Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, prezantoi sot Drejtorin e ri të Përgjithshëm të Burgjeve, Adriatik Kupi, në një ceremoni të zhvilluar me praninë e drejtuesve dhe punonjësve të sistemit penitenciar.

Gjatë fjalës së tij, Ministri Gogu falënderoi drejtorin në largim, Klevis Qose, për punën dhe kontributin e dhënë gjatë dy viteve në drejtim të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.

Ministri theksoi se ndryshimi në drejtim lidhet vetëm me nevojën për fuqizimin e mëtejshëm të sistemit penitenciar, në funksion të rritjes së standardeve të administrimit, të disiplinës dhe të përgjegjshmërisë institucionale.

“Ky ndryshim ka të bëjë vetëm me fuqizimin e sistemit. Sot kemi nevojë për më shumë disiplinë në çdo nivel, sepse duhet të sigurojmë që qytetarët të kenë jo vetëm besim, por edhe respekt për institucionet tona,” u shpreh Ministri i Drejtësisë.

Duke i uruar suksese në detyrën e re drejtorit të sapoemëruar, Adriatik Kupi, Ministri Gogu nënvizoi rëndësinë e drejtimit me profesionalizëm, integritet dhe standarde të larta, në përputhje me objektivat e reformimit të sistemit dhe me angazhimet që burojnë nga procesi i integrimit europian të Shqipërisë.

Ministri theksoi se forcimi i sistemit penitenciar është pjesë e drejtpërdrejtë e rrugës së vendit drejt Bashkimit Europian, ku standardet europiane kërkojnë institucione më të forta, më efikase dhe më të përgjegjshme në çdo hallkë të tyre.

Nga ana e tij, Drejtori i ri i Përgjithshëm i Burgjeve, Kupi, shprehu mirënjohjen për besimin e dhënë dhe u angazhua për të ushtruar detyrën me profesionalizëm, integritet dhe përkushtim të plotë.

“Do ta ushtroj këtë detyrë me profesionalizëm dhe me ndjenjë të lartë përgjegjësie. Do të mbështetem te ekipi, te bashkëpunimi dhe te integriteti institucional për të arritur rezultatet që kërkohen sot nga institucionet penitenciare në Shqipëri,” u shpreh Kupi.

Lajmi se për lirimin e Klevis Qose dhe emërimin në krye e Kupit në krye të këtij posti u bë e ditur një ditë më parë. Drejtori i ri vjen nga administrata publike. Ai ka mbajtur më herët postin e drejtorit të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes së Energjisë dhe ka qenë administrator i Njësisë Administrative Petrelë në Tiranë.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 17:19
U lirua dje nga detyra, Klevis Qose i jep lamtumirën Drejtorisë së Burgjeve: Punuam për ndërtimin e një sistemi më modern dhe më funksional

1775048202_klevisqose.jpg

Klevis Qose, i cili prej ditës së djeshme nuk është më në krye të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, ka shpërndarë një mesazh lamtumire në rrjetet sociale, duke falënderuar të gjithë ata që kanë qenë pjesë e rrugëtimit të tij gjatë drejtimit të këtij institucioni.

Ish-drejtori ka nënvizuar se gjatë detyrës të tij në krye të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve është arritur modernizimi i infrastrukturës, digjitalizimi i sistemeve, përmirësimi i kushteve të punës dhe rritjen profesionale të stafit, ngritje e laboratorëve për testime shëndetësore, si dhe projekte për riintegrimin e të dënuarve dhe spitalin psikiatrik-forensik.

Postimi i plotë:

Me mirënjohje për besimin që më është dhënë për të drejtuar Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve, në këtë moment të përfundimit të detyrës sime, dua të ndaj me të gjithë ju një falënderim të sinqertë për gjithçka që kemi arritur së bashku.

Së pari, dua të falënderoj dhe t’u përcjell gjithë mirënjohjen time, të gjithë punonjësve të këtij sistemi për përkushtimin, profesionalizmin dhe përgjegjshmërinë e treguar në përmbushjen e detyrës, pavarësisht të gjitha vështirësive dhe sfidave, të cilat në punën tonë kanë qenë më specifike e me ngarkesa jo të vogla .

Me konsideratë të veçantë falënderoj Kryeministrin z. Edi Rama për besimin dhe vlerësimin, ish-ministrin z. Ulsi Manja për profesionalizmin, mbështetjen e vazhdueshme dhe bashkëpunimin e ngushtë gjatë gjithë periudhës së ushtrimit të detyrës, ministrin z. Besfort Lamallari, ministrin aktual të Drejtësisë z. Toni Gogu.

