TIRANË- Në gjyqin për masakrën e Gërdecit, ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu ka kërkuar përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka. Avokati Henrik Ligori, duke iu referuar një vendimi të Gjykatës së Lartë të korrikut 2025, argumentoi se ekziston papajtueshmëri ligjore që gjyqtari i seancës paraprake të shqyrtojë edhe çështjen e themelit.

“Nëse do të shqyrtohet nga ju çështja mund të kthehet sërish. Ne kërkojmë përjashtimin tuaj nga ky gjykim”, tha avokati Ligori.

Nga ana e saj, gjyqtarja Irena Gjoka pyeti nëse palët ishin njohur me kërkesën e saj për heqje dorë nga shqyrtimi i çështjes, ndërsa avokati konfirmoi se ishin vënë në dijeni. Në nëntor 2025 ishte vetë gjyqtarja Gjoka që kërkoi të largohej nga gjykimi i kësaj çështje, me argumentin se nuk mund të ishte pjesë e gjykimit pasi ajo ka qenë gjyqtare e seancës paraprake në këtë çështje dhe e mori gjykimin se i pandehuri kërkoi fillimisht gjykim të shkurtuar. Por, kërkesa e saj u rrëzua nga GJKKO

Përfaqësuesi i SPAK, Arben Kraja, u shpreh se prokuroria nuk ka një qëndrim lidhur me kërkesën e avokatëve. Ndërkohë, gjyqi për masakrën e Gërdecit do të vijojë me gjyqtare Irena Gjokën, derisa kërkesa e avokatit të Mediut të shqyrtohet nga një gjyqtar tjetër.

Gjoka: A e keni marrë kërkesën time për heqje dorë nga ky gjykim?
Ligori: Po, jemi njohur me të.
Arben Kraja: Ne nuk kemi ndonjë qëndrim.

Gjyqi për masakrën e Gërdecit ka nisur në prill 2023. Mediu akuzohet për shpërdorim detyre, pasi, sipas SPAK, janë shkelur procedurat e ngritjes së fabrikës së demontimit në Gërdec, pranë një zone të banuar si dhe ato të municioneve. Vetë Mediu i ka kundërshtuar akuzat e ngritura dhe gjetjet e ekspertëve.

Rihapja e çështjes ndaj Mediut u vu në lëvizje pas 12 vitesh me iniciativën e familjes Durda, e një prej viktimave të shpërthimit në 15 mars 2008, në ambientet e ish “Brigadës së Tankeve”, ku humbën jetën 26 persona dhe qindra të tjerë u plagosën.