Gjyqtarët dhe politikanët që
morën kredi si të pastrehë

Gjyqtarët dhe politikanët që<br />morën kredi si të pastrehë
Disa nga njerëzit e drejtësisë dhe politikës, të cilët sot posedojnë disa pasuri të paluajtshme dhe ardhura të larta në raport me nivelin e jetesës në vend, kanë përfituar kredi me interes zero nga Enti Kombëtar i Banesave, për blerje apartamentesh ose kredi me kushte lehtësuese.

Gerd Hoxha, anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, njëherësh kreu i Shoqatës së Gjyqtarëve ka marrë një kredi në vitin 2011, me kushte lehtësuese nga shteti, për të blerë një shtëpi. Kredia është në shumën 5 000 000 lekë, me afat shlyerje deri në vitin 2036. Në vitin 2016, gjyqtari Hoxha ka blerë një tjetër apartament banimi me sipërfaqe 126,5 m2, në Vlorë, me vlerë 55 452 euro, tashmë me kursimet e tij dhe të bashkëshortes.

Po gjatë këtij viti, Hoxha ka shitur një makinë 10 500 euro, ndërsa ka blerë dy makina me vlerë 5 mijë euro dhe 3 056 euro. Hoxha deklaron si të ardhura vjetore 1 155 378 lekë pagën e bashkëshortes si gjyqtare, 1 140 884 pagën e tij si gjyqtar, 76 040 lekë si ekspert dhe pedagog në Shkollën e Magjistraturës dhe 102 000 lekë të ardhura si anëtar i KLD.

Gjyqtarja e Gjykatës së Tiranës, Kace Agolli, ka përfituar si e pastrehë një kredi nga Enti i Banesave, për blerjen e një apartamenti, me sipërfaqe 93 m2 në Tiranë. Si të ardhura, zonja deklaron pagën si gjyqtare 1 666 217 lekë, 38 392 lekë pension të bashkëshortit si ish-ushtarak dhe 300 USD në muaj nga dhënia me qira e një apartamenti.

Një kredi me afat shlyerje për 22 vjet, me vlerë 5 000 000 lekë dhe me interes 4 %, ka marrë edhe anëtari i Gjykatës Kushtetuese Fatmir Hoxha, por në deklaratën e pasurisë të gjyqtarit nuk figuron asnjë sqarim nëse kredia është marrë me kushte lehtësuese sipas VKM-së nr. 600 të vitit 2007, ndonëse shuma dhe interesi përkon me kreditë me kushte lehtësuese. Gjyqtari i Apelit Ervin Metalla, referuar deklaratës së pasurisë, ka përfituar një kredi me vlerë 5 000 000 lekë, me kushte lehtësuese, marrë në vitin 2011, me interes 4% dhe me afat shlyerje për 30 vjet.

Gjyqtari deklaron makinë 10 mijë USD, në vitin 2015 të ardhura nga tre burime të ndryshme, zgjidhjen e kontratës për blerjen e apartamenti me kredi me vlerë 7 500 000 lekë etj. Me kredi afatgjata dhe me interes vetëm 4 % rezultojnë shumë gjyqtarë dhe prokurorë, por në deklaratat e pasurisë nuk figuron asnjë sqarim përkatës mbi rrethanat dhe kushtet e përfitimit.

Politikanët
Referuar deklaratave të pasurisë, disa politikanë vijojnë të shlyejnë kredi me interes zero, në një kohë kur blejnë makina luksoze si dhe deklarojnë të ardhura nga qiratë nga shtëpitë e dyta dhe të treta. Deputeti i PD, Flamur Noka, ish-ministër i Brendshëm, vijon të shlyejë një kredi si i pastrehë, ndërkohë që, në vitin 2015, ka blerë një makinë me vlerë 40 mijë euro. Edhe ish-ministri i Financave për tetë vite në qeverinë ‘Berisha’, Ridvan Bode, ka përfituar kredi si i pastrehë.

Sipas deklaratave të pasurisë, Bode e ka shlyer përfundimisht kredinë që ka marrë nga Enti Kombëtar i Banesave që në vitin 2000. Ndërkaq, në emrin e tij dhe të bashkëshortes, Bode deklaron 18 000 euro të ardhura nga dhënia me qira e shtëpisë, disa llogari bankare, apartament me vlerë 6 687 100 lekë, garazh me vlerë 7 790 euro, apartament në Tiranë me vlerë 175 000 euro si dhe një shtëpi në Rakickë të Korçës. Deputeti demokrat Oerd Bylykbashi, figuron pjesë e listës që ka përfituar kredi me statusin e të pastrehut, por që nuk e specifikon në deklaratat e pasurisë.

