Goditet një rrjet i trafikut të lëndëve narkotike në Itali. Autoritetet fqinje arrestuan mbrëmjen e djeshme 18 persona, mes tyre dhe shqiptarë në disa qytete.
Më herët, në kuadër të këtij rrjeti droge janë arrestuar dhe 6 persona të tjerë, për të cilët u vendos masa e sigurisë arrest shtëpie.
Ky grup kriminal dyshohet se janë shpërndarës së lëndëve narkotike në Italinë veriore, ku hetimet filluan nga rrethi i Comasina në Milano.
Në kuadër të këtij operacioni u sekuestruan në cilësinë e provave materiale makina, bizhuteri, para, një shkollë hipizmi, disa kuajt, të gjitha këto dyshohet se kanë ardhur nga trafiku i lëndëve narkotike.
Nga hetimi u zbuluan tre nivele të tregtisë së drogërave. Dy grupe funksiononin si organizatorë të shitjes ndërsa një grup tjetër, mes tyre shqiptarë, bënin shpërndarjen e lëndës narkotike në zona të ndryshme.
Këta të fundit u konstatuan duke shitur kokainë dhe kanabis në sheshin Milanesse. Personat e përfshirë në këtë rrjet u arrestuan në disa qytete si Milano, Monza, Torino, Bergamo e Sassari.