Dy ditë pas goditjes së grupit ‘Bajri’ në Shkodër dhe në Tiranë, PD vijon me akuzat ndaj ministrit Bushati dhe kryeministrit Rama. Ervin Salianji, sekretar i grupit parlamentar të PD thotë se ‘Ditmir Bushati hesht dhe nuk u përgjigjet pyetjeve të PD për komunikimet e tij me bandën e Bajrëve. E vërteta është se me porosi të Ramës, Bushati ka bashkëpunuar me Bajrët në zgjedhje’ shprehet ai.  Ai deklaron se ‘Shumë prej qeveritarëve dhe deputetëve të Rames kanë rënë në rrjetën e përgjimeve të partnerëve’.

Bushati nuk iu përgjigj 5 pyetjeve që i adresoi Partia Demokratike dje.  Bushati dhe Rama janë mekur sepse:- Bushati me porosi të Ramës i ka takuar me dhjetëra herë para fushatës, gjatë fushatës dhe pas saj për t’i kthyer shërbimet grupit të Bajrajve, me emërime, tendera dhe vendosjen e shtetit në shërbim të tyre.  Gjatë zgjedhjeve grupi Bajraj është përdorur për të kërcënuar dhe intimiduar votuesit e opozitës. Rama i ka kërkuar grupit Bajraj, nepermjet Ditmir Bushatit, që të shtojnë numrin e deputetëve te PS ne Qarkun Shkodër sipas “mënyrës së tyre” dhe në këmbim u ka ofruar garanci për të drejtuar ata gjithë interesat në Shkodër. Bushati u ka dërguar falenderimet në emër të Ramës pas zgjedhjeve elektorale. Komunikimi  me Bajrat është i shpeshtë dhe komunikimi i fundit me ta është gjatë muajve të fundit. Shumë prej qeveritarëve dhe deputetëve të Rames kanë rënë në rrjetën e përgjimeve të partnerëve. Prandaj Edi Rama nuk e pranon vetingun në politikë.

Ervin Salianji

Mbrëmjen e së premtes policia dhe prokuroria gjatë një operacioni në Tiranë dhe në Shkodër arrestuan në total 11 persona, duke përfshirë këtu edhe 3 të arrestuarit e aksionit të zhvilluar pak ditë më parë, në lagjet Kiras dhe Dobraç. Të arrestuarit akuzohen për vrasje, gjobëvënie ndaj bizneseve, kërcënim si dhe pjesëmarrje në një grup të strukturuar kriminal.