Në vitin 2012, Bylykbashi deklaron blerje apartamenti me vlerë 6 400 000 lekë, financuar nëpërmjet një kredie bankare dhe kursimeve. Kredia rezulton me vlerë 5 000 000 lekë. Më vonë ai deklaron apartament banimi dhe garazh, apartament në Durrës, truall në Durrës, klinikë dentare, makinë 23 mijë euro etj.

Ish-deputeti demokrat, Gjergji Pata, ka përfituar një kredi për strehim sipas VKM-së nr. 600 e vitit 2007 "Për trajtimin me strehim të nëpunësve civilë të administratës së lartë shtetërore dhe të funksionarëve publikë".

Politikanët dhe gjyqtarët që morën kredi si të pastrehë
 
Kace Agolli, Gjykata e Tiranës
Kredi me interes zero nga Enti Kombëtar i Banesave, me fat shlyerje për 25 vjet, me këste mujore 5 800 lekë. Vlera e parlamentit 2 260 624 lekë, apartament plus garazh me sipërfaqe 93 m2 në Tiranë.
 
Gerd Hoxha, anëtar i KLD, gjyqtar, kreu i Shoqatës së Gjyqtarëve
Kredi me kushte lehtësuese nga shteti në vitin 2011, në shumën 5 000 000 lekë, për blerje apartamenti, marrë sipas VKM nr. 600, datë 12.09.2007, deri në vitin 2036, me interes 4 %.
 
Fatmir Hoxha, anëtar i Gjykatës Kushtetuese
Kredi me interes 4 %, marrë në vitin 2012, me vlerë 5 000 000 lekë dhe me afat shlyerje për 22 vjet.  
 
Ervin Metalla, Gjykata e Apelit
Kredi me kushte lehtësuese, me vlerë 5 000 000 lekë, marrë në vitin 2011, me interes 4% dhe afat shlyerje 30 vjet.
 
Metush Saraçi, Gjykata e Apelit
Kredi me kushte lehtësuese, me vlerë 5 000 000 lekë, afat shlyerje 12 vjet dhe interes 4%.
 
 
Flamur Noka, deputet, ish-ministër Brendshëm
Kredi me interes zero nga Enti Kombëtar i Banesave, për strehim, shlyer 198 000 lekë, detyrimi i mbetur 3 729 lekë. Blerë makinë 40 mijë euro, burimi: Kredi 30 mijë euro dhe 10 mijë euro nga shitja e makinës tip benz.
 
Oerd Bylykbashi, deputet i PD
Pjesë e listës që ka përfituar kredi me statusin e të pastrehut, në vitin 2001, por që nuk e specifikon në deklaratat e pasurisë. Deklaron blerje apartamenti me vlerë 6 400 000 lekë, financuar nëpërmjet një kredie 5 000 000 lekë, kursimeve dhe një pjesë është ende detyrim i pashlyer.
 
Ridvan Bode, ish-ministër i Financave
Kredi me interes zero si i pastrehë nga Enti Kombëtar i Banesave, marrë në vitin 2000 dje shlyer përfundimisht në vitin 2013. Bode deklaron tre apartamente dhe një shtëpi në Korçë. 
 
Gjergji Papa, ish-deputet i PD
5 000 000 lekë kredi, marrë në një bankë të nivelit të dytë, sipas VKM-së nr. 600 e vitit 2007 "Për trajtimin me strehim të nëpunësve civilë të administratës së lartë shtetërore dhe të funksionarëve publikë", me afat 30 vjet filluar në vitin 2012.
 
 Sqarim për prokurorin Bledar Maksuti  
 
Shqiptarja.com sqaron se, në artikullin me titull ‘9 teknikat e gjyqtarëve për fshehjen e pasurive’, fraza ‘prokurori Bledar Maksudi, i cili rezulton se i ka dhënë borxh një shtetasi shumën prej 4 500 000 lekë”, është e pasaktë dhe se versioni i saktë është: Babai i prokurorit Bledar Maksudi, Pervis Maksuti, i cili punon si avokat dhe noter, i ka dhënë borxh një shtetasi shumën prej 4 500 000 lekë.  
 
domkument
(Autorizim për kontrollin e deklaratës së interesave)
Redaksia Online
e.m/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Mjeku s'mund të kurojë të njëjtin pacient në shtet e privat, e mbështesni?



×

Lajmi i fundit

Dosja 'Partizani' SPAK kërkon edhe 3 muaj kohë për hetimet, GJKKO vendos më 11 korrik

Dosja 'Partizani' SPAK kërkon edhe 3 muaj kohë për hetimet, GJKKO vendos më 11 korrik