Basha kërkoi njohje të statutit të Kuvendit të 2 shtatorit, Gjykata pezullon procesin derisa të merret vendimi për vulën! PD: Asnjë rol pengues

Deri në zgjidhjen përfundimtare të çështjes në themel, asaj që ndodhet në Gjykatën e Lartë dhe që lidhet me pronësinë e vulës së PArtisë Demokratike, ndryshimet statutore nga palët nuk mund të regjistrohen në Gjykatën Civile të Tiranës.

Ky ishte thelbi i vendimit të kësaj të hënë në gjyqtari Niko Rapi i cili vendosi pezullimin e çështjes për shqyrtimin e kërkesës së Lulzim Bashës për miratimin e ndryshimet në statutin e partisë në Kuvendin Kombëtar të 2 Shtatorit.

Gjyqtari thotë në vendimin e tij se pa u zgjidhur me një vendim të formës së prerë konflikti që është në Gjykatën e Lartë mbi Kuvendin Kombëtar të 11 Dhjetorit 2021, nuk mund të zhvillohet dhe të konsiderohet i vlefshëm asnjë Kuvend Kombëtar i mëpasshëm apo Statut i ndryshuar.

Gjithashtu sipas gjyqtari ndryshimet e Kuvendit të 2 shtatori nuk mund të njihen nga gjykata deri në një vendim të formës së prerë gjithashtu për kërkesën e bërë në Gjykatë Këshilli Kombëtar i drejtuar nga Gazment Bardhi për t’i hequr emrin Lulzim Bashës nga regjistri i partive.

Pas vendimit të Gjykatës të trija palët shprehin dakordësinë më ketë vendim. Për përfaqësuesin ligjor të Bashës Indrit Sefa vendimi nuk reflekton dhe nuk krijon asnjë problem në organizim të brendshëm në PD.

“Partia do të funksionojë në bazë të statutit të 2 shtatorit. Regjistrimi në gjykatë është çështje formale. Gjyqi nuk ka lidhje me kryetarin”, tha Sefa.

Përfaqësuesi e grupit të Bardhit, Marash Logu kishte vetëm një batutë.

“Gjykata e Tiranës vendosi që ëndrra e Lulzim bashës për tu bërë kryetar i grupit parlamentar të PD kundër vullnetit të demokratëve do të vijojë të qëndrojë në sirtarin e Lindita Nikollës”, u shpreh Logu

Çështja e cila do të zgjidhte në mënyrë përfundimtare pronësinë e vulës së Partisë Demokratike ndodhet në Gjykatën e Lartë, pasi rithemelimi bëri rekurs për vendimin e 3-marsit, kur Apeli i Përgjithshëm ktheu në shkallë te parë çështjen e logos dhe vulës, duke rrëzuar vendimin e gjyqtarit Agron Zhukri.

Më herët Partia Demokratike kishte kërkuar ndryshimin e gjyqtarit Niko Rrapi. Kërkesa është shqyrtuar nga një tjetër trup gjykues e cila vendosi që gjyqtari Niko Rrapi të vijojë të shqyrtojë çështjen e ndryshimeve të statutit të 2 shtatorit, derisa mori dhe vendimin.

Kërkesa e përfaqësuesve ligjorë të Bashës, erdhi pasi gjyqtari Rapi më herët rrëzoi kërkesën e përfaqësuesve të Partisë Demokratike zyrtare për dorëzimin e dokumentacioneve shtesë nga grupi i Gazment Bardhit mbi mbledhjen Këshillit Kombëtarë të Partisë Demokratike të zhvilluar online më 28 korrik, në të cilën u kërkuan mos mbajtja e zgjedhjeve për kryetar të Partisë Demokratike. Në seancën e kaluar Gjykata vlerësoi se në dosje ka dokumentacione të mjaftueshëm dhe me këtë arsyetim u rrëzua kërkesa e bërë nga përfaqësuesit e Bashës.

Një tjetër kërkesë që sot iu rrëzua përfaqësuesve ligjorë të Bashës ishte shpallja e pavlefshmërisë së shkresave të Këshillit Kombëtar të mbajtur nga grupi i Gazment Bardhit në muajin korrik. Këtë kërkesë Gjykata e ka rrëzuar me pretendimin se mund të shqyrtohen në një tjetër proces gjyqësor civil që është aktualisht në këtë gjykatë, ose mund të bëjnë kallëzim penal.  PD pretendon se 3 shkresat janë të falsifikuara.

