TIRANË- Gjyqi i masakrës së Gërdecit nuk do të nisë nga fillimi. GJKKO ka rrëzuar kërkesën e gjyqtares Irena Gjoka për tu larguar nga gjykimi i ish-ministrit të Mbrojtjes Fatmir Mediu. Seancën e kaluar, 11 nëntor, ishte vetë Gjoka që kërkoi largimin nga gjykimi me argumentin se ka qenë gjyqtare e seancës paraprake dhe se çështjen e mori pasi i pandehuri kërkoi fillimisht gjykim të shkurtuar. 

Por, zëvendëskryetari i GJKKO Erion Bani pasi shqyrtoi kërkesën e gjyqtares Gjoka, e rrëzoi me argumentin se nuk ndodhet në kushtet e papajtueshmërisë. Vendimin e relatoi vetë gjyqtarja Irena Gjoka në seancën e kësaj të mërkure. Ndërkohë, prokurori Klodian Braho relatoi një pjesë të provave shkresore që kërkoi të bëhen pjesë e shqyrtimit gjyqësor dhe seanca u shty në datë 9 dhjetor për të vijuar me këtë moment procedural.

Më herët, GJKKO ka rrëzuar edhe kërkesën e avokatëve të Fatmir Mediut për përjashtimin e Irena Gjokës. Më pas ishte vetë gjyqtarja që kërkoi të largohej nga çështja me argumentin se ka shqyrtuar në fazë paraprake të njëjtën dosje.

Gjyqi për masakrën e Gërdecit ka nisur në prill 2023. Mediu akuzohet për shpërdorim detyre, pasi, sipas SPAK, janë shkelur procedurat e ngritjes së fabrikës së demontimit në Gërdec, pranë një zone të banuar si dhe ato të municioneve. Vetë Mediu i ka kundërshtuar akuzat e ngritura dhe gjetjet e ekspertëve. 

Rihapja e çështjes ndaj Mediut u vu në lëvizje pas 12 vitesh me iniciativën e familjes Durda, e një prej viktimave të shpërthimit në 15 mars 2008, në ambientet e ish “Brigadës së Tankeve”, ku humbën jetën 26 persona dhe qindra të tjerë u plagosën.