Gjyqtari Rasim Doda:E vërteta e
dënimit, kush porosit vendimet

Gjyqtari Rasim Doda:E vërteta e<br />dënimit, kush porosit vendimet
Gjyqtari i pezulluar i Sarandës, Rasim Doda, ka thyer heshtjen për Shqiptarja.com dhe Report TV, duke dhënë versionin e tij sa i takon prapaskenave të hetimit, arrestimit dhe më pas dënimit nga Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, për korrupsion pasiv.

Doda pretendon se, procesi ndaj tij është një kurth i parapërgatitur nga segmente të politikës dhe gjyqësorit, të lidhura nga interesa ekonomike. Gjyqtari thotë gjithashtu se vendimi paralel në favor të sipërmarrësit Hasan Bushi, për një pasuri të paluajtshme me vlerë rreth 2 milionë euro në Sarandë, nuk është shkruar nga ai, por nga kryetari i Gjykatës së Sarandës, Alltun Çela.

Rasim Doda pohon se ka prova për montimin e procesit nga Alltun Çela dhe persona të tjerë, prova të cilat nuk janë marrë parasysh nga gjykata e shkallës së parë. Sipas tij implikimi i tyre del nga përgjimet. Gjyqtari Doda ka theksuar se njerëz të drejtësisë dhe politikës e kanë porositur që vendimin ta marrte në favor të shtetasit Hasan Bushi.

Sipas tij, refuzimi i këtyre porosive, ka sjellë hakmarrjen. Gjyqtari i Sarandës ka folur edhe për pasurinë e tij si dhe për një listë që qarkullon në media me emra gjyqtarësh, të cilëve u është refuzuar vizita nga Ambasada Amerikane për të vizituar Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
 
Z. Doda, keni shërbyer për vite me radhë në sistemin e drejtësisë si gjyqtar në Sarandë, por që nga Qershori i vitit 2015, ju kaluat në anën tjetër të peshores së drejtësisë, fillimisht duke u pezulluar nga detyra, arrestuar dhe së fundmi duke u dënuar nga Gjykata e Shkallës së Parë të Krimeve të Rënda, për korrupsion pasiv. Si po e përjetoni vendimin e kolegëve të tuaj, ndonëse nuk është i formës së prerë? 
Jam përpjekur në mënyrë të vazhdueshme që të jem korrekt dhe në koherencë me ecurinë e jurispondencës, duke shmangur në çdo formë mënyrat abuzive, me anë të cilave njerëzit e tjerë përpiqen të përfitojnë padrejtësisht. Një gjyqtar, komentet për një vendim gjyqësor, i bën në shkallët e tjera të ankimimit. Por, meqenëse unë kam shumë rezerva në lidhje me këtë vendimmarrje të Gjykatës së Shkallës së Parë të Krimeve të Rënda, nga mënyra se si janë menaxhuar seancat dhe si janë marrë provat, del qartë se gjykata ka treguar një njëanshmëri në gjykimin e procesit. Ajo që është më thelbësorja është fakti që, i gjithë procesi i hetimit është i manipuluar. Manipulimi fillon që nga krijimi i një kallëzimi të gënjeshtërt, i cili është përkrahur nga e gjithë piramida e Prokurorisë, që nga Prokuroria e Përgjithshme deri tek Prokuroria e Krimeve të Rënda, duke e ngritur në nivel akuze, haptas në kundërshtim me ligjin. Nga përgjimet që janë realizuar del qartë që kallëzuesi gënjen në shenjë hakmarrjeje, pasi donte të fitonte një gjyq që nuk i takonte. Vetë gjykata, në hyrje të arsyetimit, shprehet se kallëzimi i shtetasit Hasan Bushi, dëshmia e tij dhe provat e tjera të ofruara, nuk provojnë faktin që gjyqtari Rasim Doda të ketë realizuar këtë takim në këtë formë. Çuditërisht, gjykata, duke shkelur nenin 374 të KPP, me iniciativën e vet, merr një fakt të ri, duke marrë rolin e prokurorisë.
 
