Goditja e organizatave dhe grupeve të strukturuara kriminale kaloi një tjetër nivel në 2025-n. I gjithë viti shënoi një nga periudhat më intensive kundër krimit të organizuar që prej krijimit të SPAK-ut.
Informacionet nga agjencitë partnere, në veçanti transkriptimet nga platformat e enkriptuara, skuadrat e përbashkëta me hetime afatgjata vunë në shënjestër grupet më të fuqishme kriminale, me aktivitet brenda dhe jashtë vendit.
Goditja e rrjeteve të trafikut ndërkombëtar të drogës ishte ndër sukseset më të mëdha, sikundër dhe zbulimi i krimeve të tjera të rënda, vrasjeve apo atentateve mes grupeve rivale.
Operacionet e përbashkëta me autoritetet italiane dhe agjencitë europiane dëshmuan skema të sofistikuara të përdorura nga shqiptarët që siguronin transportin e drogës nga Amerika Latine drejt vendeve të Bashkimit Europian, duke përdorur porte, kompani fiktive dhe rrjete logjistike të ndërtuara ndër vite. Arrestimet dhe sekuestrimet e pasurive u konsideruan si goditjet më të fuqishme ndaj këtyre rrjeteve. Paralelisht me trafikun ndërkombëtar, SPAK goditi grupe kriminale që vepronin kryesisht brenda vendit, por që kishin ndërtuar struktura të qëndrueshme për shpërndarjen e drogës, pastrimin e parave dhe sigurimin e mbrojtjes përmes lidhjeve korruptive.
1. “URA”, goditje grupit të Visit të Pojës
Më 21 maj, SPAK, në bashkëpunim me autoritetet italiane dhe ato ndërkombëtare, si Eurojust dhe Interpol, finalizoi operacionin e koduar “URA”. U ekzekutuan 52 masa sigurie ndaj personave të dyshuar për trafikun ndërkombëtar të drogës dhe pastrimin e parave. Tre grupe të strukturuara kriminale u goditën, të cilët drejtoheshin nga emra të njohur të krimit si Elvis Doçi, i njohur “Poja”, apo Adi Çoba, kreu i një tjetër organizate. SPAK dhe antimafia italiane thanë se kishin dokumentuar dhjetëra episode trafiku droge gjatë pesë viteve të fundit.
U vendosën gjithashtu sekuestrime biznesesh, pasurish dhe llogarish bankare me vlerë disa milionë euro, duke goditur strukturën financiare të rrjetit. Nga përgjimet dhe monitorimet, përfshirë bisedat e koduara SkyECC, u dokumentuan transaksione CASH deri në 5 milionë.
Në nëntor, Grupi i Visit të Pojës u godit serish në kuadër të një operacioni ndërkombëtar, ku u lëshuan 24 masa sigurie në Itali, Shqipëri, Angli dhe Francë. Në Shqipëri, nën drejtimin e SPAK, u arrestuan disa anëtarë të grupit, ndërsa hetimet zbuluan lidhje me punonjës të institucioneve shtetërore, përfshirë oficerin e Antiterrorit Igli Haxhiaj, i dyshuar për dekonspirim hetimesh.
Organizata operonte nga Shqipëria dhe Italia, duke përdorur aplikacione të enkriptuara për koordinimin dhe duke trafikuar drogë nga Amerika e Jugut drejt Europës Veriore. Droga transportohej me kamionë dhe shpërndahej në 6 baza logjistike në Itali, ndërsa paratë e fituara ktheheshin në Shqipëri përmes rrugëve të sigurta. Grupi kishte gjithashtu lidhje me Sacra Corona Unita, duke e forcuar rrjetin ndërkombëtar.
Gjatë hetimeve shtesë u sekuestruan edhe 550 mijë euro cash, 10 automjete, një pistoletë dhe 130 kilogramë lëndë narkotike, me vlerë tregu rreth 12 milionë euro, ndërsa hetimet ndërkombëtare vazhdojnë.
