Goditi policinë,momenti i kapjes së mikut të dhëndrit të Sejdinit
Policia e Shtetit ka publikuar pamjet e momentit të arrestimit të Enea Bekteshit, i cili akuzohet se goditi makinën e policisë së zv/drejtorit me ‘Audi’-in e blinduar në datë 18 shtator. Enea Bekteshi, që njihet si miku i dhëndrit të kryebashkiakut të Elbasanit, Qazim Sejdini u arrestua pasditen e sotme në qytetin e Cërrikut VIDEO FOTO
ELBASAN-Policia e Shtetit ka publikuar pamjet e momentit të arrestimit të Enea Bekteshit, i cili akuzohet se goditi makinën e policisë së zv/drejtorit me ‘Audi’-in e blinduar në datë 18 shtator.
Enea Bekteshi, që njihet si miku i dhëndrit të kryebashkiakut të Elbasanit, Qazim Sejdini u arrestua pasditen e sotme në qytetin e Cërrikut.
31-vjeçari pas incidentit me policinë ishte larguar nga Elbasani në drejtim të Cërrikut duke u fshehur në banesën e kunatit, i cili gjithashtu u arrestua nga policia.
Policia deklaron se Enea Bekteshi ishte drejtuesi i mjetit tip “Audi” me targa AA 795 EP i blinduar që goditi mjetin e policisë me targa MB 002 AA në Lagjen “Dyli Haxhire” pranë tregut Agro – Ushqimor.
Në operacionin për arrestimin Bekteshit morën pjesë FNSH Tiranë dhe Forcat e Posaçme Operacionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit.
Enea Bekteshit gjatë arrestimit iu gjet dhe sekuestrua edhe një sasi kanabisi, ndërsa kunati i tij, Aleks Pupuleku 40 vjeç u arrestua, pasi iu gjet një bajonetë. Veprimet janë kryer në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda Tiranë.
Enea Bekteshi akuzohet për tre vepra penale; “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese, mbetur në tentativë”, “Shkatërrimi i pronës me mjete të tjera” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, ndërsa kuanti i tij akuzohet për “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të ftohta”.
Tashmë për ngjarjen e Elbasanit në kërkim është vetëm Suel Çela, djali i biznesmenit Petrit Çela.