme se sa fati im personal”, tha Thaçi.

Ora 14:35
Thaçi në Hagë: Fitorja e Kosovës ishte historike, synimi ishte paqja! Serbia zgjodhi luftën e gjenocidin

Ish-presidenti Thaçi tha se UÇK-ja ishte një organizim popullor që mbrohej nga një shtet agresor. Fitorja ishte historike, kurse suksesi më i madh bashkëpunimi me Perëndimin. Thaçi tha se synimi ishte paqja e jo lufta. Kosova zgjodhi paqen e demokracinë, ndryshe nga Serbia që donte luftën e gjenocidin.

“UÇK-ja nuk ishte shteti, nuk ishte ushtri e një shteti, ishte organizim popullor që po mbrohej nga një shtet agresor. Nuk e zbeh kauzën e asaj, nuk e bën akuzën e saj më pak fisnike dhe arritjen e saj historike. Fitorja e Kosovës ishte më shumë historike dhe diplomatike. Suksesi më i madh ishte bashkëpunimi i plotë dhe besimi me perëndimin. Ata na ndihmuan sepse e dinin kush ishim dhe çfarë qëllimi kishim. Me asnjë çmim e rrethanë nuk do të rrezikoja këtë aleancë me asgjë në këtë botë sepse ashtu do të rrezikoja vetë lirinë e Kosovës. Synimi ynë ishte paqja, jo lufta. Kur bota demokratike vendosi të thërrasë Konferencën e Paqes në Rambuje, ne u përgjigjëm  pozitivisht. UÇK-ja ishte një nga 3 përfaqësueset e Kosovës në të. Gjatë gjithë procesit ne punuam si delegacion i Kosovës, pranuam marrëveshjen e paqes edhe pse ajo nuk i plotësonte të gjitha kërkesat legjitime. Kosova zgjodhi paqen e demokracinë, Serbia luftën dhe gjenocidin. Tri grupet LDK, UÇK dhe LBD u pajtuan për formimin e një qeveri të përbashkët që do të funksiononte deri në zgjedhjet e para të lira demokratike.  Sot si mundet dikush të pretendojë se qëllimi ishte marrja e kontrollit të Kosovës kur ne pranuam që bashkësia të kishte fjalën dhe pastaj UÇK t’i dorëzonte armët NATO-s?", tha Thaçi

Ora 14:33
Thaçi: Në 1998 bëja plane si të merrja provimet, i vetmi që bënte plane për gjenocid ishte Milosheviçi

Hashim Thaçi tha para gjykatës në Hagë se është plotësisht i pafajshëm dhe akuzat e Prokurorisë nuk qëndrojnë. Ai tha se në vitet 1998 ishte student në Zyrih që mendonte si të merrte provimet, ndërsa Milosheviçi bënte plane për gjenocid.

“Në kohën e masakrave në fillim të vitit 1998 unë isha student në Zyrih. Nuk po bëja plane si ta merrja kontrollin në Kosovë, por për provimet në universitet. I vetmi njeri që po bënte plane morbide ishte Slobodan Milosheviç. Plane për një gjenocid të ri në Kosovë. Prandaj, si shumë qytetarë të tjerë kosovarë, u detyrova ta lëshoja Kosovën sepse regjimi i Milosheviçit më kishte ndjekur. Ai më kishte dënuar në mungesë me akuzën se kisha shkelur ligjet e tij diskriminuese”, tha Thaçi”.

Ora 14:31
Thaçi përballë gjyqtarëve të Hagës: Kam bërë për Kosovën atë që do të kishin bërë dhe ju për vendin tuaj! Nuk dija nëse do isha gjallë, jo të mendoja për pushtet

Ish-presidenti i Kosovës Hashim Thaçi u tha gjyqtarëve dhe prokurorëve të Hagës se ka bërë për popullin e tij atë që do të kishin bërë dhe ata për vendin e tyre nëse do të përjetonin të njëjtat ngjarje.

Thaçi tha se akuza që ai ka pretenduar për të marrë kontrollin e Kosovës, është ofenduese për mijëra viktima të pafajshme dhe luftëtarë.

“Vendosa të kthehem në Kosovë në vitin 1998. Ky ishte vendim personal, i askujt tjetër. Nuk mund të qëndroja anash ndërsa familja dhe populli im përballej me shfarosjen. Bëra atë që do të bënte secili prej jush nëse vendi juaj do të përjetonte atë që përjetonte populli im. Për këtë jam krenar dhe nuk i bie pishman asnjëherë.

