Tiranë - Një 26-vjeçar ka rënë në prangat e policisë për shitje të lëndëve narkotike. Ndërkohë në kërkim janë shpallur 2 bashkëpunëtorët e tij. I arrestuari është identifikuar si Gerold Doçe.
Ka qenë kontroll rutinë i Shigjetave të cilët kanë parë Gerold Doçen duke konsumuar hashash. Pasi e kanë ndaluar efektivët kanë kontrolluar edhe ambientin përreth, dhe në ambientet e përbashkëta të një pallati kanë gjetur dozat e kanabisit.
Më pas, efektivët e Shigjetave kanë pasur dyshime të tjera dhe kontrolluan edhe mjetin e Doçes, të parkuar përballë, ku gjetën edhe sasinë e kokainës dhe MDMA-së. Dyshohet se Doçe ishte i përfshirë me grupe kriminale për shitje dhe shpërndarje të lëndëve narkotike.
Gjatë kontrolleve u sekuestruan 1 kg e 32 g lëndë narkotike Kokainë, 377 g lëndë narkotike kanabis Sativa, 13 tableta MDMA dhe automjeti tip “Mazda”.
Njoftimi i policisë:
Shërbimet e Forcës e Posaçme “Shqiponja”, në bashkëpunim me specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, si rezultat i punës intensive operative dhe operacionale, me objektiv identifikimin dhe ndalimin e shtetasve, të cilët individualisht ose të organizuar si grup, shesin në sasi ose në doza, lëndë narkotike, finalizuan operacionin e koduar “Baza”.
Në kuadër të operacionit u arrestua shtetasi G. D., 26 vjeç, dhe u shpallën në kërkim shtetasit A. A., 26 vjeç dhe D. A., 24 vjeç.
3 shtetasit, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, dyshohet se kishin siguruar lloje të ndryshme lëndësh narkotike (Kokainë, Cannabis Sativa dhe MDMA), sasi të të cilave i kishin fshehur në ambientet e përbashkëta të një pallati dhe në një automjet të parkuar përballë tij, me qëllim shitjen.
Punohet intensivisht për lokalizimin dhe kapjen e 2 shtetasve të shpallur në kërkim, si dhe për identifikimin dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale, të shtetasve të tjerë që mund të jenë përfshirë në këtë rast.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë
Komente











hajde vlla te presim mos u merzit minimumi 2 vite do besh fizike
Përgjigju