Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, zhvilloi dje takimin e parë me Komisionerin e BE-së për Demokracinë, Drejtësinë, Sundimin e Ligjit dhe Mbrojtjen e Konsumatorit, Michael McGrath, në kuadrin e Konferencës Ndërqeveritare të Grupkapitullit 1 që u zhvillua këtë javë në Bruksel.

Takimi u zhvillua një ditë pas miratimit të Pozicionit të Përbashkët të BE-së mbi Grupin 1 të negociatave, Themeloret, duke e vendosur bisedën në kontekstin e drejtpërdrejtë të mbylljes së kapitujve 23 dhe 24.

Komisioneri McGrath vlerësoi miratimin e piketave të ndërmjetme (IBAR) si “arritje të rëndësishme” për Shqipërinë, duke theksuar se puna e mbetur përpara është e konsiderueshme, por edhe se BE-ja është e vendosur ta mbështesë Shqipërinë deri në vijën e finishit, anëtarësimin europian. McGrath shprehu gjithashtu kënaqësinë për vizitën e ardhshme në Tiranë.

Gogu vuri në dukje se reforma në drejtësi ka kaluar fazën strukturore. “Kemi ngritur strukturën e sistemit. Vettingu u mbyll me sukses. SPAK punon. Tani ka ardhur koha e performancës institucionale, trajtimi i vonesave në vlerësime, ulja e dosjeve stok dhe ekzekutimi efektiv i vendimeve gjyqësore”, tha Ministri.

Biseda u fokusua në tri shtylla kryesore: pavarësia e pakthyeshme e gjyqësorit si standard europian dhe jo si kusht politik i izoluar; matjet konkrete të progresit, ulja e stokut të dosjeve të Gjykatës së Lartë, platforma JURONIX dhe harmonizimi i statistikave gjyqësore; si dhe fushat e bashkëpunimit teknik me DG JUST për sistemin e integruar të menaxhimit të çështjeve, alternativat ndaj paraburgimit, dhe Shkollën e Magjistraturës.

Gogu theksoi se Shqipëria synon të jetë jo vetëm marrëse e ekspertizës europiane, por kontribuese aktive në dialogun europian mbi sundimin e ligjit, duke evokuar Forumin e Drejtësisë të Tiranës dhe Kongresin Botëror të Ligjit.

Takimi u vlerësua si fillim i një marrëdhënieje pune të rëndësishme institucionale, me perspektivën e vizitës së Komisionerit McGrath në Tiranë në muajt e ardhshëm.