“Erdhëm për të marrë leje, në rrugë na erdhi telefonata, Nazimja falet”. Kështu e ka marrë vesh lajmin për lirimin e mbesës Nazime Visha, gjyshja e saj Drita. Teksa pret Nazimen që të lërë qelinë, ajo tha se nuk e kishte imagjinuar kurrë një gëzim të tillë.

“Nuk e imagjinoja këtë gëzim. Kam ardhur me vrap. S’kishte njeri të më shtrëngonte se aq më dridhej trupi. Jam shumë e gëzuar. Ju falënderoj shumë,” u shpreh gjyshja e Nazime Vishës teksa shprehu falënderimet e saj për presidentin Nishani, ministrin Ylli Manjani, gazetarët dhe gjithë politikanët shqiptarë.

Pas daljes nga burgu, Drita tha se Nazimja do të kërkojë punë, pasi gjatë qëndrimit në burg ajo ka mësuar disa zanate si parukiere, guzhiniere apo rrobaqepëse.

Nga momenti në moment Nazime Visha pritet të lërë qelinë në burgun e grave “Ali Demi”, ku vuante dënimin me 10 vite burg për vrasjen e Fiqiri Muçës në gushte të vitit 2012.

Redaksia online
(u.s/shqiptarja.com)