2. Mbyti Europën me kokainë, çmontohet organizata
Në korrik, SPAK finalizoi një tjetër goditje madhore, duke çmontuar një grup kriminal që dyshohet se ka trafikuar mbi 6 tonë kokainë, me një vlerë tregu të llogaritur rreth 411 milionë euro. Në këtë dosje u identifikuan 16 persona të dyshuar, mes tyre emra të njohur si Ermir Ndreaj, i njohur si “Cinco”, vëllezërit Klevis dhe Artur Hoxhosmani, si dhe Ilir Lloshi. Shtatë prej tyre u arrestuan menjëherë për trafik droge dhe pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal. Në pranga përfunduan vëllezërit biznesmenë Hoxhosmani, Ermir Ndreaj dhe Ilir Lloshi.
Ndërkohë, Erion Alibej dhe Plarent Dervishaj u njohën me masën e sigurisë “arrest me burg” në qeli, pasi ndodheshin tashmë në paraburgim për dosjen e njohur si “Plumbi i Artë”. Hetimi zbardhi aktivitetin e grupit falë komunikimeve të siguruara nga aplikacionet Sky ECC dhe EncroChat. Hetimi kishte nisur fillimisht për atentatin ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoja, por përgjimet zbuluan një rrjet të gjerë trafiku që kishte dërguar tonelata kokaine nga Ekuadori drejt vendeve të Bashkimit Evropian, kryesisht gjatë vitit 2020. Një rol kyç në zbardhjen e kësaj dosjeje pati bashkëpunëtori i drejtësisë nga operacioni “Plumbi i Artë” Erion Alibej, i cili ndihmoi në dokumentimin e strukturës dhe funksionimit të grupit.
3. Rrjetet shqiptare të drogës në Finlandë
Katër grupe kriminale, të drejtuar nga bosët nga Shqipëria, e që mbushnin Finlandën me drogë, kryesisht ajo sintetike, janë shkatërruar përmes një operacioni të përbashkët finlandezo-shqiptar.
11 masa sigurie arrest me burg u firmosën me kërkesë të SPAK, ndërsa më herët nga autoritetet finlandeze ishin proceduar e më pas dënuar 55 persona, prej të cilëve 10 shqiptarë, anëtarë të grupeve kriminale.
Hetimi zbuloi rrjete trafiku të ndërlidhura në disa vende të Europës. Prokuroria e Posaçme dhe autoritetet finlandeze e goditën rrjetin e trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike dhe sintetike, pas dy vitesh hetime me metoda speciale dhe proaktive, përgjime dhe gjurmime.
Këto grupe, të krijuara, organizuar dhe drejtuar nga shtetas shqiptarë, kanë mundur të trafikonin në territorin e Republikës së Finlandës sasira të konsiderueshme lëndësh apo substancash narkotike me rrezikshmëri të lartë, përfshirë kokainë, amfetaminë, kanabis, ekstazi dhe substanca të tjera psikotrope. Droga trafikohej dhe transportohej nga Holanda dhe Spanja si dhe më pas dorëzohej, tregtohej dhe shpërndahej në disa qytete të Finlandës, duke shfrytëzuar rrjet të mirëorganizuar shpërndarësish.
Gjatë operacionit për vënien në pranga të trafikantëve nga forcat e policisë dhe agjentët e BKH u sekuestruar 8 automjete, telefona celularë dhe shumë dokumente me vlerë për hetimin, dokumente në gjuhën finlandeze me të dhëna të rëndësishme për aktivitetin kriminal të personave dhe lëvizjen e parave. Pikërisht për paratë e përfituara nga aktiviteti kriminal paralelisht nisi një hetim pasuror për të 11 personat.