Ju po pretendoni se jeni “viktimë” i një kurthi të parapërgatitur. Cilat segmente janë përfshirë dhe çfarë interesash fshihen pas? 
Kurth po, por nuk e konsideroj veten viktimë. Një njeri që gjykon drejt kurrë nuk mund të bëhet vitkimë e askujt. Është një kurth që fshihen pas interesa ekonomike. Unë kam gjykuar një çështje shumë të vështirë, ku kallëzuesi është gjyqhumbës. Ishte një investitore shqiptare, e cila kishte ardhur të investonte në Shqipëri, për të ndërtuar një resort turistik, i cili përbëhej nga dy pallate shtatëkatësh. Kallëzuesi është një person, i cili në mënyrë të kundraligjshme, mblidhte një grup pune, ishte specialist i mesëm në fushën e topografisë dhe kryente punime të caktuara nga investitorja. Ky person, duke përfituar nga neglizhenca e investitores, kishte abuzuar në lidhje me marrëveshjen kontraktuale. Unë, pasi kam bërë analizën e pronave, pasi kam bërë akt-ekspertimin e hollësishëm, krijova bindjen se fituese duhet të ishte, Gjinovefa Shehu. Çfarë ndodh? Gjyqhumbësi, me mbështetjen e ish-ministrit të Drejtësisë, të prokurorëve në Prokurorinë e Përgjithshme dhe të segmenteve në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, të cilat janë evidentuar nga përgjimet e paraqitura nga organi i akuzës, pra me këtë rreth vicioz, inskenoi një situatë kriminale të paqenë, me qëllim që të hakmerreshin ndaj meje, njerëzit që më kishin porositur që gjyqin ta fitonte Hasan Bushi. Kjo është një hakmarrje ndaj meje sepse nuk dëgjova porositë e miqve të Hasan Bushit.
 
Pse atëherë ju hartuat një vendim paralel në favor të Hasan Bushit? 
Vendimi paralel është një vendim që e ka bërë kryetari i Gjykatës së Sarandës, Alltun Çela, jo unë. E ka bërë me mbështetësit e Hasan Bushit sepse vendimi paralel nuk është në faqen zyrtare të gjykatës. Nuk është në sistemin ICMIS. Nuk e kam bërë unë. Absolutisht, jo. Por, është marrë vendimi që unë kam hedhur në sistemin ICMIS dhe kanë ndryshuar fjalët, duke e kaluar në favor të Hasan Bushit.
 
Si mund të fusin duart të tjerët në vendimin e një gjyqtari?
Është një deformim i turpshëm dhe i paprecedentë. Nuk ka asnjë lidhje me vendimin tim. Vendimi im tregon ndershmëri dhe profesionalizëm. Nga frika që ky vendim nuk do të rrëzohej nga gjykatat më lart, bëri që këto njerëz, të lidhur nga interesa ekonomike, të më çonin mua të pandehur. Nga bisedat e përgjuara mes Hasan Bushit dhe miqve të tij del që: Tani që ia u arrestua, vendimi i tij ra. Pse duhej që Hasan Bushi të fliste me prokurorë në Prokurorinë e Përgjithshme sa herë t’i donte qejfi? Pse duhej që prokurorët në Prokurori të Përgjithshme t’u diktonin veprimet prokurorëve dhe oficerëve të Policisë Gjyqësore? Pse kur Hasan Bushi është pyetur në KLD, është instruktuar nga oficeri i Policisë Gjyqësore? Sepse ai po sajonte dhe ata po ja kujtonin gjithmonë që të mos e ngatërronte gënjeshtrën kur shkonte nëpër institucione.
 
