Goditet METE e LSI, "hiqen" 7
drejtorë dhe gruaja e Mediut

Goditet METE e LSI, drejtorë dhe gruaja e Mediut">
TIRANE- Shtatë drejtorë të rëndësishëm të ministrisë së drejtuar nga Lëvizja Socialiste për Integrim rrezikojnë postin. Në një njoftim të tij, Departamenti i Administratës Publike ka shpallur konkursin për të shtatë poste njëherësh.

Të gjitha pozicionet janë drejtorë pranë ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, ndër të cilët një është drejtor i përgjithshëm. Nga ky dikaster nuk sqarojnë në se personat aktualë janë vënë në dijeni apo jo për këtë lëvizje të Departamentit, që është në vartësi të ministrisë së Brendshme.

Midis atyre që vazhdojnë edhe sot të mbajnë postet për vendet e shpallura vakant shquhen figura drejtuese të LSI-së dhe bashkëshortja e ministrit Fatmir Mediu. Zhuljeta Mediu mban postin e drejtores së statistikave dhe komunikimit elektronik.

Postet
Konkursi zhvillohet për shtatë pozicionet sa më poshtë: drejtor i përgjithshëm i Ofrimit të Shërbimeve; drejtor i politikave elektroenergjetike; drejtor i standardeve minerare dhe industriale; drejtor i bashkëpunimit ekonomik; drejtor i administrimit të pronës publike; drejtor i privatizimit dhe drejtor i statistikave dhe komunikimit elektronik.

Zyrtarët
Deri tani, këto poste sa më sipër i kanë mbajtur dhe i mjanë përkatësisht: Genti Minarolli, Agim Bregasi, Ilir Qafa, Agim Anxhaku, Ylli Dylgjeri, Fatmir Isufaj dhe Zhuljeta Mediu. Emri i fundit është ai i bashkëshortes së ministrit të Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujrave dhe kryetar i Partisë Republikane, Fatmir Mediu.

Politika
Lëvizja njëherësh e shtatë drejtuesve, nga më të lartët, e një dikasteri kaq të rëndësishëm si ministria që kontrollon licensat e burimeve natyrore, administron ndërmarrjet me pronar shtetin, po përgatit procesin e privatizimit për gjithshka që mbetet ende publike, nuk mund të jetë e rastit. Po të shohësh postet që dalin "në ankand", ato janë të lidhura me privatizimet, burimet natyrore, statistikat, minierat, energjinë elektrike dhe menaxhimin e pronës publike. Të gjitha këto, janë sektorë që Partia Demokratike e ka të vështirë t'ia lejë krejtësisht në dorë partnerit të saj, vërtet strategjik, por edhe shumë më të vogël si peshë politike. Ato shihen nga shumëkush si burime të ardhurash, pushteti të vërtetë politik dhe punësimi, që i ka vetëm ky dikaster dhe nuk i ka Kultura psh.

Duket se, me këtë lëvizje, Berisha dhe njerëzit e tij në qeveri e PD synojnë të infiltrojnë njerëzit e tyre në këtë dikaster, për të kontrolluar më nga afër veprimet e njerëzve të LSI-së. Aq më tepër tani, kur qarkullojnë informacione, sipas të cilave kjo parti "flirton" për pushtetin e ardhshmëm me opozitën aktuale, zëra gjithnjë e më të fuqishëm pas takimit privat dhe atij publik midis Ilir Metës dhe Edi Ramës. Me ndryshimin e drejtuesve në sektorë kyç, njëherësh, punësohen njerëz të pakënaqur nga partia që qeveris vendin, të cilët shohin me shqetësimin mënjanimin e tyre nga hyrja e eksponentëve të LSI-së në postet më të pushtetshme, kontrollohet direkt kalimi i pronës shtetërore në privatët që janë pranë Berishës dhe PD-së, bashkë me licensat e reja që jepen për HEC-e, naftë e gaz, krom e minerale të tjera. Të gjitha këto mund të bëhen duke larguar drejtuesit aktualë, që prej disa vitesh janë në këto poste, të caktuar nga LSI-ja.

Dobësimi
Në këtë mënyrë, synohet edhe të dobësohet ortaku në pushtet. Është ministri ai që jep licensat, por praktikat kalojnë në drejtori, komisione vlerësimi, ku PD synon të ketë njerëzit e vet, për të mos lejuar fuqizimin ekonomik dhe punësimin e militantëve të LSI, por edhe të Partisë Republikane. Bashkashortja e ministrit Mediu fillimisht ka ardhur në METE si këshilltare e ministrit, për të kaluar në postin e drejtores së statistikave dhe komunikimit elektronik. Me largimin e saj nga ky post, PD i jep një sinjal të ri kreut të PR-së se nuk toleron flirtet politike përtej koalicionit qeveritar, duke filluar me ato të zgjedhjes së presidentit, që kësaj here do të ketë një rëndësi të veçantë për të ardhmen e Ekzekutivit.

POSTET DHE DREJTORET QE ZEVENDESOHEN

Emri i drejtuesit - Posti

Ylli Dylgjeri - drejtor i administrimit të pronës publike
Genti Minarolli - drejtor i përgjithshëm i ofrimit të shërbimeve
Agim Bregasi - drejtor i politikave elektroenergjetike
Ilir Qafa -  drejtor i standardeve minerare dhe industriale
Agim Anxhaku - drejtor i bashkëpunimit ekonomik
Fatmir Isufaj - drejtor i privatizimit
Zhuljeta Mediu - drejtore e statistikave dhe komunikimit elektronik

(foto arkiv, Ilir Meta, Sali Berisha)

(sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Austri/ Orteku vret 2 skiatorë në alpet e Tirolit, kërkime dhe për një të tretë

Austri/ Orteku vret 2 skiatorë në alpet e Tirolit, kërkime dhe për një të tretë