4. Goditja e grupit të Shijakut dhe tjetërsimi i pronave bregdetare
Më 2 tetor, SPAK zbardhi një skemë të mirëorganizuar për tjetërsimin e pronave bregdetare në Gjirin e Lalzit dhe fshatin Shetaj në Durrës, duke sekuestruar 11 pasuri me mbi 254 mijë m² dhe arrestuar persona të dyshuar për falsifikim dokumentesh, korrupsion dhe dhunë. Hetimet nxorën në pah së në krye të grupit kriminal ishte një emër i njohur i krimit, Aleksandër Laho, i cili dyshohet se kishte akses të paligjshëm në sistemin e kadastrës dhe lidhje me figura publike. SPAK zbardhi skemën edhe përmes dokumenteve që gjeti në makinën ku iu bë atentat ish-prokurorit Arjan Ndoja në 2019.
“Rrumi i Shijakut” së bashku me vëllanë e tij Vullnet Muça, dhe të tjerë, dyshohet se kanë falsifikuar dokumente, lëshimi i të cilave bëhet vetëm nga institucione shtetërore, në fshatrat, Lalëz, Shetaj, Bizë dhe Kërtushaj të rrethit Durrës.
Ata falsifikonin Akte të Marrjes së Tokës në Pronësi (AMTP), përmes shtimit të numrit të parcelave, prodhimin e dokumenteve të falsifikuar dhe futjen ilegalisht të tyre në arkivën e ish Kadastrës Durrës, duke i paraqitur si vendime të Komisionit të Verifikimit të Titujve të Pronësisë pranë Këshillit të Qarkut Durrës.
Pasuritë e siguruara në kundërshtim me ligjin, regjistroheshin në emrin e fshatarëve të cilët në pjesën më të madhe të rasteve nuk kishin dijeni se ishin pronarë të këtyre pasurive. Më pas grupi kriminal i “Rrumit të Shijakut” i shiste këto pasuri te individë apo kompani të interesuara për investime në zonën bregdetare të Rërës së Bardhë apo Kepit të Rodonit.
Në të njëjtin operacion SPAK zbardhi edhe episod tjetër, të organizuar nga një grupi kriminal i Avdylajve të Shijakut.
Edmir Bregu alias Ilir Kuçi 32 vjeç u ekzekutua janarin e 4 viteve më parë me urdhër dhe porosi të Astrit Avdylajt. Përgjimet në Skyecc zbardhën ekzekutimin e të riu të cilin kreu i grupit kriminal të Avdylajve në Shijak e porositi për të marrë hakun, për shkak se viktimën e dyshonte si autor të një atentati të dështuar ndaj nipit të tij, Elidon Alias Aldo Avdyli.
Për këtë krim të rëndë prokurorët e çështjes kërkuan 4 masa sigurie arrest me burg, të cilat GJKKO i miratoi. SPAK akuzon Astrit Avdylin, nipin e tij Aldo Avdyli dhe Enea Kumen, vëllain e deputetit socialist Loer Kume, për implikim në këtë vrasje.
5. Sekuestrohen pasuritë e Suel Çelës në Itali
Në vitin 2025, SPAK, në bashkëpunim me Prokurorinë e Veronës dhe Guardia di Finanza, sekuestroi pasuri me vlerë mbi 4 milionë euro për organizatën kriminale të Suel Çelës, e cila vepronte jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Verona të Italisë. U sekuestruan ndërtesa, komplekse zyresh dhe llogari bankare të përdorura për depozitimin e të ardhurave nga trafiku ndërkombëtar i kokainës.
Mes pasurive të sekuestruara një godinë në qytetin e Veronas, me vlerë 3 milion euro, biznes i vëllezërve Suel dhe Marjo Çela, që SPAK i konsideron drejtues të organizatës kriminale të Elbasanit. Vetëm përmes kësaj pronës, e përbërë nga 30 zyra e dyqane, Suel Çela vilte fitim 400 mijë euro qira në vit, që i kalonin në një llogari bankare.
Ndërtesa 3 milionë euroshe në një prej qyteteve më të bukura të Italisë, llogaria bankare por edhe një ndërtesë tjetër në lagjen Nogarole Rocca në Verona dhe një biznes ndërtimi me 100% aksione në Itali u vendosën nën sekuestro me vendim të Gjykatës së Veronas pas një kërkesë të mbërritur në prokurorinë e qytetit nga Prokuroria e Posaçme në Tiranë.
