TIRANE- Gjykata e Tiranës dha  masën e sigurisë arrest me burg ndaj koordinatorit të grevës së ish-të përndjekurve politikë, Asllan Patrioti. Prokuroria ngriti akuzën “për ushtrim të ndikimit të personave me detyrë publike”, duke akuzuar koordinatorin e grevës se ka mashtuar një shtetas italian.

Fillimisht avokati i Patriotit, Irfan Aliu, (me kërkesë të koordinatorit tjetër të grevës, Skënder Tufa) kërkoi ndryshimin e gjyqtares, Arjana Caco, e cila ishte dhe gjyqtarja që pak ditë më parë dha vendimin për shkrirjen e grevës së urisë duke e shpallur atë të jashtëligjshme, por një kërkesë e tillë nuk është pranuar.

Menjëherë pas vendimit avokati mbrojtës Irfan Aliu deklaroi se gjykatë nuk dha kohën e duhur për mbrojtje e klientit të tij, ndërkohë që theksoi se gjykata mori në konsideratë vetëm dëshminë e shtetasit italian.

Më 17 tetor koordinatori i grevës Asllan Patrioti u shoqërua në polici. Policia deklaroi se ai akuzohet se ka marrë me anë të mashtrimit shumën prej 700 eurosh ndaj shtetasit italian.

TUFA: GJYKIMI I PATRIOTIT SI TERRORI I DIKTATURES
Nga çadra, koordinatori i grevës, Skënder Tufa, rreth orës 15:00, duke folur për seancën gjyqësore të vlerësimit të masës së sigurisë për kolegun e tij Asllan Patrioti, bërë një krahasim me proceset gjyqësire të periudhës së diktaturës komuniste. “Gjykimi që iu bë Patriotit ishte në përmasat e terrorit më të madh të diktaturës gjatë viteve 80-85. Nuk na lanë të futemi në sallën e gjyqit e u bë me dyer të mbyllura”, tha Tufa.
(sg/shqiptarja.com)