Menjëherë vjen dhe reagimi i ambasadorit Aleksandër Arvizu i cili, pas takimit me kryeprokurorin Adriatik Llalla, bën të qartë se akuzat janë të pavend, dhe përfshirja e SHBA-së në hetimin e 21 janarit ishte bërë pasi prokuroria kishte bërë një kërkesë të drejtëpërdrejtë dhe qeveria e kishte miratuar.
Trupa gjyqësore e përbërë nga gjyqtarët Besnik Hoxha, Ardiana Beraj dhe Arjana Gumbardhi tha se ambasada është paragjykuese ndaj një procesi të drejtë, ligjor e të paanshëm dhe reagoi para se të lexonin arsyetimin e vendimit nga trupi gjykues, qëndrimit të prokurorisë dhe përpara mbylljes së proçesit të rregullt ligjor lidhur me këtë çështje.
“Reagimi i Ambasadës amerikane është shqetësues dhe ndërhyn në procesin e rregullt gjyqësor. Reagimi vjen para qëndrimit të prokurorisë dhe para zbardhjes së arsyetuar të vendimit. Deklarata të tilla mund të jenë paragjykuese ndaj këtij procesi të drejtë ligjor e të paanshëm”- thuhet në deklaratën për shtyp të gjyqtarëve Besnik Hoxha, Ardiana Beraj dhe Arjana Gumbardhi, një ditë pas vendimit.
REAGON ARVIZU: U PERFSHIME NE HETIM SE NA KERKUAT, AKUZAT TE PABAZA
Pas takimit me kryeprokurorin Llalla, Aleksandër Arvizu bëri të qartë se pëfshirja e SHBA-së në hetimin e 21 janarit ishte bërë pasi prokuroria kishte bërë një kërkesë të drejtëpërdrejtë dhe qeveria e kishte miratuar ndërsa akuza e trupit gjykues për ndërhyrjen ishin të pavend.
“Lidhur me asistencën ose përfshirjen e amerikanëve në këtë rast. Ky rast gjithmonë do të jetë një cështje shqiptare nuk është një çështje amerikane. Nuk ka pasur qytetar amerikanë të përfshirë. Përfshirja amerikane buron nga një kërkesë specifike dhe e drejtëpërdrejtë nga Prokurori i Përgjithshëm një kërkesë që u miratua nga qeveria shqiptare që SHBA të ofronin asistencë teknike që të lehtësonin hetimin, dhe ne këtë bëmë. Lidhur me deklaratën nga gjykata e Tiranës e cila sugjeron se SHBA po ndërhyjnë në proces gjyqësor e respektoj, por nuk bie dakord, pasi akuza është e pabazë. Përfshirja jonë buron drejtëpërdrejtë nga një kërkesë nga prokurori dhe kjo kërkesë u miratua dhe nga Qeveria e Shqipërisë"- tha Arvizu.
ARVIZU: QE NE FILLIM KERKUAM NJE HETIM TE GJITHANSHEM
Përveç faktin se procesi është tërësisht një çështje shqiptare dhe SHBA ndërhyri në hetim pasi ia kërkoi Prokuroria, Arvizu kërkoi të nënvizonte dhe faktin tjetër se SHBA menjëherë pas ngjarjes kishte kërkuar një hetim të gjithnanshëm, çka nënkuptonte dhe organizatorët e demonstratës deri në sjelljen e gardës por dhe se kjo ishte një çështje shqiptare. .
”Vlerësoj që prokurori ra dakord që takoi me mua kaq herët në mëngjes. Zhvilluam një diskutim të hollësishëm substancial. I shpjegova se me këtë zyrë kemi histori të gjatë bashkëpunimi dhe u angazhuam që bashkëpunimi të vazhdojë. Lidhur me verdiktin e 21 janarit, do tju referoja tek deklarata jonë por më lejoni të shtoj dy pika.. Para së gjithash në vijim të asaj dite të tmerrshme të 21 janarit SHBA e ka bërë shumë të qartë që mënyra më e mirë për të adresuar këtë tragjedi të tmerrshme ishte një hetim në atë që shkaktoi atë ngjarje. Ne theksuam që ky lloj hetimi duhej të ishte i besueshëm. Besueshmëria është koncepti kyç. Dhe hetimi të ishte i besuar nevojitet të adresohen disa elemente, kush e organizoi sjelljen e demonstruesve dhe sjelljen e gardës së republikës, kjo ka qenë pozicioni ynë dhe nuk ka ndryshuar.”- tha Arvizu në prononciminin për median pas takimit me kryeprokurorin. Takimi ndodhi vetëm pak minuta nga publikimi i deklaratës së gjyqtarëve. Deklarata e plote e ambasadorit
ARVIZU TEK ADRIATIK LLALLA
ORA 10:00 Ambasadori i SHBA-së Aleksandër Arvizu mbërrin në Prokurorinë e Përgjithshme për të zhvilluar një takim me kryeprokurorin Adriatik Llalla. Prokuroria e Përgjithshme është ende e pavendosur nëse do të apelojë vendimin e gjykatës. Në një reagim të djeshëm zyra e shtypit e Prokurorisë deklaroi se vendimi për apelimin e çështjes do të merrej pasi të lexohej vendimi i zbardhur i Gjykatës së Tiranës. Takimi zhvillohet pa praninë e medias.
