Një tjetër goditje e rëndë për narkotrafikun në Meksikë, dy muaj pas daljes nga skena të superbosit “El Mencho”. Forcat speciale meksikane kanë arrestuar Audias Flores Silva, i njohur si “El Jardinero”, kreu rajonal i kartelit Jalisco Nueva Generación dhe një nga pasardhësit e mundshëm të Menchos, pasi ka qenë nxënësi i tij.
Mbi kokën e “El Jardineros”, përveç një kërkese për ekstradim, rëndonte edhe një shpërblim prej 5 milionë dollarësh për kapjen e tij, i vendosur nga Shtetet e Bashkuara, vend ku ai kishte vuajtur tashmë pesë vite burg për trafik droge para se të lirohej dhe t’i rikthehej aktivitetit.
Flores Silva, aktiv kryesisht në tregjet klandestine përgjatë bregdetit të Paqësorit, sot akuzohet për trafik ndërkombëtar të kokainës dhe heroinës, si dhe për përdorim armësh zjarri. Sipas autoriteteve meksikane, ai kontrollonte laboratorë metamfetamine, pista klandestine dhe rrugë për trafikun e drogës mes Amerikës Qendrore, Meksikës dhe SHBA-ve. Falë organizimit të CJNG dhe dhunës së anëtarëve të saj, vitet e fundit ai dyshohet se ka futur në Shtetet e Bashkuara sasi të mëdha fentanili./La Repubblica

Komente