Organi i akuzës pretendon se ju i keni kërkuar një ryshfet prej 80 mijë eurosh sipërmarrësit Hasan Bushi, në këmbim të vendimit në favor të tij. Cilat janë provat e Prokurorisë, përpos pretendimeve të shtetasit Bushi? A është printuar vendimi paralel nga kompjuteri juaj apo jo? 
Prokuroria nuk ka asnjë provë të mirëfilltë. Prokuroria ka një fletë formati, e cila sipas ekspertëve është printuar nga kompjuteri im. Për shkak të paragjykimeve, për shkak të dyshimeve dhe neglizhencës së sistemit të drejtësisë, me të drejtës, USAID dhe disa institucione ndërkombëtare, vendosën që ne të kemi sistem të posaçëm në kompjuter për të hedhur të dhëna në lidhje me menaxhimin dhe zbardhjeve të procesverbaleve të seancave gjyqësore, mënyrën e transkriptimit dhe hedhjen e vendimit përfundimtar. Tani, kryetari i Gjykatës së Sarandës, Alltun Çela, duke bashkëpunuar, që del edhe nga përgjimet, mbështeti Hasan Bushin për të krye këto veprime. Kjo është akuzë dhe unë e provoj me përgjimet dhe provat e organit të akuzës. Edhe dëshmia e Alltun Çelës në Gjykatën e Krimeve të Rënda është tërësisht e pavërtetë. Në video-përgjimin, Alltun Çelës nxit kallëzuesin që të vijë dhe të kryejë përgjimin tim. Alltun Çela duhet të merret me menaxhimin e gjykatës dhe jo me nxitjen apo ngritjen e kurtheve ndaj kolegëve të tyre. Kjo është gjëja më e turpshme. Videon unë e kam. Unë e kam denoncuar kreun e gjykatës, pasi më ka shantazhuar në mbledhjen e mëngjesit, duke më thënë: Ti mos fol se të çoj në burg.
 
Cila ka qenë përgjigja e KLD? 
Përgjigja e KLD ishte një përgjigje administrative, por do ta ndjek në rrugë gjyqësore.
 
Referuar përgjimeve në dosjen hetimore, ju flisni për shantazh nga pala në proces, e cila ju ka ofruar 10 milionë lekë në këmbim të vendimit. Keni ndonjë sqarim për këtë? Pse nuk bëtë denoncim?
Prokuroria e kishte të qëllimshme që sajesën ta ngrinte në nivel akuze dhe unë të pezullohesha nga detyra dhe të merresha i pandehur. Kur unë jam pyetur për herë të parë nga Prokuroria në drejtorinë e policisë, ditën e dytë të ndalimit, kur kam lexuar kallëzimin, i kam thënë prokurores: Kjo nuk ka asgjë të vërtetë. Nuk lidhet askund me veprimtarinë time. Në mëngjesin e datës 20 prill, kur jam ngritur dhe kam hapur telefonin, kam konstatuar disa thirrje të humbura, thirrje të cilat mua mi kishte bërë shtetasi Hasan Bushi. Prokuroria thoshte që gjyqtari nuk i ka hapur telefonin. Nuk është e vërtetë. Dhe kjo u provua nga Vodafone, ku gjatë kohës që kallëzuesi më kishte bërë thirrje, telefoni im ishte i fikur. Ishin 38 thirrje. Meqenëse më ishin bërë 38 thirrje nga një numër që nuk e njihja dhe unë gjithnjë u përgjigjem njerëzve në telefon, i kam rënë unë telefonit dhe e kam pyetur: Kush je ti. Hasan Bushi, tha. Më tha: Z. gjyqtar unë kam 10 milionë lekë për atë gjyqin që kemi sot, i kam tërhequr nga banka dhe dua të ti jap. I kam thënë: Ik qërohu, mos i bie më telefonit dhe do të kallëzoj në prokurori. Dhe sa vajta në gjykatë, kam shkuar tek prokurori i rrethit, dhe i kam thënë që më ka ndodhur kjo ngjatje dhe se dua të bëj këtë kallëzim për korrupsionin aktiv. Ai më tha se më mirëkuptonte për shqetësimin, por kallëzimin duhet ta bëja në një rreth tjetër.
 
Pse kontaktuat me avokatin e sipërmarrësit?
 
Arsyeja se pse unë i jam ankuar avokatit është se kam dashur që të shmang kontaktet me Hasan Bushin, praktikë të cilën unë e kam ndjekur gjatë gjithë kohës që unë kam ushtruar detyrën e gjyqtarit. Nëse do të kisha një problem gjatë procesit, unë kontaktoja me avokatin dhe prokurorin, në prani të sekretares dhe brenda ambientit të gjykatës. Të gjitha pjesë e tjera janë sajesa për të korruptuar veprimtarinë time.
 