Falënderoj Ambasadoren znj. Nancy Vanhorn dhe stafin e saj nga Ambasada Amerikane

Ambasadorin z. Nicholas Abbott dhe stafin nga Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar

Ambasadorin z. Marco Alberti dhe stafin nga Ambasada Italiane

Ambasadorin z. Reinout Caspar Vos dhe stafin nga Ambasada Holandeze

Ambasadorin z. Tayyar Kağan Atay dhe stafin nga Ambasada Turke

znj. Giulia RE, kreu i Zyrës së Këshillit të Europës,

dhe z. Michel Tarran, ambasador i OSBE-së, për mbështetjen e vyer dhe kontributin e tyre në forcimin e sistemit penitenciar dhe afrimin e tij me standardet më të mira europiane .

Falënderoj komunitetet fetare , për rolin e tyre të çmuar në mbështetjen shpirtërore dhe sociale të personave të privuar nga liria, si dhe për të gjithë institucionet dhe organizatat me të cilat kemi bashkëpunuar ngushtë gjatë kësaj periudhe, duke kontribuar së bashku në përmirësimin e sistemit penitenciar.

Falënderoj prokurorët e Prokurorisë së Posaçme (SPAK), gjyqtarët e Gjykatës së Posaçme (GJKKO), si dhe prokurorët dhe gjyqtarët e juridiksionit të përgjithshëm për bashkëpunimin dhe mirëkuptimin e treguar gjatë kësaj kohe.

Në këtë periudhë, kemi punuar për të ndërtuar një sistem më transparent, më modern dhe më funksional. Hapëm dhe garantuam transparencën e proceseve të gradimit dhe të ecurisë në karrierë për çdo punonjës. Investuam në rritjen e sigurisë dhe përmirësimin e infrastrukturës, përmes vendosjes së sistemeve antidron në burgjet e sigurisë së lartë, sigurimit të automjeteve të blinduara për transportin e personave me rrezikshmëri të lartë, si dhe shtimit të flotës së ambulancave .

Ndërmorëm hapa konkretë në përmirësimin e infrastrukturës: rihapëm institucionin e Ali Demit si burg i hapur, ndërtuam burgun e ri në Kukës, restauruam dhe termoizoluam 9 IEVP, si dhe vijohet me restaurimin total të IEVP Fushë-Krujë . Paralelisht, siguruam godinat nga përmbytjet dhe tërmetet dhe mbyllëm objektet e amortizuara të periudhës së komunizmit.

Një vëmendje e veçantë iu kushtua përmirësimit të kushteve të punës dhe rritjes profesionale të stafit. Krijuam qendra trajnimi dhe zhvilluam programe profesionale, hapëm ëorkshope në REC, Fier dhe Korçë, lidhëm marrëveshje me universitete private për bursa falas për punonjësit dhe ofruam kredi të buta për ta .

Në drejtim të modernizimit, rinovuam sallën e monitorimit në DPB dhe realizuam digjitalizimin e sistemeve elektronike, duke përfshirë sistemin e repertorëve dhe të radiove . Po ashtu, garantuam sigurimin e shëndetit dhe mbrojtjen nga aksidentet në punë për të gjithë punonjësit e sistemit penitenciar dhe SHKBB. Po ashtu mundësuam kredi të buta për punonjësit e DPB-së.

Si pjesë e përmirësimeve institucionale, përtej marrëveshjeve ekzistuese me komunitetet fetare për ushtrimin e veprimtarisë së tyre në institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale, tashmë përfaqësuesit e komuniteteve fetare janë bërë pjesë e organikës sonë. Gjithashtu, u përfshi në strukturë edhe një psikolog i dedikuar për stafin, duke garantuar mbështetjen psikologjike dhe mirëqenien e punonjësve të çdo institucioni.

Ngritëm një laborator për testimin e shpejtë të çdo personi të paraburgosur apo të dënuar që hyn në institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale, për sëmundjet infektive dhe ato seksualisht të transmetueshme . Gjithashtu, hartuam projektin për ndërtimin e një spitali të ri psikiatrik dhe forensik për të dënuarit me vendim gjyqësor , si dhe lidhëm marrëveshje me bashkitë për riintegrimin e tyre pas përfundimit të dënimit.

Edhe me gjithë angazhimin e madh të bërë, vlerësimi dhe përcjellja tek publiku do të ishte e pamundur pa punën e gazetarëve , të cilëve u shpreh falënderimin tim.

Në përfundim, i uroj suksese drejtorit të ri, Ardiatik Kupi, në përmbushjen e kësaj detyre me përgjegjësi të lartë, në vijimësinë dhe forcimin e mëtejshëm të reformave në sistemin penitenciar .

Faleminderit të gjithëve! Jam mirënjohës për gjithkënd që në këtë rrugëtim dyvjeçar ka vënë një gur në këtë institucion të rëndësisë së veçantë.