Dy persona janë arrestuar nga policia e Tiranës, pasi kanë goditur dhe dhunuar për shkak të detyrës një efektiv të policisë rrugorë si dhe një punonjës të OSHEE-së.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 3 bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit A. H., 55 vjeç, për veprën penale "Goditjet për shkak të detyrës", pasi për shkak të detyrës, ka goditur punonjësin e Policisë së Qarkullimit Rrugor.
Po ashtu policia e Vorës ka arrestuar në flagrancë shtetasin B. E., 45 vjeç, i dënuar më parë për veprën penale "Vjedhja e energjisë elektrike ose impulseve telefonike", pasi në Domje, ka goditur me grushte, punonjësin e OSHEE-së Vorë, duke e penguar në kryerjen e detyrës.