Hetimet e kryera përmes një skuadre të përbashkët të SPAK, Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe Guardia di Finanzas në Verona, konkluduan se pasuritë dyshohet se kanë ardhur nga trafiku ndërkombëtar i drogës nga Amerika e Jugut në tregjet evropiane.
Sa i përket skemës së pastrimit të parave në Verona përmes biznesit, SPAK thotë se hetimet e përqendruan vëmendjen tek një biznes i pasurive të paluajtshme në Itali, të cilës i dërgoheshin shifra të mëdha parash, përmes sistemit bankar. Paratë shkonin nga Shqipëria drejt Italisë përmes një biznesi fruta-perimesh, sipas burimeve të Report Tv, në pronësi të dy Çela. Sapo vinin nga Elbasani në Verona paratë investoheshin në ndërtim, rikonstruksionin e ndërtesave, të cilat më pas jepeshin me qira.
Përdorimi i burimeve të mëdha financiare që derdheshin nga Shqipëria në ekonominë italiane, sipas autoriteteve të dy vendeve përfaqësonte edhe hallkën përfundimtare të pastrimit të parave.
Për të fshehur gjurmët, Suel Çela urdhëronte kryente transaksione të pasurive të paluajtshme, me qëllim pengimin e gjurmueshmërisë së origjinës së paligjshme të parave dhe në këtë mënyrë sipas prokurorirë organizata përfitonte shërbime të “pastruara”, me fitimin e përftuar nga transaksionet e dyshuara, të cilat mund të ripërdoreshin në investime në prona të paluajtshme, në territorin italian.
Në Verona thotë SPAK organizata kriminale kishte qendër të sajën, ku strehohej edhe vëllai i Suel Çelës, Marjo Çela deri në qershorin e vitit 2024, kur u prangos nga autoritetet italiane dhe iu dorëzua Belgjikës.
6. Çopjat në shënjestër, bllokohen dhjetra milionë euro prona e kriptovaluta
Duke filluar nga 22 janar e gjatë gjithë vitit, disa goditje iu dhanë nga SPAK ndaj organizatës tjetër kriminale të Elbasanit, e njohur si grupi i Çopjave. U realizua një nga sekuestrimet më të mëdha të pasurive kriminale të viteve të fundit, duke përfshirë dhjetëra milionë euro, prona, biznese dhe mbi 10 milionë dollarë të investuara në kriptovaluta, që i përkisnin vëllezërve Hajdar dhe Franc Çopja. Kjo ishte hera e parë që SPAK goditi pastrimin e parave në shkallë të tillë përmes monedhave digjitale, duke përdorur shërbime globale të menaxhimit të “stablecoin”.
Nga hetimi pasuror i nisur prej gushtit të vitit 2024, grupi përdorte kriptovalutat si formë të sofistikuar për pagesa të ndryshme. Megjithatë, kjo nuk është goditja e parë që SPAK i jep organizatës së Çopjave. Më herët, grupit i janë sekuestruar mbi 1 milion euro cash (në valuta të ndryshme), 2 llogari bankare me vlerë 132 mijë euro dhe dhjetëra pasuri të paluajtshme në emër të familjarëve dhe personave të tjerë të lidhur me organizatën. Në mesin e pasurive të paluajtshme është edhe ish-vila Gjuta në Rrugën e Elbasanit në Tiranë, disa apartamente dhe vila në Tiranë dhe më në periferi në Farkë, në Kavajë, sipërfaqe toke trualli në disa qytete përfshirë pranë bregdetit të Qeparosë, si dhe kompaninë “Elba Beton” në Bradashesh e bizneset e tjera të lidhura me të, të cilat figurojnë të jenë në pronësi të Arjan Ormënaj, i cili dyshohet se pastron paratë e Çopjave. Një pjesë e mirë e listës së gjatë të pasurive të sekuestruara figuron në emër të Arben Lamçes, një nga ushtarët më të besuar të vëllezërve Çopa.