Pavarësisht pretendimeve tuaja, nëse Gjykata e Apelit do të konfirmojë vendimin e shkallës së parë, do të vijoni betejën ligjore apo keni menduar të largoheni? 
Unë pretendoj se e njoh ligjin në një nivel të mjaftueshëm. Unë do të ndjek vetëm rrugën ligjore. Kam besim tek drejtësia shqiptare. Jo të gjithë gjyqtarët janë të këtij niveli që unë fola. Do ta ndjek rrugën ligjore deri në Gjykatën e Strasburgut. Unë do të pres çdo lloj vendimi dhe ndëshkimi që do të japë gjykata. Unë do t’i nënshtrohem ligjit dhe vetëm ligjit. Por, dua të shtoj diçka: Tani po e ndjej se sa e domosdoshme është Reforma në Drejtësi. Gjyqtarët që kanë gjykuar çështjen në shkallë, qëllimi i tyre nuk ka qenë që të japin drejtësi, por që t’i shpëtojnë Vetingut. Duke ndëshkuar kolegun e tyre, ata kanë këtë qëllim.
 
Pra mendoni se hetimi, dënimi dhe arrestimi vetëm i disa gjyqtarëve në periferi të sistemit është një strategji për të mbuluar mëkatet e mëdha të gjyqtarëve dhe për të zbutuar presionin e madh nga opinioni publik dhe faktori ndërkombëtar?
Unë fals për rastin tim dhe mendoj se gjyqtarët nuk kishin integritetin e duhur për mënyrën dhe formën e vendimit që ata dhanë. Qëllimi i tyre ishte që me këtë vendim ata të shpëtojnë nga kontrollet që ata do të kenë. Por, unë jam i bindur që dosja ime do të bëhet pjesë e Vetingut për cilindo gjyqtar dhe prokuror që ka marrë pjesë në këtë dosje. Manipulimet kanë qenë të ndryshme dhe kanë marrë pjesë persona të ndryshëm, por nuk i falet një gjyqtari të deformojë të drejtën.
 
Emri juaj është lakuar gjithashtu si pjesë e listës së gjyqtarëve dhe prokurorëve, të cilët nuk marrin vizë për të shkelur në tokën amerikane. Si qëndron e vërteta? Keni kërkuar të udhëtoni drejt SHBA? A u është refuzuar viza nga Ambasada Amerikane? 
Që nga dita kur kam filluar punën si gjyqtar dhe deri më sot, unë jashtë shtetit kam dalë vetëm një herë nga Ministria e Drejtësisë, për të shkuar në Norvegji. Po ashtu, kam qenë një ditë, për arsye familjare, në Greqi, ku banon me familje vëllai im, i cili kishte një problem shëndetësor të fëmijës së tij. Nuk kam qenë herë tjetër jashtë shtetit dhe nuk kam kërkuar, për shkak edhe të kushteve të mia, fëmijëve të vegjël etj.
 
ILDKP ka referuar një kallëzim në prokurori për ju, për fshehje pasurie. Cili është fati i këtij kallëzimi? Sa i pasur jeni ju? 
Është në proces hetimit dhe normalisht një jurist duhet të rezervohet për të dhënë të dhëna. Por, unë po ju them kaq: Kam një banesë. E kam në proces të shlyerjes së kredisë dhe të një borxhi që kam marrë. Edhe pse ka 15 vjet që punoj gjyqtar, kam punuar ekonomist më përpara, kam punuar edhe pedagog, kam qenë edhe në Shkollën e Magjistraturës, bashkëshorten e kam gjyqtare prej 15 vitesh, kam vetëm një banesë të blerë në Tiranë, ku 47 mijë euro i kam marrë kredi dhe 35 mijë USD i kam marrë borxh. Unë jam gati që të verifikohen vëllezërit e mi, vëllezërit dhe motrat e bashkëshortes time. Të gjithë kemi një jetesë më se normale.
 
Ka një intensitet seancash gjyqësore, sidomos për pronat në bregdet. Çfarë ka ndodhur me pronat në zonat me përparësi turizmin? Të ç’natyre janë konfliktet? 
Flas për Gjykatën e Sarandës, konfliktet janë për truall dhe tokë bujqësore. Meqenëse ajo pjesë e Shqipërisë është pjesa më e lakmueshme, edhe drejtimi ynë si gjyqtar, ka qenë i degës civile. E kam konsideruar drejtësinë si një shërbim që duhet t’u ofrohet qytetarëve në mënyrë të detyrueshme dhe jo si një mall që duhet të tregohet tek X apo Y për interesa të caktuara.

Redaksia Online
Al.N/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë