Një godinë 3-katëshe në lagjen "Visarjon Xhuvani" në Elbasan ishte kthyer në një pikë prostitucioni dhe shpërndarjeje droge, çka detyroi policinë të ndërhynte. Në momentin e ndërhyrjes, oficerët e policisë arrestuan 4 shtetase nga Kolumbia dhe Republika Domenikane, të moshave nga 25 deri në 35 vjeç. Sipas hetimeve, vajzat dhe gratë me inicialet B. M., 35 vjeçe, D. G., 27 vjeçe, L. M., 25 vjeçe dhe J. B., 33 vjeçe ishin pjesë aktive e kësaj skeme.
Gjatë kontrollit në godinë, u gjetën dhe sekuestruan 0.5 kg Cannabis Sativa, 35.3 gram kokainë, një portofol i mbushur me para, celularë dhe sende të tjera që lidhen me këtë aktivitet kriminal.
Nga hetimet ka dalë edhe emri i organizatorit të dyshuar, një 56-vjeçar shqiptar, me inicialet A.T i cili është shpallur në kërkim. Policia po vijon punën për kapjen e tij.
Operacioni i koduar “Streha” u zhvillua në bashkëpunim me Prokurorinë e Elbasanit, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të rrjetit vijojnë.
Njoftimi i plotë i policisë së shtetit
Zbulohet se në një objekt 3-katësh, në lagjen "Visarjon Xhuvani" në Elbasan ushtrohej prostitucion dhe shiteshin lëndë narkotike Kokainë dhe Cannabis Sativa. Arrestohen në ambientet e objektit, 4 shtetase nga Kolumbia dhe Republika Domenikane, të përfshira në këto veprimtari kriminale. Identifikohet dhe shpallet në kërkim organizatori. Sekuestrohen 0.5 kg lëndë narkotike Cannabis Sativa, 35.3 g lëndë narkotike Kokainë, shuma parash, armë sportive, celularë dhe sende të tjera që lidhen me dy veprimtaritë kriminale.
Specialistët e strukturave hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan, në bashkëpunim me specialistët e seksioneve për Hetimin e Trafiqeve dhe për Mbështetjen Operacionale, si rezultat i një hetimi intensiv, me metoda proaktive, të kryer në koordinim me Prokurorinë e Elbasanit, me qëllim dokumentimin me prova ligjore të vënies së një objekti disakatësh, në lagjen "Visarjon Xhuvani", në funksion të disa veprimtarive kriminale, finalizuan operacionin e koduar “Streha”.
Gjatë ndërhyrjes në objekt, u arrestuan në flagrancë shtetaset e huaja, B. M., 35 vjeçe, D. G., 27 vjeçe, L. M., 25 vjeçe dhe J. B., 33 vjeçe. Nga hetimi rezultoi se ato ushtronin prostitucion në objektin 3-katësh, si dhe iu shitnin shtetasve që përfitonin nga kjo veprimtari kriminale, lëndë narkotike Kokainë dhe Cannabis Sativa. Gjithashtu, nga hetimi u identifikua organizatori i këtyre veprimtarive kriminale, shtetasi A. T., 56 vjeç, për lokalizimin dhe kapjen e të cilit, Policia vijon intensivisht punën. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Elbasanit, për veprime të mëtejshme.
Komente







