Ish-presidenti i Kosovës Hashim Thaçi u tha gjyqtarëve dhe prokurorëve të Hagës se ka bërë për popullin e tij atë që do të kishin bërë dhe ata për vendin e tyre nëse do të përjetonin të njëjtat ngjarje.

Thaçi tha se akuza që ai ka pretenduar për të marrë kontrollin e Kosovës, është ofenduese për mijëra viktima të pafajshme dhe luftëtarë.

“Vendosa të kthehem në Kosovë në vitin 1998. Ky ishte vendim personal, i askujt tjetër. Nuk mund të qëndroja anash ndërsa familja dhe populli im përballej me shfarosjen. Bëra atë që do të bënte secili prej jush nëse vendi juaj do të përjetonte atë që përjetonte populli im. Për këtë jam krenar dhe nuk i bie pishman asnjëherë.

Prokuroria pretendon se qëllimi im ishte marrja e kontrollit të Kosovës. Kjo është e pavërtetë, por është edhe ofenduese. Është ofendim për kujtimin e mijëra heronjve që dhanë jetën për liri. Është ofendim për mijëra viktima të pafajshme të vrara gjatë masakrave. Është ofendim dhe e padrejtë edhe për përpjekjet e NATO-s dhe aleancës perëndimore, me të cilën bashkëpunova ngushtë.

I vetmi kundërshtar i imi, i popullit të Kosovës dhe i botës demokratike ishte Sllobodan Millosheviçi. Është e rëndë të dëgjosh këtë akuzë, veçanërisht kur gjatë luftës nuk e dija nëse do të isha gjallë prej orës në orë dhe ditës në ditë. Nuk isha i sigurt nëse do ta shihja familjen time, lëre më të ëndërroja të ushtroja kontroll në Kosovën e pushtuar për rreth 90 vite.

Fakti që jam sot gjallë është rastësi dhe fat. Nuk u ktheva të rrezikoja jetën time për kontroll dhe pushtet; u ktheva duke rrezikuar jetën për liri dhe paqe. Pyetja që shtrohet është: marrje e kontrollit prej kujt? Kush?

E vërteta është se kontrolli dhe pushteti ishin në duart e hekurta të Millosheviçit. Shqiptarët nuk ushtronin pushtet; është paradoksale. Shtypeshin nga Millosheviçi. Unë nuk kisha iluzione, por shpresa jonë e vetme për shpëtim ishte bota demokratike, SHBA-ja dhe NATO-ja. I gjithë fokusi im ishte ndërtimi dhe forcimi i kësaj aleance. Për këtë qëllim udhëtova në shumë qytete për t’i bindur për kauzën tonë: Bruksel, Londër, Berlin e vende të tjera.

Kudo që isha, isha në kontakte të vazhdueshme me zyrtarë të administratës amerikane. Millosheviçi e kishte filluar luftën dhe ne vetëm po vetëmbroheshim. Luftën mund ta përfundonte vetëm NATO-ja, dhe ashtu ndodhi. Po të mos ishte intervenimi i NATO-s, nuk do të kishte pavarësi të Kosovës”, tha Thaçi.


Lajmi kryesor:

Gjyqi në Hagë, 4 ish-krerët e UÇK-së: Po na mohoni kthimin në Kosovën e lirë! Akuzat janë të rënda, ne jemi të pafajshëm