Në ndryshimet statutore të 2 shtatorit, Basha emëroi veten e tij në krye të grupit parlamentar të Partisë Demokratike dhe shkarkoi Gazmend Bardhin.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 20:30
Roland Bejko: Berisha nuk ka për të marrë peng PD, me këtë merak do t’i thotë lamtumirë kësaj jete politike

1699904047_RolandBejko850x450.jpg

Nënkryetari i PD zyrtare, Roland Bejko ka reaguar pas vendimit të Gjykata Civile të Tiranës e cila vendosi këtë të hënë të rrëzojë kërkesën e Lulzim Bashës për regjistrimin e ndryshimeve në statutin e Partisë Demokratike të bëra në Kuvendin e 2 shtatorit të këtij viti dhe ta pezullojë çështjen. Në një reagim në rrjete sociale ai akuzon Berishen se po përdor demokratët për hallin e vet personal, ndërsa shton se prej dy vitesh po tenton të marrë peng PD.

"Aleanca e kullave dhe Non Grata nuk do ta shndërroje kurrë PD në mburojë të interesave kriminalo korruptive dhe kunder partnerëve Amerikano-Britanikë. Zgjedhjet e 14 majit u shitën për “Malin e Tiranës” kullën më të lartë në Ballkan, këtë e dinë të gjithë shqiptarët

Pseudo aksioni opozitar është thjesht bashkëpunim me Edi Ramën për t'i bërë presion SPAK-ut dhe për të hequr vëmendjen nga aferat korruptive të tyre. Qe non grata ka vetem hallin e tij dhe pasurive të familjes së tij, këtë e mori vesh e gjithë bota në këto dy javë ku si nje frikacak i fshihet drejtësisë. Kush është i pafajshëm, nuk ka frikë por përballet me drejtësinë. E turpshme që njësoj si terroristët që përdorin civilët për të fshehur kokën, Non Grata, përdor demokratët për hallin e vet. Në dy vjet mashtrime nuk ia doli dot ta marrë peng PD. As ka për ta marrë ndonjë herë. Me këtë merak do t'i thotë lamtumirë kësaj jete politike. Në jetën tjetër, nuk e dimë. Sot njeriu i padëshiruar i SHBA, Britanisë së Madhe dhe i vendosur nën hetim për korrupsion nga SPAK, ka nisur të vetmen gjë që di të bëjë më mirë, fushatën e shpifjeve dhe mashtrimeve ndaj gjithë atyre që rrefuzojnë t'i vendosen nën urdhëra".

Ora 19:00
PD zyrtare: Vendimi i gjykatës për statutin e PD-së, asnjë rol pengues! Provon që Lulzim Basha është kryetar

1699899343_478446c2c5aa4695bd9d48b6000c9495.jpg

Zëdhënësja e Partisë Demokratike, Mirela Karabina reagoi pasditen e sotme në lidhje me vendimin e Gjykatës së Tiranës e cila pezulloi procesin për kërkesën e Partisë Demokratike për regjistrimin e statutit të miratuar nga Kuvendi Kombëtar i datës 2 shtator. Sipas saj vendimi i sotëm, provon në fakt që Basha është kryetar i PD-së.

"Sot në Gjykatën e Tiranë u zhvillua seanca e radhës për shqyrtimin e kërkesës së Partisë Demokratike për regjistrimin e statutit të miratuar nga Kuvendi Kombëtar i datës 2 Shtator.  Vendimi i sotëm i gjykatës provon 2 gjëra: Së pari që Lulzim Basha është kryetar i Partisë Demokratike dhe; së dyti që gjyqtari refuzoi të vlerësonte nëse fabula e Këshillit Kombëtar online është ndërtuar mbi akte të falsifikuara.  Ende pa mbaruar procesi e pa folur gjykata është shpërndarë një deklaratë e parapregatitur me qëllim deformimin e të vërtetës.

Edhe pse gjyqtari nuk ja nënshtroi vlerësimit Statutin e datës 2 shtator, deklaruesit pretendojnë se ai është rrëzuar. Deklarata të tilla të hartuara nga grupime që i kanë shpallur luftë SPAK, si gjithçka tjetër, janë thjesht mashtrime.Çështja nuk ka lidhje fare me kryetarin e Partisë Demokratike as me funksionimin e PD-së. Ky gjykim është një procedurë normale e regjistrimit të një statute, që në fakt në funksionimin e PD-së nuk ka asnjë rol pengues.  Aleanca e kullave po bën gjitçka për të zvarritur e marrë peng një proces që nuk e ndal dot. Ky gjyq, në fakt, i nxori sërisht zbuluar dhe provoi se ata janë bashkë, dhe këtë pseudo aksion e kanë të koordinuar së bashku për t’i hedhur hi syve shqiptarëve dhe për t’i bërë presion SPAK-ut".

Ora 17:08
Pezullohen regjistrimet e ndryshimeve statutore të 2 shtatorit, zbardhet vendimi i gjyqtarit të Tiranë, Niko Rapi

Gjykata e Tiranës vendos të pezullojë regjistrimin e ndryshimeve statutore të kuvendit kombëtar të 2 shtatorit 2023 nga Lulzim Basha.

