Kombëtarja e Ganës ka marrë një lajm jo të mirë në prag të nisjes së aventurës së saj në Kupën e Botës 2026, pasi mesfushori Thomas Partey nuk është lejuar të hyjë në Kanada dhe do të mungojë në ndeshjen e parë të turneut kundër Panamasë.
Futbollisti 32-vjeçar, i cili aktivizohet me Villarrealin, ndodhet aktualisht në Boston me përfaqësuesen ganeze, por kërkesa e tij për vizë është refuzuar nga autoritetet kanadeze. Si pasojë, ai nuk do të jetë i disponueshëm për sfidën që do të zhvillohet në Toronto.
Sipas FIFA-s, organizata nuk ka kompetencë mbi procedurat e emigracionit të vendeve organizatore, duke theksuar se vendimet për hyrjen ose jo të individëve në territorin e një shteti janë përgjegjësi ekskluzive e autoriteteve kombëtare.
Autoritetet kanadeze nuk kanë dhënë një shpjegim të detajuar publik lidhur me rastin, por ligji i vendit parashikon kufizime për persona që kanë precedentë penalë ose që përballen me çështje të caktuara ligjore.
Partey aktualisht përballet me shtatë akuza për përdhunim dhe një akuzë për sulm seksual, të lidhura me pretendime të ngritura nga katër gra për ngjarje të ndodhura mes viteve 2020 dhe 2022. Futbollisti ka mohuar vazhdimisht të gjitha akuzat dhe është deklaruar i pafajshëm. Deri më tani ai nuk është shpallur fajtor nga asnjë gjykatë, ndërsa procesi gjyqësor pritet të zhvillohet vitin e ardhshëm.
Ndërkohë, autoritetet amerikane e kanë lejuar hyrjen e tij në Shtetet e Bashkuara, pasi kishte marrë vizën përkatëse. Sipas zyrtarëve amerikanë, fakti që ai nuk është dënuar ka qenë një nga elementët e marrë në konsideratë gjatë shqyrtimit të rastit.
Trajneri i Ganës, Carlos Queiroz, ka mbrojtur më herët vendimin për ta përfshirë Parteyn në listën e lojtarëve të grumbulluar, duke theksuar se drejtësia duhet të ndjekë rrugën e saj dhe se ai nuk është në pozicion për të gjykuar çështjen.
Megjithëse do të mungojë në ndeshjen ndaj Panamasë, mesfushori mund të jetë i disponueshëm për takimet e tjera të grupit që do të zhvillohen në SHBA, ku Gana do të përballet me Anglinë dhe Kroacinë.
Rasti i Parteyt është një nga disa incidentet që kanë shoqëruar hyrjen e pjesëmarrësve në Botërorin e zhvilluar në Amerikën e Veriut. Probleme me procedurat e emigracionit janë raportuar edhe nga përfaqësues të tjerë, duke krijuar sfida shtesë për skuadrat.
Komente







