TIRANË- Me kërkesë të ish-kryepolicit të Shkodrës, Edmond Sulaj, Gjykata e Posaçme ka riçelur hetimin gjyqësor për Gazment Bardhin i paditur për shpifje dhe fyerje, të bëra botërisht. Në seancën në GJKKO, i pranishëm ishte edhe Sulaj, ndërsa Bardhi përfaqësohej nga avokatët Ledjo Braho dhe Marash Logu.
Avokati i Edmond Sulajt kërkoi rihapjen e hetimit gjyqësor për akuzat që Bardhi ka lëshuar ndaj Sulajt se u emërua kryepolic i Shkodrës nga krimi. Sipas avokatit, mbrojtja e Bardhit kanë pretenduar se disponojnë dokumente zyrtare dhe akte, të cilat në fakt nuk i kanë vënë në dispozicion. Ai theksoi në sallën e gjyqit se gjykata duhet t’i sigurojë dhe t’i verifikojë ato për të përcaktuar nëse Mondi është i njëjti person që ata pretendojnë.
“Ato dokumente, para se t’i kishte Gazmend Bardhi, i kanë pasur mediat”, deklaroi avokati i Bardhit, Ledion Braho.
![]()
Në përfundim, gjykata vendosi të pranojë kërkesën e Edmond Sulajt, të rihapë hetimin gjyqësor dhe t’i drejtohet me kërkesë SPAK-ut për të vënë në dispozicion, pa cenuar hetimet, informacionin nëse dokumenti i lexuar nga Bardhi është pjesë e fashikullit gjyqësor të dosjes “Metamorfoza”. Seanca e radhës është caktuar më më 14 shkurt, ora 09:00.
Ndërkohë, në seancëm e kaluar gjyqësore, Bardhi mohoi veten. Avokati i tij në gjyq në GJKKO, u tërhoq nga akuzat, duke thënë se Bardhi nuk e kishte për Sulajn, por në përgjithësi.
Në seancën parlamentare të 12 shtatorit 2024, Gazment Bardhi lexoi disa përgjime në SkyECC, kur pretendoi se Pëllumb Gjoka dhe Ardit Hasanbegaj, të arrestuar për dosjen Metamorfoza, flisnin për emërimin e “Mondit”, i cili sipas tij u duhej një dimër aty. Sipas Bardhit, flisnin për Edmond Sulajn, i cili u emërua 1 muaj më vonë në detyrë. Por në fakt biseda i përkiste vitit 2021, ndërsa Sulaj u emërua si kryepolic I Shkodrës në tetor 2023, 2 vite pasi SkyECC nuk ekzistonte më.
“Kodi DGLXJM: Mua Mondi (Edmond Sulaj, kryepolici aktual i Shkodrës) më duhet një dimër aty vëlla. Në fakt Mondi është drejtori aktual i policisë Shkodër. Është përfaqësuesi i një prej bandave më të rrezikshme në vend”, kështu deklaroi Gazment Bardhi më 12 shtator 2024.
Për këto deklarata të rënda, mbrojtja ligjore e Edmond Sulës kërkon dënim ndaj Gazment Bardhit pasi me shpifje ka njollosur karrierën 28-vjeçare të një efektivi policie, por i kanë sjellë edhe pasoja familjare.
SI.E./Shqiptarja.comKomente