Report TV zbardh vendimin e gjykatësit të Tiranës, Niko Rapi 

Pezullimin e gjykimit të çështjes civile me nr.regj.them 1055, dt.regj.them 04.09.2023, me kërkues - Partia Demokratike e Shqipërisë (PDSH), e përfaqësuar nga Kryetari i PDSH-së Lulzim Basha, me persona të tretë - Partia Demokratike e Shqipërisë (PDSH), e përfaqësuar nga Komisionit i Rithemelimit; Partia Demokratike e Shqipërisë (PDSH), e përfaqësuar nga Këshilli Kombëtar, me objekt - "Pasqyrimin e ndryshimeve të Statutit të Partisë Demokratike të Shqipërisë në Kuvendin Kombëtar të datës 02.09.2023", deri në përfundim me vendim të formës së prerë:

(i) të çëshjes civile të regjistruar pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë (sot Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë) me nr.regi.them Partia Demokratike e Shqipërisë, e 1346/222, dt.regi.them 15.12.2021me kërkues përfaqësuar nga Komisioni i Rithemelimit të PDSH-së, me objekt «Depozitim ndryshimesh statutore dhe vendimmarrje të Kuvendit Kombëtar (datë 11.12.2021)», aktualisht e regjistruar për shqyrtim me nr.90600-00296-00-2023 dhe me status si çështje në gjykim në Gjykatën e Lartë mbi bazën e rekursit të veçantëkundër vendimit nr.44, datë 03.03.2023 të Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë;

(ii) të çështjes civile të regjistruar pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranëme nr.regi.them 1007, dt.regi.them 28.07.2023 me kërkues - Partia Demokratike e Shqipërisë, e përfaqësuar nga Këshilli Kombëtar i PDSH-së, me objekt «Ndryshimin në regjistrin e partive politike, në të dhënat që përfshijnë «emrin e Kryetarit», si dhe depozitimin e vendimit nr.1, datë 27.07.2023 të Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike

Ora 16:58
Pezullohet gjyqi regjistrimin e ndryshimeve statutore të 2 shtatorit, Avokati Rezart Kthupi: E prisnim vendimin

 

Gjykata Civile e Tiranës ka pezulluar gjyqin për regjistrimin e ndryshimeve statutore të 2 shtatorit. 

Avokati i Lulzim Bashës, Rezart Kthupi tha se e priste vendimin

"E prisnim vendimin e sotëm. Do të kishim preferuar që çështja të gjykohej në themel por preferuan të pezullojnë gjykimin. Nuk kemi shqetësim për pezullimin prandaj pranuam kërkesën. Organet e PD-së vijon të jenë në funksion dhe PD vijon të funksionojë me të njëjtat ritme”

Ne jemi konfident që dokumentacioni mbi të cilin është prodhuar statute I 2 shtatorit 2023 është I plotë. Kishim të gjithë interesin e ligjshëm që ky dokumentacion ti nënshtrohej gjykatës. Gjykata të merrte një vendim lidhur me ekzistencën dhe ligjshmërinë. Bëmë të gjitha hapat ligjore që ky dokumentacion ti nënshtrohej gjykimit"

Ora 16:36
Pezullohet gjyqi/ Indrit Sefa: Vendimi nuk ka lidhje me kryetarin e PD-së

 

Përfaqësuesi ligjor i Bashës Indrit Sefa tha se vendimi i sotëm nuk reflekton dhe nuk krijon asnjë problem në organizim të brendshëm në PD.

Partia do të funksionojë në bazë të statutit të 2 shtatorit. Regjistrimi në gjykatë është cështje formale. Gjyqi nuk ka lidhje me kryetarin”
 

Ora 16:08
PD kërkoi të shpallen të pavlefshme aktet e Këshillit Kombëtar të Bardhit, Gjykata e rrëzon

Gjykata rrëzon kërkesën e PD për të shpallur të pavlefshme aktet e Këshillit Kombëtar të Gazment Bardhit mbi mbledhjen e Këshillit Kombëtarë të Partisë Demokratike të zhvilluar online më 28 korrik, në të cilën u kërkua mos mbajtja e zgjedhjeve për kryetar të Partisë Demokratike. Kjo kërkesë u rrëzua me pretendimin se mund të shqyrtohen në një tjetër proces gjyqësor civil që është aktualisht në këtë gjykatë, ose mund të bëjnë kallëzim penal. Gjithashtu PD zyrtare kërkon pezullimin e procesit gjyqësor të 2 shtatorit, derisa të përfundojnë të gjitha proceset e hapura të të gjitha grupimeve nëpër gjykata.

S.G/B.K/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Si është gjendja e Metës? Faik Basha: Po drejton aksionin opozitar nga burgu! Së shpejti do lirohet, në 2025 kandidat për kryeministër

Si është gjendja e Metës? Faik Basha: Po drejton aksionin opozitar nga burgu! Së shpejti do lirohet, në 2025 kandidat për kryeministër