TIRANË- Gjyqtarët shqiptarë refuzojnë të përballen me krimin dhe korrupsionin duke u bërë pjesë e Gjykatës së Posaçme. Vetëm një javë më parë është mbyllur afati i aplikimit për pesë vende vakante në këtë gjykatë, por askush s‘ka kandiduar.

Në një apel drejtuar gjyqtarëve kreu i gjykatës së posaçme Sandër Simoni thotë se togat e zeza duhet të kenë kurajon të përballet me padrejtësitë. E sipas tij ajo që step më shumë gjyqtarët të aplikojnë është kontrolli i komunikimeve jo vetëm për ta, por edhe me familjarët e tyre.

Gjykata e Posaçme Kundër Krimit dhe Korrupsionit si pjesë e reformës në drejtësi së bashku me SPAK janë krijuar për të goditur bosët e krimit dhe zyrtarët e korruptuar, por nga 16 gjyqtarë aktualisht në këtë gjykatë mungojnë 7 dhe kanë mbetur 9.

Simoni mbyll ftesën e tij për të gjithë gjyqtarët dhe publikun, se kjo gjykatë do të ketë kurajon të dënojë zyrtarët e korruptuar.

Në këtë gjykatë pagat variojnë nga 150 mijë deri në 300 mijë lekë, ndërsa ofrohet siguri për gjyqtarët dhe familjarët e tyre nëpërmjet trupave speciale të policisë së shtetit.