DEKLARATA E PLOTE E TRUPIT GJYKUES (8 shkurt)
Dje trupa gjykuese e përbërë nga gjyqtarët e kësaj Gjykate, Z.Besnik Hoxha, Znj. Ardjana Beraj dhe Znj. Arjana Gumbardhi, pas shqyrtimit të çështjes nëpërmjet një proçesi të rregullt ligjor shpallën vendimin lidhur cështjen Nr. 70 Akti dt. 30.04.2012 regjistrimi në ngarkim te të pandehurve Ndrea Prendi, Agim Llupo e Margarit Kume ku këta shtetas u deklaruan të pafajshëm lidhur me akuzat e ngritura nga Prokuroria në ngarkim të tyre, ato të: “Vrasjes me dashje të kryer në rrethana të tjera cilësuesë, e kryer në mënyrë të rrezikshme për jetën e shumë personave” parashikuar nga neni 79 gërma “ë” i K.Penal , “Vrasjes me dashje të kryer në rrethana të tjera cilësuese, e kryer kundër dy, ose më shumë personave”, parashikuar nga neni 79 gërma “dh” i K.Penal” dhe “Veprimeve që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, parashikuar nga neni 301 i Kodit Penal.
Vendimi I plotë duke përfshirë arsyetimin dhe argumentat e trupit gjykues në përputhje me Kodin e Procedurës Penale të Republikës së Shqipërisë do të zbardhet dhe behet publik brenda afatit ligjor. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe gjyqtarët e saj janë të vendosur për zbatimin e ligjit dhe të angazhuar për shtetin ligjor në Shqipëri. Në këtë kuadër është e qartë se i takon tashmë institucionit të Prokurorisë që pas zbardhjes së vendimit të vendosë se çfarë hapash ligjorë mund të ndërmarrë lidhur me këtë vendim. Në këtë kontekst, deklarata e Ambasadës se SHBA në Tiranë është shqetësuese dhe ndërhyn në proçesin e rregullt ligjor nëpërmjet komenteve mbi një çështje përpara zbardhjes së vendimit nga trupi gjykues, përpara qëndrimit të prokurorisë mbi hapat e mundshëm dhe përpara mbylljes së proçesit të rregullt ligjor lidhur me këtë çështje. Deklarata të tilla mund të jenë paragjykuese ndaj këtij proçesi të drejtë, ligjor dhe të paanshëm.
Duke shprehur vendosmërinë dhe angazhimin tonë të plotë për sundimin e ligjit dhe një proçes të rregullt, të paanshëm dhe të besueshëm ligjor, bëjmë thirrje për të shmangur çdo qëndrim paragjykues ndaj këtij proçesi dhe punës e misionit të Gjykatës në përgjithësi. PDF/ Deklarata e Gjyqtarëve
JA DEKLARATA E DJESHME AMBASADES SE SHBA NE TIRANE (7 shkurt)
“Jemi të tronditur nga vendimi i Gjykatës së Rrethit Tiranë për të shpallur të pafajshëm dy të pandehur që u gjykuan për akuza në lidhje me vdekjen e tre protestuesve më 21 janar 2011”, nis deklarata e Ambasadës së SHBA në Tiranë. Menjëherë pas 21 janarit 2011, Shtetet e Bashkuara, si një mike dhe mbështetëse e popullit shqiptar, iu përgjigjën një kërkese urgjente të Qeverisë së Shqipërisë dhe Zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm për asistencë në hetimin e vrasjeve. Shtetet e Bashkuara dhanë ndihmë të shumëanshme, përfshirë ekspertizë nga Laboratori Kriminalistik i Byrosë Federale të Investigimit, një nga më të mirët në botë. Përgjatë gjykimit të çështjes, Shtetet e Bashkuara kanë bërë vazhdimisht dhe në mënyrë konsekuente thirrje për një hetim dhe proces gjyqësor tërësor, gjithëpërfshirës dhe objektiv. Fatkeqësisht, verdikti i sotëm ka minuar besimin në aftësinë dhe gatishmërinë e sistemit gjyqësor shqiptar për të dhënë drejtësi në mënyrë të paanshme dhe transparente.
Redaksia Online
(sg/shqiptarja.com)