Prokuroria pretendon se qëllimi im ishte marrja e kontrollit të Kosovës. Kjo është e pavërtetë, por është edhe ofenduese. Është ofendim për kujtimin e mijëra heronjve që dhanë jetën për liri. Është ofendim për mijëra viktima të pafajshme të vrara gjatë masakrave. Është ofendim dhe e padrejtë edhe për përpjekjet e NATO-s dhe aleancës perëndimore, me të cilën bashkëpunova ngushtë.

I vetmi kundërshtar i imi, i popullit të Kosovës dhe i botës demokratike ishte Sllobodan Millosheviçi. Është e rëndë të dëgjosh këtë akuzë, veçanërisht kur gjatë luftës nuk e dija nëse do të isha gjallë prej orës në orë dhe ditës në ditë. Nuk isha i sigurt nëse do ta shihja familjen time, lëre më të ëndërroja të ushtroja kontroll në Kosovën e pushtuar për rreth 90 vite.

Fakti që jam sot gjallë është rastësi dhe fat. Nuk u ktheva të rrezikoja jetën time për kontroll dhe pushtet; u ktheva duke rrezikuar jetën për liri dhe paqe. Pyetja që shtrohet është: marrje e kontrollit prej kujt? Kush?

E vërteta është se kontrolli dhe pushteti ishin në duart e hekurta të Millosheviçit. Shqiptarët nuk ushtronin pushtet; është paradoksale. Shtypeshin nga Millosheviçi. Unë nuk kisha iluzione, por shpresa jonë e vetme për shpëtim ishte bota demokratike, SHBA-ja dhe NATO-ja. I gjithë fokusi im ishte ndërtimi dhe forcimi i kësaj aleance. Për këtë qëllim udhëtova në shumë qytete për t’i bindur për kauzën tonë: Bruksel, Londër, Berlin e vende të tjera.

Kudo që isha, isha në kontakte të vazhdueshme me zyrtarë të administratës amerikane. Millosheviçi e kishte filluar luftën dhe ne vetëm po vetëmbroheshim. Luftën mund ta përfundonte vetëm NATO-ja, dhe ashtu ndodhi. Po të mos ishte intervenimi i NATO-s, nuk do të kishte pavarësi të Kosovës”, tha Thaçi.

Ora 14:24
Gjyqi në Hagë, Thaçi: Akuzat nuk qëndrojnë, jam plotësisht i pafajshëm

Ish-presidenti Hashim Thaçi ka marrë fjalën përpara gjykatës në Hagë, në seancën përfundimtare të deklaratave përmbyllëse. Ai e nisi fjalimin duke uruar fillimisht festën e Pavarësisë për atdheun e tij. Thaçi u deklarua i pafajshëm për akuzat, ndërsa shprehu keqardhjen për të gjitha viktimat, pa dallim etnik.

“Për gati 3 vjet keni dëgjuar akuzat e Prokurorisë dhe argumentet e mbrojtjes. Keni parë faktet, keni dëgjuar të vërtetën. Është vetëm një: akuzat nuk qëndrojnë. Unë jam plotësisht i pafajshëm, por kam thënë dhe them me bindje të plotë: unë bashkëndiej dhe shpreh keqardhje për të gjitha viktimat në Kosovë pa marrë parasysh përkatësinë etnike”, tha Thaçi.

Ora 14:24
Seanca përmbyllëse në Hagë, nis fjala përfundimtare e Thaçit: Urime Kosovës për festën e pavarësisë 

Ish-presidenti Hashim Thaçi ka marrë fjalën përpara gjykatës në Hagë, në seancën përfundimtare të deklaratave përmbyllëse. Ai e nisi fjalimin duke uruar fillimisht festën e Pavarësisë për atdheun e tij.

“Më 17 shkurt 2008 duke ndier rrahjet e zemrave të stërgjyshërve tanë shpallëm Kosovën shtet të pavarur e sovran. Dëshiroj që sot nga kjo sallë t’u përcjell  urimet më të përzemërta të gjithë qytetarëve për këtë festë madhështore."

Ora 12:29
Gjyqi në Hagë, avokati i Krasniqit besimplotë për pafajësinë: Prokuroria përzgjedh fragmente që i shkojnë për shtat

Aidan Ellis, avokati i Jakup Krasniqit, i cili mbajti fjalën përfundimtare, tha se argumentet e Prokurorisë vazhdojnë të karakterizohen nga përzgjedhja e qëllimshme. Gjithashtu ai tha se në vend të analizës, paraqesin shtrembërim.

