Pas rrëzimit të kërkesës së Fatmir Mediut dhe avokatëve të tij nga gjyqtarja e posaçme Etleva Deda, për përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka nga gjykimi i dosjes “Gërdeci”, tashmë është vetë gjyqtarja Gjoka që kërkon të largohet nga gjykimi i kësaj çështje. Ditën e djeshme në datë 11 nëntor, ajo i është drejtuar zv/kryetarit të GJKKO-së Erion Bani, të cilit i kërkon të largohet nga procesi.
Gjyqtarja pretendon se është në kushtet kur nuk mund të jetë pjesë e gjykimit, pasi ajo ka qenë gjyqtare e seancës paraprake në këtë çështje dhe e mori gjykimin se i pandehuri kërkoi fillimisht gjykim të shkurtuar. Por në kushtet kur i pandehuri ndryshoi qëndrim dhe pranua kërkesa e gjykimit me procedurë të zakonshme, Irena Gjoka thotë se ndodhet në kushte papajtueshmërie që të vijojë këtë gjykim.
E pyetur nga avokatët e Fatmir Mediut në seancën e djeshme, Gjoka tha se mori shkas për kërkesën e saj të largimit, edhe nga vetë kërkesa e të pandehurit që kërkoi përjashtimin e saj, por për shkaqe të tjera, që u rrëzua nga gjyqtarja Etleva Deda. Pritet që në lidhje me kërkesën e Gjokës të shprehet drejtuesi i GJKKO-së Erion Bani.
Gjyqi për masakrën e Gërdecit ka nisur në prill 2023, pra gati 2 vite e gjysmë më parë. Dhe nëse kjo kërkesë e Gjokës pranohet, ligji parashikon që gjyqi për masakrën e Grëdecit të nisë nga fillimi me një trupë tjetër gjykuese. Pritet me interes të shihet vendimi i Banit, për këtë kërkesë që artikulohet për herë të parë nga Gjoka që prej nisjes së gjyqit për Gërdecin.
Në seancën e djeshme, pasi u rrëzua kërkesa e Mediut për përjashtimin e Gjokës, gjyqi vijoi me kundërshtimet e ish-ministrit të Mbrojtjes mbi deklarimet e ekspertëve. Procesi ndodhet në fazën ku kanë përfunduar paraqitja e provave të SPAK, dhe pritet të nisë pyetja e dëshmitarëve të kërkuar nga mbrojtja.
Mediu akuzohet për shpërdorim detyre, pasi, sipas SPAK, janë shkelur procedurat e ngritjes së fabrikës së demontimit në Gërdec, pranë një zone të banuar si dhe ato të municioneve. Vetë Mediu i ka kundërshtuar akuzat e ngritura dhe gjetjet e ekspertëve. Gjyqi për Mediun vijon që prej prillit 2023.
Rihapja e çështjes ndaj Mediut u vu në lëvizje pas 12 vitesh me iniciativën e familjes Durda, e një prej viktimave të shpërthimit në 15 mars 2008, në ambientet e ish “Brigadës së Tankeve”, ku humbën jetën 26 persona dhe qindra të tjerë u plagosën.
Komente











Po nuk u dënua vrasësi Fatmir GËRDECI kurr nuk do të ketë drejtësi,SPAK duhet të filloi me këta kriminel si ky ashtu dhe Sali non grata që zhduku Remzi Hoxhën,vrau në 21 janar e plot të tjera.
Përgjigju