Një operacion i autoriteteve ekuadoriane ka çuar në arrestimin e personit që dyshohet se menaxhonte financat e mafias shqiptare që vepronte në vend. Sipas Ushtrisë së Ekuadorit, bëhet fjalë për Pablo Adrián H. T., i njohur me nofkën "Caballo", i cili u kap gjatë një operacioni ushtarak në komunën La Maná, në provincën Cotopaxi.
Autoritetet bënë të ditur se ndaj tij ishte në fuqi një urdhër arresti për trafik droge, ndërsa po hetohet edhe për pastrim parash dhe pjesëmarrje në organizatë kriminale.
Sipas Ushtrisë së Ekuadorit, "Caballo" ishte operatori financiar i dyshuar i mafias shqiptare që organizonte dërgimin e sasive të mëdha të kokainës nga portet e Ekuadorit drejt Evropës.
Pas arrestimit në La Maná, "Caballo" u transferua në qytetin Quevedo, në provincën Los Ríos, ku iu dorëzua autoriteteve për procedurat gjyqësore.
Operacioni u zhvillua në një zonë që prej muajsh ndodhet nën gjendje të jashtëzakonshme, të shpallur nga presidenti Daniel Noboa për shkak të nivelit të lartë të kriminalitetit dhe dhunës. Sipas forcave të sigurisë, La Maná është një korridor strategjik që përdoret nga organizatat kriminale për lëvizjen e njerëzve, mallrave dhe logjistikës së trafikut ndërkombëtar të drogë
Autoritetet ekuadoriane e lidhin atë me rrjetin kriminal që, sipas tyre, drejtohej në Ekuador nga shqiptari Dritan Gjika. Ky i fundit u arrestua në vitin 2025 në Abu Dhabi, me qëllim ekstradimin.
Emri i Gjikës është rikthyer së fundmi edhe në dosjet e SPAK. Ai është mes personave për të cilët Prokuroria e Posaçme ka caktuar masë "arrest me burg" në kuadër të megaoperacionit kundër një grupi të dyshuar të trafikut ndërkombëtar të drogës dhe pastrimit të parave. Sipas SPAK, Gjika dyshohet si pjesëtar i këtij grupi kriminal, ndërsa hetimet kanë në qendër një rrjet që dyshohet se trafikonte sasi të mëdha kokaine drejt Evropës dhe pastronte fitimet përmes bizneseve dhe investimeve.
Sipas autoriteteve ekuadoriane, 47-vjeçari kishte mbërritur për herë të parë në Ekuador në vitin 2009 me vizë vizitori të përkohshëm dhe më pas ngriti një strukturë kriminale që operonte në Ekuador dhe Spanjë. Rrjeti dyshohet se dërgonte sasi të mëdha kokaine drejt Holandës, Belgjikës dhe Spanjës, ndërsa përdorte kompani të ligjshme për pastrimin e parave dhe fshehjen e aktivitetit financiar. Sipas hetimeve në Ekuador, organizata dyshohet se ka pastruar mbi 43 milionë dollarë.
Në Shqipëri, SPAK ka bërë me dije se Gjika dyshohet të ketë qenë pjesë e grupit kriminal të drejtuar nga Salvador alias Shpëtim Aliu, i cilësuar nga hetuesit si një nga figurat më të fuqishme të trafikut ndërkombëtar të kokainës. Sipas prokurorisë, në këtë rrjet përfshiheshin edhe emra të njohur të botës së krimit si Eldi Dizdari dhe Armando Pacani.
Hetimet e SPAK, të nisura në vitin 2020 dhe të mbështetura edhe në komunikimet e aplikacionit SKY ECC, flasin për një rrjet që në vitet 2019-2021 dyshohet se futi në Evropë rreth 50 tonë kokainë. Prokuroria ka dokumentuar pesë episode të trafikimit të sasive të mëdha të drogës, ku janë sekuestruar afro 9 tonë kokainë, ndërsa me vendim të GJKKO janë sekuestruar 491 pasuri me një vlerë të përllogaritur rreth 150 milionë euro.
Nuk është hera e parë që autoritetet ekuadoriane godasin persona të dyshuar për lidhje me mafian shqiptare. Në muajin mars të këtij viti, gjykata vendosi masën e arrestit me burg për 14 persona, të arrestuar gjatë një operacioni kundër një rrjeti që dyshohej se kishte lidhje me mafian shqiptare dhe merrej me dërgimin e kokainës drejt Evropës, të fshehur në kontejnerë transporti.








Komente
Komento