“Prokuroria përzgjodhi fragmente që i shkojnë për shtati teorisë së saj, ndërkohë që nuk mori parasysh fare sqarimet me gojë si dhe dëshmi shfajësuese dhe të pakundërshtuara nga vetë dëshmitarë të Prokurorisë. Kjo nuk është analizë, kjo është shtrembërim”, tha avokati.

Para prokurorëve dhe trupit gjykues, ai u shpreh besimplotë se kur gjykatësit të zbatojnë vlerësimet dhe të shohin dokumentet, do ta shpallin Krasniqin të pafajshëm.

Ora 12:16
Gjyqi për ish-krerët e UÇK, avokati i Selimit: Prokuroria e paaftë për të dalluar pretendimet nga provat, të lirohet menjëherë

Avokati mbrojtës i Selimit tha se është shqetësuese paaftësia e Prokurorisë së Specializuar për të bërë dallimin ndërmjet pretendimeve dhe provave.

“Paaftësia e Prokurorisë për të bërë dallimin mes pretendimeve dhe provave, është po aq shqetësuese në këtë fazë të procesit gjyqësor, sa është edhe befasuese. Por edhe paaftësia për të trajtuar pikat e tjera që janë ngritur në lidhje me NPK-në theksojnë mungesën e qartësisë dhe besimit që ka vetë Prokuroria në argumentet e veta”, tha Geoffrey Roberts.

Ai shtoi se trupi gjykues nuk duhet të bazohet në provat e paraqitura nga Prokuroria, duke shtuar se kjo e fundit nuk mund të vërtetojë fajësinë e klientit të tij.

“Rexhep Selimi të lirohet menjëherë dhe të kthehet në Kosovë pranë familjes së tij”, tha Roberts duke mbyllur fjalën e tij.

Ora 12:03
Gjyqi në Hagë, mbrojtja e Selimit s’e kursen Prokurorinë: Edhe vetë asaj i vjen turp për argumentet kundër tij (VIDEO)

Mbrojtja e Kadri Veselit përfundoi fjalën duke i lënë radhën Rexhep Selimit.

Avokati i Rexhep Selimit, Geoffrey Roberts, gjatë fjalëve përmbyllëse të mbrojtjes, tha se Prokurorisë së Specializuar i vjen turp” për argumentet që ka ndaj klientit të tij.

“ZPS-së vetë i vjen turp për argumentet e veta për Selimin. Nuk mund të dilet në asnjë përfundim tjetër si nga parashtrimet e së hënës, ashtu edhe nga dosja e tyre përfundimtare. Nëse vetë Prokuroria nuk është e bindur për argumentet e veta për Selimin, si mund t’ju bindë ju?”, tha ai në nisje të fjalës së tij.

Ora 12:02
Përfundon mbrojtja e Veselit në Hagë, kërkon shpalljen e pafajësisë: Argumentet e Prokurorisë, thërrime thashethemesh

Avokati Dixon kërkoi që trupi gjykues ta shpallë të pafajshëm Kadri Veselin, pasi tha se nuk ka prova që e lidhin atë me krimet e pretenduara në atakuzë.

Ai kritikoi Prokurorinë se nuk ka ofruar një lidhje mes pretendimeve se Veseli ka kryer krime. Ajo që mbetet nga argumentet e ZPS-së është thjesht “thërrime thashethemesh”, duke shprehur përbuzje për vetë themelin e gjykatës, tha Dixon.

Ora 11:27
Mbrojtja e Veselit merr fjalën në Hagë: Fajësia s’mund të shpallet me thashetheme, argumentet janë të pabaza

Avokati i Kadri Veselit, Rodney Dixon, tha se gjykata nuk mund të shpallë fajtor një person, nëse kjo shpallje fajësie “mbështetet mbi prova të patestuara dhe thashetheme”. Ai përsëriti se ZPS nuk ka asnjë provë që lidh Veselin me krimet e pretenduara.

Dixon tha se të hënën, ZPS bëri një përpjekje të fundit për ta lidhur Veselin me pikat e aktakuzës. “Ata pretendojnë se ne nuk e kemi trajtuar themelin e akuzën e ZPS. Kjo është akuzë e rëndë sepse unë trajtova çdo pretendim të tyre për t’iu treguar se ishin të pabaza”, tha Dixon.