Ai figuron pronar i sipërfaqeve të konsiderueshme të tokave artë në Kavajë, një trualli në Elbasan dhe hotel Domus në Tiranë. Gjatë muajve tetor-nëntor 2020, Lamçe siguroi kushtet për të eliminuar Nuredin Dumanin, tashmë i penduar i drejtësisë, për llogari të Franc Çopjas dhe do të paguhej 250 mijë euro për kapjen dhe 500 mijë euro për vrasje. Arben Lamçe akuzohet nga SPAK se ka pastruar paratë e krimit të vëllezërve Çopa duke blerë pasuri në emër të tyre dhe familjarëve.
Grupi, i cili kishte kontakte në polici dhe sistemin e drejtësisë, dyshohet se ka porositur eliminimin e një sërë grupesh rivale me synim dominimin e tregut ndërkombëtar të kokainës. Aktualisht, Hajdar Çopja është i arrestuar në Belgjikë, pasi u ekstradua atje nga Dubai, vend ku dyshohet se ndodhet i fshehur, vëllai tjetër Franc Çopja.
7. Operacioni ndaj fisit Rraja
Më 10 dhjetor, një operacion i SPAK zbuloi disa grupe kriminale, të përfshira në trafikun e lëndëve narkotike, aktivitet i kryer nga viti 2020 dhe në vijim, brenda dhe jashtë vendit në disa shtete. Prokuroria e Posaçme ra në gjurmët e 5 drejtuesve njëkohësisht edhe financues të këtyre grupeve të strukturuara kriminale.
14 masa sigurie u lëshuan ndaj të dyshuarve. Në pranga ranë, djali dhe dy kushërinj të ish-deputetit socialist Rrahman Rraja, Rexhep Rraja 31 vjeç, Gazmir Rraja 35 vjeç dhe Përparim Rraja 50 vjeç, nga Nikla e Fushë-Krujës. Policia ekzekutoi masat edhe ndaj Marvin Bushatit, të cilit iu gjet dhe një armë pa leje, Agim Ninës, Sokol Qatjes dhe Zamir Aliajt.
Tre episode të trafikut janë evidentuar nga SPAK se i përkasin këtyre grupeve, me në total 2 tonë marjuanë e 475 kg kokainë të sekuestruar. I pari i përket 3 nëntorit të vitit 2020, kur në Mal të Zi u sekuestruan 1722 kg marijuanë, e dërguar nga Shqipëria me destinacion përfundimtar Gjermaninë.
Rasti i dytë i trafikut që lidhet me këto grupe, është i po të njëjtit muaj, nëntor 2020, 20 ditë më pas, më 23 nëntor. Autoritetet në Holandë sekuestruan 475 kg kokainë të dërguar nga Ekuadori.
Episodi i tretë që SPAK dyshon se përgjegjës janë anëtarët e grupeve shqiptare të zbuluar nga bisedat e SkyEcc, I përket 26 janarit të vitit 2021, ku në Turqi u kapën 236 kg marijuanë, e trafikuar nga Shqipëria
11 vendime për kontrolle në banesa dhe ambiente në pronësi të 10 personave, u ekzekutuan nga policia gjyqësore, ku u sekuestruan rreth 430 mijë euro, 1 armë pa leje dhe municione, jelek antiplumb, dylbi e dokumente, ndërsa Rrajave iu sekuestruan 3 automjete dhe 1 orë Rolex.
Hetimet e Prokurorisë të finalizuara gjatë vitit 2025, përfshinë grupe të shumta më shtrirje aktiviteti jo vetëm në Europë. Ato dokumentuan rolin e secilit anëtar, hierarkinë brenda rrjeteve, dhe mënyrën e funksionimit të tyre si organizata të mirëfillta kriminale, duke shënuar një ndryshim të madh, nga goditjet sporadike, drejt çmontimit të plotë të strukturave.
Komente









Nje qartesim! Shumica e ceshtjeve jane show, asnje sdo arrestohet Pervec atyre qe jane ne marrveshje. Asnje prone sdo sekuestrohet varja pa lidhje.... Respekt
Përgjigju