Sot zhvillohet seanca e gjashtë e deklaratave përmbyllëse në rastin kundër ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve, Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, dhe ish-deputetit, Rexhep Selimi në Gjykatën Speciale, me seli në Hagë. Sot përfundon deklaratat mbrojtja e Krasniqit, pasi të tjerët i kanë shpalosur argumentet e tyre.
Në nisjen e deklaratave përmbyllëse të premten, avokatja e tij, Alagendra Venkateswari, tha se Krasniqi duhet të shpallet i pafajshëm dhe të kthehet pranë familjes.
“Lejoni këtë zotëri 75-vjeçar që të kthehet në familjen e tij dhe të kalojë vitet që i ka caktuar Zoti me familjen e tij”, tha ajo duke theksuar se ai ka 1962 ditë në paraburgim.
Avokatja tha se prokuroria mbështetet në “akuza e spekulime” dhe “s’ka dëshmitarë që pretendojnë se Krasniqi i ka keqtrajtuar.” Veç të tjerash, shtoi se Prokuroria nuk ka arritur të vërtetojë lidhjen e Jakup Krasniqit me akuzat e pretenduara.
Ajo e cilësoi si “të shtrembëruar dhe të paplotë” dokumentacionin e ofruar nga ZPS-ja, dhe tha se trupi gjykues do të përballet me hetime selektive të kryera nga organi ndjekës.
Pas mbrojtjes, trupi gjykues do të ketë hapësirë për të parashtruar pyetje për palët dhe më pas radhën e ka Prokuroria. Deri më tani deklarata përmbyllëse i kanë shpalosur Prokuroria, ekipi mbrojtës i viktimave, mbrojtja e Thaçit, Veselit dhe Selimit.
Ish-eprorët e UÇK-së, akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, për të cilat të katërtit janë deklaruar të pafajshëm. Pas përmbylljes së deklaratave, çështja do të kalojë te trupi gjykues. Gjykatësit kanë tre muaj kohë që të marrin një vendim për çështjen, ose të kërkojnë zgjatjen e afatit për marrjen e vendimit.
Ditën e martë, më 17 shkurt, do të mbahet një marshim qytetar në Prishtinë për të mbështetur ish-krerët e UÇK-së. Protesta nis në orën 17:00, në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë dhe priten të jenë të pranishme edhe figura të njohur të politikës. Gjithashtu protesta përkon me 18-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës.
Komente