Avokati tha se të gjitha pretendimet e drejtpërdrejta apo rrethanore kundër Veselit “janë të pabazuara”. Si shembull ai mori një video të publikuar nga Prokuroria ku një dëshmitar tha se kishte dëgjuar nga dikush se Veseli ishte përfshirë në krime.

“Ky është thashethem i pastër. Ky klip është i pavlerë”, tha ai, duke shtuar se nuk është provë dhe se mbrojtja nuk ka mundur ta marrë në pyetje këtë dëshmitar.

Ora 11:07
Mbrojtja e Thaçit përfundon fjalën, kërkon vendim shfajësues nga Gjykata e Hagës

"Shpallim pafajësinë për të gjitha aktakuzat", tha avokati i Thaçit, Luka Mishetiç në fund të fjalës së tij.

Paraprakisht, ai pretendoi se ZPS nuk ka paraqitur prova që tregojnë kontribut të konsiderueshëm të të akuzuarve në Ndërmarrjen e Përbashkët Kriminale.

"Standardi që ka Gjykata është që duhet të ketë një kontribut të konsiderueshëm për krimet në atakuzë. Prokuroria për këtë nuk ka treguar asnjë provë", tha ai.

Ora 11:04
Avokati i Thaçit ‘çmonton’ pretendimin e Prokurorisë, i kujton Gjykatës dëshminë e Clark për Milosheviçin dhe komunikatat e UÇK-së

Luka Mishetiç thotë se Prokuroria e Specializuar vazhdon të pretendojë se dëshmitarët ndërkombëtarë nuk ishin të informuar për komunikatat e UÇK-së.

Lidhur me këtë, avokati i Thaçit përmendi dëshminë e ish-gjeneralit suprem të NATO-s, Wesley Clark, i cili pati deklaruar se ai vetë kishte informuar Sllobodan Milosheviçin për bombardimet në Serbi.

Prokuroria vazhdon të pretendojë që ndërkombëtarët nuk ishin të informuar me dokumentet dhe komunikatat e UÇK-së, duke cituar ndër të tjera edhe dëshminë e dëshmitarit Clark. Por, në qoftë se ju kujtohet dëshmia e dëshmitarit Clark lidhur me tri takimet e tetorit me Millosheviçin, ai na tha se në këto takime i ishte thënë Milosheviçit se NATO-ja do ta bombardonte vendin nëse Milosheviçi nuk do të ndërpriste luftimet ndaj Kosovës. Sigurisht që Milosheviçi ka qenë i informuar për komunikatat, se në fund të ditës Kosova ishte thjesht një provincë e Jugosllavisë”, tha Mishetiç.

Ora 10:57
Gjyqi për ish-krerët e UÇK, avokati i Thaçit: Prokuroria fshehu provat deri në dosjen përfundimtare

Avokati i Hashim Thaçit, Luka Mishetiç ka akuzuar Prokurorinë e Specializuar se ka fshehur provat deri në dosjen përfundimtare, pasi sipas tij, e ka ditur që mbrojtja do ta sulmonte dhe do t’i hidhte poshtë këto dëshmi.

Ai theksoi se Prokuroria po ndryshon paraqitjen e provave në kundërpërgjigjet e tyre. Mishetiç përmendi edhe dëshminë e Bislim Zyrapit, duke theksuar se ai nuk ishte dëshmitar i besueshëm.

“Të mërkurën i kërkuam Prokurorisë të na shpjegonte se si arriti në këtë përfundim, kur Zyrapi ishte i pranishëm në takimet e UÇK-së dhe Zyrapi nuk ishte anëtar i NPK-së. Ne nuk morëm asnjë përgjigje, dhe arsyeja për këtë është se Prokuroria nuk ka asnjë përgjigje. Për ne kjo nuk ka kuptim”, tha Mishetiç.

Ora 10:23
Gjyqi në Hagë, flet mbrojtja e Thaçit: Prokuroria s’do që Gjykata të bëjë punën e saj, dështoi me mbledhjen e provave (VIDEO)

Avokati i Thaçit, Luka Mishetiç tha se nuk ka asnjë provë që Thaçi ka pasur rol në kryerjen e krimeve apo ka transmetuar “qëllimin e përbashkët kriminal” të të akuzuarve, apo të ketë pasur rol në hartimin dhe shpërndarjen e komunikatave të UÇK-së.

