Gjyqtari Agron Zhukri, që mori sot një vendim shumë të rëndësishëm për luftën edhe juridike brenda Partia Demokratike, e ka marrë këtë vendim sot në kushtet e konfliktit të interesit. Ka qenë vetë gjyqtari Zhukri i cili vetëm pak ditë pasi u përcaktua nga shorti që të shqyrtonte çështjen dha dorëheqjen nga çështja, me argumentin se nuk i takonte të merrej me këtë çështje.

Ai ka shpjeguar se më parë bashkëshortja e tij ka punuar për ish-kryeministrin Sali Berisha. Gjyqtari madje ka shprehur se edhe në 2018 kishte bërë të njëjtën gjë duke dhënë dorëheqjes nga çështja Rama-Berisha.

Por megjithatë në një vendim të mëpasshëm Gjykata e Tiranës nuk ia pranoi kërkesën për dorëheqje.

Kujtojmë se për të njëjtën argument edhe Partia Demokratike kërkoi përjashtimin e Zhukrit nga shqyrtimi i çështjes së pranimit ose jo të Statutit të Sali Berishës dhe vendimeve të Kuvendit të 11 dhjetorit.

Por Gjykata e Tiranës nuk ia pranoi kërkesën e firmosur nga Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, si të pabazuar.

Zhukri është pjesë e gjyqtarëve, të cilën nuk kanë kaluar procesin e Vetingut. Por më shumë se sa për vendimet, Zhukri është lakuar për pasurinë. Në vitin 2003, gjyqtari deklaron një shtëpi të ndërtuar në vitet ’90 me vlerë 3 milionë lekë, kthyer më pas në ambiente zyre për biznesin e bashkëshortes, si agjenci udhëtimi dhe sigurimesh, me vlerë investimi 2 milionë lekë. Nga viti 2006 deri në vitin 2018, bashkëshortja e gjyqtarit Rezarta Zhukri deklaron rreth 2 milionë USD të ardhura nga biznesi i agjencisë së udhëtimit dhe sigurimeve. Nuk dihet se si Zhukri arriti të bëhej pjesë e drejtësisë, me arsim të plotë juridik apo përmes kursit të famshëm të ‘Plepave’.