Një luhatje tensioni ka shkaktuar dëmtimin e rrjetit elektrik mbrojtës trefazor të televizionit informativ Report Tv në Tiranë.

Rreth orës 20:00 të mbrëmjes së kësaj të mërkure pas një shkëputje të energjisë elektrike është regjistruar një goditje tensioni, që ka sjellë dëmtimin e sistemit elektrik trefazor të televizionit.

Sistemi elektrik mbrojtës i televizionit Report Tv është i teknologjisë së fundit, por shkëputja elektrike ka rezultuar fatale.

Bashkë me sistemin elektrik është dëmtuar edhe rrjeti i internetit, i cili paralizoi punën në televizionin Report Tv dhe portalin Shqiptarja.com. 

Gjithçka ka ndodhur si rrjedhojë e punimeve të UKT në zonën përreth stadiumit "Qemal Stafa", të cilët kanë dëmtuar rrjetin e OSHEE-së. Kjo e fundit ka rilidhur rrjetin por ka ngatërruar fazat dhe për pasojë janë regjistruar goditje elektrike të cilat kanë shkaktuar djegien e rrjetit elektrik trefazor të Report Tv-së. 

Transmetimi në Report Tv u rikthye pas një 1 ore e 30 minuta dhe kjo falë punës së teknikëve të cilët punuan për riparimin e dëmit i cili llogaritet të jetë i konsiderueshëm.

Ndërkohë, nga ana e OSHEE-së nuk ka pasur asnjë njoftim për ndërprerjen e energjisë elektrike. 

Ditët e fundit, ndërprerjet e energjisë elektrike pranë stadiumit "Qemal Stafa", ku ndodhet edhe godina e Report Tv, kanë qenë të vazhdueshme, ndërsa nuk kanë munguar dëmet në pajisje elektroshtëpiake te familjet shqiptare, të cilave iu lind e drejta të kërkojnë dëmshpërblim pranë OSHEE-së.

Report Tv do kërkojë nga avokatët të ngrejnë padi për të marrë dëmshpërblim nga OSHEE për dëmet e shkaktuara nga kjo goditje e tensionit të lartë. 
shkaku luhatje tensioni
shkaku luhatje tensioni
(Pajisjet e transmetimit të Report Tv, të dëmtuara nga goditja e tensionit)

[gallery]22850[/gallery]