“Mbrojtja e di që ju do e bëni punën tuaj i nderuar gjykatës, dhe ju do të pranoni konsensusin, pra provat që kemi ju kanë përshkruar juve. Në fakt është Prokuroria ajo që nuk dëshiron që ju të bëni punën tuaj. Ata duan që ju të bëni punën e atyre, ata duan që ju të gjeni prova që ata nuk arrinin të gjenin. Por siç e thashë të hënën, barra e provës bie mbi ZPS-në dhe vetëm mbi ZPS-në, dhe ata dështuan për këtë”, tha ai.

Sipas tij, Zyra e Prokurorit të Specializuar bëri “mëkat të madh”, pasi sipas tij, premtoi shumë, por nuk i mbështeti pretendimet me prova.

“Ata kanë premtuar fishekzjarrë, spektakël, por nuk kanë paraqitur asgjë”, tha avokati.

Ora 10:09
Gjyqi në Hagë/ Avokati i viktimave: Nuk vërtetuam lidhjen e tyre me ish-krerët e UÇK-së, i takon Prokurorisë (VIDEO)

Mbrojtësi i viktimave, Simon Laws, ka nisur të përgjigjet për pretendimet e ngritura nga palët. Fillimisht ai u mor me pretendimin e mbrojtjes së Rexhep Selimit se mbrojtësi i viktimave nuk ka treguar lidhjen mes krimeve të pretenduara dhe Selimit.

“Nuk ka kusht ligjor që të vërtetojmë lidhjen mes Selimit dhe krimeve, në asnjë fazë të procesit. Ne sigurisht nuk jemi përpjekur të bëjmë lidhjen e krimeve dhe Selimit. Ne kemi paraqitur informacione dhe prova që kanë pësuar viktimat. Kjo kërkohet nga ne. Nuk është puna jonë të vërtetojmë akuzat ndaj Selimit, kjo është puna e Prokurorisë”, tha Laws.

Laws shtoi se mungesa e ekzaminimeve individuale të viktimave “nuk i bën dëshmitë të parëndësishme”.

Ai tha se qëllimi i mbrojtësit të viktimave është që të tregojë pasojat e viktimave sikurse është stresi post-traumatik dhe rrëfimet e viktimave, tha ai, do të ndihmojnë trupin gjykues të përcaktojë nëse ka pasur lidhje mes krimeve dhe të akuzuarve.

Ora 09:39
Familjarët e ish-krerëve të UÇK-së në Gjykatën e Hagës, katërshja i përshëndet mes emocionesh

1770721032_ishkrereteuck.jpg

Familjarët e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë mbërritur në Gjykatën e Hagës. Të pranishëm janë gruaja dhe djali i Kadri Veselit, gruaja dhe vëllezërit e Rexhep Selimit si dhe djali i Jakup Krasniqit.

Sipas mediave në Kosovë, me hapjen e perdes që ndan galerinë nga salla e gjyqit, katërshja e UÇK-së ka përshëndetur familjarët që sot kanë ardhur në numër të madh në ndërtesën e Speciales. 

Secili, gjatë kohës sa pritej të hynte në sallë trupi gjykues, kanë parë në anën e majtë të tyre dhe u kanë buzëqeshur e përshëndetur me dorë ata. Rexhep Selimi është parë duke bërë me duar një shenjë zemre ndaj të afërmve. 

Ora 09:31
Glauk Konjufca në Hagë: Shkelje brutale e së drejtës së njeriut, lufta e Kosovës ishte e drejtë dhe e pastër (VIDEO)

Glauk Konjufca, zëvendëskryeministri i Kosovës, ndodhet sot në Gjykatën Speciale në Hagë për të ndjekur deklaratat përmbyllëse dhe fjalën përfundimtare të ish-liderëve të UÇK-së.

Konjufca tha se në procesin gjyqësor ndaj katërshes së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka pasur shkelje brutale të të drejtave të njeriut. Sipas tij, kjo e drejtë u shkel në mënyrë të dhunshme sepse prej 5 vitesh e 3 muajsh, katërshja qëndron larg familjen e shtetit.

Ai thotë se prania e tij është një rikonfirmim se lufta e Kosovës ishte e drejtë dhe e pastër, me qëllim mbrojtjen e popullit të vet dhe jo sulmin ndaj një tjetri.