TIRANË- Ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj, po gjykohet i vetëm në procesin e “sterilizimit”, megjithatë, në kurriz mban edhe akuzën e grupit të strukturuar kriminal.
Tetë të tjerë u dënuan 1 muaj më parë më 4 mars të këtij viti, në një proces të ndarë, me procedurë të përshpejtuar. Dy më kryesorët, vartësi i Ilir Beqajt, ish-zv ministri i Shëndetësisë, Klodian Rjepaj dhe biznesmeni Ilir Rrapaj i cili fitoi koncensionin, u gjetën fajtorë vetëm për vjedhje, ndërsa akuza e grupit të strukturuar kriminal, që SPAK kishte ngritur ndaj tyre, ra nga togat e zeza.
E njëjta akuzë rëndon edhe ndaj ish-ministrit të Shëndetësisë, ajo e vjedhjes duke shpërdoruar detyrën, dhe grup i strukturuar kriminal, edhe pse nuk mund të jetë një person i vetëm, pa anëtarë, grup i strukturuar kriminal. Se si mbërriti deri në këtë akuzë, SPAK, ia argumentoi Ilir Beqajt, për herë të parë, vetëm këtë të martë në seancë gjyqësore.
Dy prokurorët e posaçëm, Eneid Nakuç dhe Edvin Kondili, argumentuan se në bindjen e brendshme, ata janë për akuzën e shpërdorimit të detyrës në bashkëpunim, e njëjta që e dërguan çështjen për gjykim, por theksuan se ishte gjykata, ajo që gjatë shqyrtimit të seancës paraprake, përmes gjyqtares Flojera Davidhi, u sugjeroi të rëndonin akuzën. Sipas prokurorëve, ata pranuan që ta ndryshonin akuzën pasi në rast të kundërt, çështja do të kthehej sërish për hetim.
Megjithë kundërshtinë e Ilir Beqajt në sallë dhe avokatit të tij, Ermal Yzeiraj, ndaj kësaj akuze, e cila sipas tyre nuk mbështetet në bazë ligjore, nuk pati një tërheqje të SPAK për ta ndryshuar atë, apo një vendimmarrje të gjykatës për këtë situatë. Të gjitha mundësitë janë, që siç ndodhi me dyshen Rjepaj – Rrapaj, në rast të dënimit, gjykata ta rrëzojë akuzën e grupit të strukturuar kriminal në përfundim të procesit.
Ilir Beqaj: Nuk ka minimalisht një numër apo një shifër për vjedhjen, ose një veprim apo mosveprim timin. Nuk është përmbushur urdhri që iu dha nga ana e gjykatës. Nëse quhet i ezauruar ky moment, do shprehem më vonë.
Avokati Ermal Yzeiraj: Nuk ka çfarë saktësimi të bëjë prokuroria. Kjo që ka sjell prokuroria është pa bazë ligjore, nuk ka ku mbështetet. Duhet të marrë një vlerësim paraprak nga gjykata, nëse kjo e përmbush apo jo kërkesën e gjykatës.
SPAK: Kjo u kërkua nga ana e gjykatës, që prokuroria të sqarojë me shkrim se cila është akuza me të cilën është përcjellë për gjykim i pandehuri. Ka një fakt, që gjatë shqyrtimit të seancës paraprake, prokurorët e kanë bërë prezent faktin që në bindjen e tyre vazhdonte të ishte akuza e “shpërdorimit të detyrës”. Nëse prokuroria nuk do të ndryshonte akuzën, gjykata do të kthente aktet.
Ilir Beqaj: Akuza ndaj meje nuk është bindja e tyre. Është një proces jo ligjor.
Seanca e radhës u shty për më 28 prill, ku avokatët dhe ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj do të paraqesin kundërshtimet për parashtrimet e organit të akuzës. Për procesin e Sterilizimit, Beqaj po gjykohet pa masë sigurie, por ai ndodhet në burg për abuzimet me fondet e SASPAC. Kërkesa e tij për tu liruar nga qelia edhe në këmbim të 20 mijë eurove garanci pasurore, u rrëzua sot nga GJKKO.
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë
Komente









Kjo tregon sesa profesioniste jane gjykatesit ne Shqiperi, dhe si sillen prokuroret me te akuzuarit. Znj Davidhi duhet te ndihet keq per keto deklarata te Spakut, por ajo s'ka faj, mikesha e saj Argita Berisha ia tregon rrugen qe duhet te beje ne kete proçes kunder Beqaj-t.
PërgjigjuÇ'fare do te ndodhe tani me gjykatesen Davidhi qe eshte ne GJKKO vetem per ti bere ndere Argites?Ku eshte KLGJ? Ku eshte ILD?
Përgjigju